Shumica e rrugëve të Shkupit vazhdojnë me emrat e vjetër

Shkupi

Shumica e rrugëve të Shkupit vazhdojnë me emrat e vjetër

Më: 10 dhjetor 2017 Në ora: 09:56
Pamje nga videoja

“Hoshimin”, “Jajce” dhe “Mara Mezhdurecka”, janë vetëm disa emra jo të zakonshëm të rrugëve në komunat e Shkupit. Domethënien e tyre e kanë të njohur vetëm pak prej banorëve që jetojnë në këto rrugë, të cilët ndajnë mendime të ndryshme nëse ata duhet të ndryshohen ose jo. Në një anketë për Alsat-M qytetarët shprehen se janë mësuar me shqiptimin e tyre por asnjëherë nuk janë interesuar se nga vinë këto emërime.

Nuk e di!

Nuk e di. Ky emër i rrugës është që moti, çfarë kuptimi ka nuk e di. Kjo rrugë për më shumë se 40 vjet ka emrin “Jajce”. Nëse do ta kishin ndërruar do të ishte e vështirë të gjndeshin.

Nuk e di çfarë është Hoshimin, emër i huaj. Mund ta ndërrojnë por nuk e di sa do ju përshtatet banorëve sepse ajo tërheq shumë probleme, ndryshim të dokumenteve, letërnjoftimeve, do të hapen shumë probleme – shprehen disa banorë të anketuar.

Ndërkohë, disa banorë të tjerë thanë se me kalimin e kohës janë zhvilluar personalitetet të reja të cilat meritojnë të mbajnë emra rrugësh ose objekte tjera.

Jo, nuk e di, nuk kam dëgjuar. Duhet të ndërrohen, pse jo.

Këtu e kemi xhaminë “Haxhi Jonuz” mendoj se duhet ta mbajë emrin e kësaj xhamie. Duhet të ndryshohen dhe të kenë ndonjë emër të patriotëve shqiptarë, këtu është shkolla Liria, mundet ta mbajë emrin Liria sipas shkollës.

Është emër jo i zakonshëm, vetëm e di që është emër i një heroi dhe luftëtar i popullit. Rastësisht e kam parë bustin, përndryshe nuk do të kisha njohuri – thonë disa të tjerë.

Vite më parë, qyteti i Shkupit në bazë të Ligjit për vetqeverisje lokale dhe Ligjit për emërim të rrugëve dhe objekteve tjera infrastrukturore, ndryshoi disa emra rrugësh në shumë komuna të Shkupit. Mes tyre, në Komunën e Çairit rruga “Vergino” u emërua në “Fan Noli” ndërsa “Dërvarska” në “Azem Hajdari”. Deri tani, nuk ka pasur iniciativë nga komunat përkatëse për ndryshime të reja.

Rruga “Ho Shi Min” mban emrin e një burrë shteti dhe revolucionari komunist vietnamez që ishte kryeministri dhe president i Republikës Demokratike të Vietnamit. Rruga “Jajce” mban emrin e një qyteti të lashtë në Bosnjë që njihet për nga ujëvara që kalon mes qendrës së qytetit. Ndërsa, Mara Mezhdurecka ishte pjesë e partizanëve në ish Jugosllavi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat