Ndotja e ajrit, Shkupi vëzhgon situatën

Shkupi

Ndotja e ajrit, Shkupi vëzhgon situatën

Më: 4 janar 2018 Në ora: 17:18
Ilustrim

Erërat që prej mbrëmë kanë përfshirë vendin kanë ndikuar pozitivisht në pastrimin e ajrit të ndotur që tashmë disa javë ka ngulfatur qytetarët e Shkupit.

Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov edhe një herë përsëriti se nga afër po përcjellin situatën e krijuar por nuk planifikojnë rikthimin e masave të caktuara paraprakisht nëse për dy ditë radhazi indeksi i ndotjes nuk kalon vijën e kuqe.

Ai shtoi se ndalesa e qarkullimit të makinave që bëjnë shpërndarjen e mallrave nëpër firma dukshëm ka zvogëluar kaosin në qytet dhe njëkohësisht ka kontribuar në përmirësimin e ajrit.

Me fillimin e vitit të ri në qendër të Shkupit kemi regjim të ri të shpërndarjes së mallrave nëpër dyqane. Çdo segment i vogël kontribuon për një nuancë të kemi ajër më cilësor. Kjo do të jetë një betejë e gjatë dhe e vështirë por unë jam i sigurt se do fitojmë si qytetarë të Shkupit. Mos hyrja e rreth 4 mijë mini-makinave të rënda për shpërndarje të mallit në qendër të Shkupit kontribuon në zvogëlimin e kaosit në trafik që nënkupton se ka ndikim direkt pasi bëhet fjalë për makina me naftë dhe nga ana tjetër zvogëlon kaosin në qytet gjatë ditës”, tha Petre Shilegov, kryetar i Shkupit.

Shilegov paralajmëroi se më fillimin e sezonit pranveror do të nis edhe gjelbërimi i sipërfaqeve të caktuara në qytet që do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e ajrit të ndotur.

Madje, ai shtoi se në bashkëpunim me MPB-në dhe Ministrinë e ambientit jetësor do të kryejnë kontrolle të vazhdueshme ndaj firmave të mëdha prodhuese nëse të njëjtat kanë vendosur filtrat e duhur.

Javën e fundit të vitit që lamë pas, qyteti i Shkupit vetëm dy ditë aktivizoi masat kundër ndotjes së ajrit duke ju mundësuar qytetarëve të shfrytëzojnë transportin publik falas.

Ndër masat tjera që kohë më parë u paralajmëruan nga qyteti i Shkupit në rast të ndotjes enorme të ajrit janë edhe ndalimi i punimeve ndërtimore, fabrikat e mëdha të reduktojnë procesin e prodhimit deri në 50 %, vendosjen e filtrave nëpër vende të caktuara si dhe pastrimin e rrugëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat