Decentralizimi fiskal, Arvizu: Burime vendorëve. Berisha: Grantet i rritëm disa herë

Shqipëria

Decentralizimi fiskal, Arvizu: Burime vendorëve. Berisha: Grantet i rritëm disa herë

Më: 4 tetor 2012 Në ora: 11:29

Gjatë fjalës së tij në konferencën për decentralizimin fiskal, të organizuar nga USAID në Tiranë, ambasadori amerikan në vendin tonë, Aleksander Arvizu, theksoi se decentralizimi do të sigurojë që qeveritë vendore të kenë burimet e nevojshme për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve.

“Decentralizimi fiskal është i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse do të sigurojë që qeveritë vendore të kenë burimet e nevojshme për të përmbushur detyrimet e tyre ligjore. Progresi në decentralizimin fiskal kërkon që të ndërtohet besimi, mirëbesimi dhe respekti reciprok. Nxis kryetarët e Bashkive dhe këshillat vendorë që të ngrenë diskutime mbi decentralizimin fiskal.”- u shpreh ambasadori Arvizu.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti punimet e konferencës për decentralizimin fiskal ku theksoi se qeveria ka rritur disa herë grantet për pushtetin vendor.
“Ata e dinë se 6 vite më parë, granti që parashikohej ishte 7 mild lekë gjithsej, ky grant është rritur disa herë dhe kjo jo si mëshirë apo mirësi ndaj qeverisë vendore, jo kjo ishte një domosdoshmëri se rrugë të tjera për zhvillimin e vendit nuk kishte përveç kësaj”.

Me tej, kreu i qeverise vuri ne dukje se rëndësi ka mbledhja e taksave, në të kundërtën, kjo vlerësohet si mosdisiplinim.
“Në të gjitha hapat dhe përcaktimet tona ne të vetmen gjë që nuk duhet të pranojmë është dështimi i disiplinës fiskale dhe mbledhjes së të ardhurave. Nuk është vetëm mungesa e fondeve në buxhet, por në të gjitha rastet është një atak i rëndë për ekonomitë".

Ne fjalen e tij para krereve vendore dhe perfaqesuesve te USAID, Berisha vleresoi se, një nga taksat në botë sjell të ardhura të majme për buxhetin, është taksa e pasurisë.
“Dhe kjo taksë është e pasurisë, në vendet e zhvilluara, kjo përbën një nga burime më të fuqishme të të ardhurave për burimet vendore, kurse në Shqipëri kjo taksë, të ardhurat e saj janë rudimentare”.

Berisha shtoi se “taksa e biznesit të vogël, që kaloi në tërësi në qeverinë vendore, nuk mund të them se ishte një histori suksesi”.

Sipas kreut të qeverisë, decentralizimi është një nga parimet me themelore për funksionimin e demokracisë.
“Në këtë kontekst, konsolidimi, i këtij procesi dhe avancimi i tij është një domosdoshmëri madhore, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të kenë qeverisje më të mirë, shërbime më të mira dhe taksat e tyre të përdoren në mënyrën më eficente”.

Berisha falënderoi krerët e pushtetit vendor për investimet që kanë bërë nga mbledhja e taksave dhe për partneritetin e suksesshëm me qeverisjen qendrore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat