Incidenti me flamurin shqiptar, Greqia kërkon ndjesë

Shqipëria

Incidenti me flamurin shqiptar, Greqia kërkon ndjesë

Më: 4 tetor 2012 Në ora: 10:47

Greqia kërkon ndjesë për incidentin me flamurin shqiptar, në konferencën e përbashkët për shtyp të ministrit të Jashtëm shqiptar Edmond Panaritit dhe homologut të tij grek, Avramopulos.

Zyra e shtypit e MPJ-së bën të ditur se ministri grek Avramopulos i ka telefonuar ministrit Panariti, për t’i kërkuar ndjesë për incidentin protokollar.

Mësohet se Avramopulos shprehu keqardhjen lidhur me pakujdesinë për flamurin dhe siguroi ministrin Panariti se ngjarja nuk do të errësojë rezultatet e suksesshme të vizitës së tij në Athinë.

Ministri grek Avramopulos i konfirmoi homologut shqiptar se ky nuk është vetëm qëndrimi i tij personal, por i gjithë opinionit publik grek.

Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti takoi dje në mesditë në Athinë, ministrin e Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos. Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun grek ra në sy vendosja e flamurit shqiptar kuqezi.

Nga krahu i ministrit grek Avramopulos, flamuri shqiptar ishte në rregull, ndërsa në anën e ministrit shqiptar shqiponja e zezë ishte vendosur me kokëposhtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat