Rama: Do heqim akcizën e naftës dhe do ulim TVSH për inputet bujqësore

Shqipëria

Rama: Do heqim akcizën e naftës dhe do ulim TVSH për inputet bujqësore

Më: 11 shtator 2012 Në ora: 22:59

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka qenë në një fermë blegtorale në Kashar në mëngjesin e së martës. Kjo fermë është një prej më të mëdhave në vend. Edi Rama në bisedë me fermerin tha se Partia Socialiste në qeverisje do japë një mbështetje që nuk e ka pasur kurrë në 20 vjet kushdo që merret me prodhimin bujqësor në fshat.

Fermeri tregon vështirësitë që has në mbarëvajtjen e fermës së tij dhe premtimet që ai i dëgjon nga pushtetarët në ekrane e mediave apo në faqet e gazetave, por realiteti është i ndryshëm: “Paguajmë të plotë për ushqimin e kafshëve, edhe doganën edhe TVSH-në. Dëgjojmë ndonjëherë në televizor ndonjë premtim, por kur shkojmë tek dogana pa derdhur lekët nuk të kalon asgjë.”

Ky fermer që merret kryesisht me blegtori thotë se edhe subvencionet janë të papërfillshme: “Subvencionet mora vesh që janë vetëm 60 milionë lekë të vjetra. Po 60 milion lekë të vjetra për të gjithë Shqipërinë është si të shkosh në një kotec pulash dhe të hedhësh një grusht me misër e të zihen se kush ta kapë. Është e papërfillshme.”

Kryetari i PS, Edi Rama, duke bashkëbiseduar me këtë fermer tregoi dhe angazhimet e para të programit socialist për këdo që ka zgjedhur të punojë në bujqësi apo blegtori. Janë angazhime për të cilat PS është e gatshme t’i realizojë sapo të marrë pas 10 muajsh drejtimin e qeverisë së vendit.

Kryetari socialist zbuloi disa angazhime të programit të PS, që kanë lidhje me heqjen e akcizës së naftës dhe heqjen apo uljen e TVSH-së për inputet bujqësore, për plehrat, për farëra, për fidanë, për ushqime bazë të importuara për blegtorinë: “Në qoftë se nuk ulet çmimi i naftës për bujqësinë, ne do ta heqim akcizën. Por, në qoftë se nuk hiqet edhe TVSH-ja për inputet, për farat, për plehrat dhe njëkohësisht nuk mbështetet fuqishëm nisma private, në gjithë sektorin e fshatit, duke mbështetur njerëz me talent dhe me kurajë si ju, nuk ka asnjë shans që fshati të dalë nga kjo prapambetje dhe nga kjo gjendje skandaloze varfërie ku e zhyt përditë braktisja e shtetit.”

Kryetari i PS është ndalur gjatë bisedës në raportin e zhdrejtë import- eksport, ku importet janë 9 herë më të larta: “Nuk kuptohet akoma pas 20 vjetësh se në qoftë se fshati jeton keq, qyteti s’ka si të jetojë mirë. Në qoftë se fshati nuk prodhon ekonomia nuk ka sesi të marrë frymë lirisht. Ne sot për turp eksportojmë një, importojmë 9. Flasim vetëm për ushqim dhe ndërkohë kemi një vend që i ka të gjitha mundësitë që të prodhojë, të eksportojë dhe të ushqejë veten si në fshat dhe si në qytet që të mos ketë në Shqipëri familje që nuk i afrohet dot qumështit, apo familje që nuk arrin dot fundin e muajit me qetësi për të garantuar ushqimin. Është e patolerueshme.”

Për Edi Ramën iniciativa të tilla do të promovohen dhe të mbështeten nga qeverisja e socialistëve: “Ne synojmë që këto modele që janë krijuar me sakrifica dhe me shumë vendosmëri nga njerëz si ju, mund të shtrihen vetëm në qoftë se mbështeten dhe promovohen. E çdokush që investon në zhvillimin rural për rritjen e prodhimit në fshat do të ketë mbështetje që nuk e ka pasur kurrë në këto 20 vjet.”

Ndërsa Sekretari për Programin, Ilir Beqja, premtoi se PS do të angazhohet që në mandatin e parë, që gjithë pjesën që lidhet me vaksinimin e të imtave dhe të trashave në gjithë Shqipërinë ta marrë përsipër shteti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat