BDI merr edhe pozita tjera në Qytetin e Shkupit

Shkupi

BDI merr edhe pozita tjera në Qytetin e Shkupit

Më: 5 dhjetor 2017 Në ora: 10:28
BDI

Qendra Informative e Kulturës dhe Shtëpia e Kulturës “Koço Racin” nuk do të jenë dy institucionet e vetëm që do të drejtohen nga kuadro shqiptarë, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse nuk ka pasur një marrëveshje parazgjedhore për ndarjen e institucioneve të kulturës, zëvendëskryetari i Qytetit të Shkupit, Enver Maliqi, pohon se gjatë këtyre ditëve priten ndryshimeve si për kuadrot që do të vendosen në krye të tyre, ashtu edhe për drejtoritë që mund të bëhen tre që do të drejtohen nga kuadro të BDI.

Maliqi nuk jep hollësi se cili nga gjashtë institucionet e tjera mund t’i takojë BDI-së: Biblioteka “Vëllezërit Milladinovci”, Kopshti Zoologjik, Muzeu i Qytetit, Qendra Kulturore e të Rinjve, Salla Universale, apo Qendra kulturore e fëmijëve “Karposh”. Ndryshimet po ashtu janë të pritshme edhe lidhur me drejtorët, anëtarët e komisioneve të ndryshme në kuadër të Qytetit të Shkupit.

“Nëse në kohën e Trajanovskit kemi pasur vetëm një sipërmarrjet publike, tani kemi dy, si edhe katër zëvendësdrejtorë, po ashtu edhe në sektorin e kulturës, i cili është shumë i rëndësishëm për ne. Përveç dy drejtorive, jemi në bisedime që të drejtojmë edhe një institucion tjetër, për të cilin ende nuk mund ta them se cili do të jetë. Nesër do të mblidhemi për të diskutuar propozimet nga degët për kuadrot e ardhshme që do të jenë pjesë e Qytetit të Shkupit”, thotë për KOHA, Maliqi.

Sipas tij, ndryshimet në kulturë nuk do të kufizohen vetëm tek emrat, por edhe tek politikat për zhvillimin e kulturës, si edhe buxhetin që do të ndahet. Në Qytetin e Shkupit numërohen tetë institucione të kulturës, mes të cilave Qendra e Informimit të Kulturës dhe shtëpia e kulturës “Koço Racin”. Për momentin lakohen disa emra si kandidatura të mundshme, që mund të zëvendësojnë drejtoreshën e QIK, Sermine Purrini, e cila pritet të kalojë si shefe në kabinetin e kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ademi. Nga ana tjetër, nuk janë përcaktuar as drejtoritë e institucioneve nacionale në Shkup që drejtoheshin nga BDI.

Galeria Nacionale, që drejtohet nga kuadër i BDI-së, Dita Starova, nuk do të ndryshojë, ndërsa sa i takon drejtorive të tjera që i takuan BDI në koalicionin e mëparshëm qeveritar, nuk dihet nëse do t’i “trashëgojë” edhe gjatë këtij mandati qeverisës. Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës ishte një prej institucioneve, në të cilin marrëveshja nuk u realizua dhe nuk u arrit që të emërohej një kuadër shqiptar. Një tjetër institucion ishte Teatri i Fëmijëve dhe të Rinj, ku edhe në këtë drejtori nuk u arrit të emërohej një drejtor shqiptar.

Konkurset për emërimin e drejtuesve të rinj pritej të shpalleshin pas përfundimit të zgjedhjeve lokale. Në një pjesë prej tyre drejtorët vazhdojnë të jenë ushtrues drejtore, ndërsa ka edhe nga ato që u ka kaluar mandati, si rasti i drejtoreshës së Shtëpisë Përkujtimore Nënë Tereza.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat