Nishani në KiE: Shqipëria, kandidat potencial për anëtarësim në BE - Bota Sot
Nishani në KiE: Shqipëria, kandidat potencial për anëtarësim në BE

Shqipëria

E hënë, 29 gusht 2016

Nishani në KiE: Shqipëria, kandidat potencial për anëtarësim në BE

Më: 4 tetor 2012 Në ora: 17:20

Presidenti i Republikës Bujar Nishani në fjalimin e tij në sesion e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, e vurin theksin tek vlerat universale, të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Duke përfaqësuar Presidencën e parë shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Nishani u shpreh se Shqipëria është kandidat potencial për anëtarësim në BE.
“Në këtë kontekst, Këshilli i Evropës luan një rol të rëndësishëm si vektor i politikës evropiane në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, në forcimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor. Suksesi i Shqipërisë është i lidhur ngushtë padyshim, edhe me bashkëpunimin e frytshëm me Këshillin e Evropës”- tha ai

“Në fazën fillestare të periudhës tranzitore, Shqipëria, e dalë nga diktatura më e fortë në kontinent dhe izolimi i plotë, kishte nevojë të ngutshme për institucione të vërteta demokratike dhe për një kuadër ligjor evropian, ku do të mbështeste themelet e shtetit të ri të së drejtës dhe ekonomisë së lirë të tregut. Për këtë arsye, në fillim të viteve ’90-të u vendosën kontaktet e para me institucionet politike evropiane si: Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si edhe një sërë institucionesh financiare: Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), Banka Botërore dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Në këtë kuadër, komunikimi me Këshillin e Evropës dhe institucionet e tij ishte më intensivi dhe më i nevojshmi për demokracinë e brishtë shqiptare, që hidhte hapat e para të saj. Nuk e kemi konsideruar anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës si një objektiv në vetvete, por si një instrument të domosdoshëm për të konsoliduar institucionet demokratike të shtetit të së drejtës në shërbim të qytetarëve dhe aspiratës sonë evropiane”.

Në vitin 1995, Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Evropës me të drejta të plota. Ishte ky një moment inkurajues për demokracinë e re shqiptare dhe një hap shumë i rëndësishëm në konsolidimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës.

Periudha gjashtëmujore 23 maj – 9 nëntor 2012 shënon një kulm tjetër në historinë njëzetvjeçare të bashkëpunimit tonë. Shqipëria për herë të parë, kryeson Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës. Gjatë këtyre dy dekadave, Shqipëria dhe shoqëria shqiptare pësuan transformimin më të thellë, më të gjerë dhe më intensiv në historinë mijëravjeçare të kombit të vjetër shqiptar. Vendi i rekordeve në shkeljen e lirive të njeriut është sot në timonin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, këtij tempulli evropian të të drejtave të njeriut.
“Shqipëria, e njohur për armiqësinë e saj fanatike ndaj Perëndimit, është sot anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe, aktualisht, ndihmon me trupa për paqen në Afganistan e gjetkë. Ajo, nga konsumatore e dikurshme është shndërruar kështu në kontributore për sigurinë e këtyre vendeve, të rajonit e vendeve demokratike. Dikur, një vend tërësisht i izoluar, tashmë pret me besim marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian, bazuar në meritë, ndërsa qytetarët shqiptarë, lëvizin të lirë, pa viza në Evropë.
Dikur, nga një vend me një ekonomi thellësisht autokratike është shndërruar sot në një ekonomi tërësisht dinamike të tregut të lirë. Sot, vendi im përballon suksesshëm ndikimin e krizës globale ekonomike dhe financiare, duke shfaqur një rritje pozitive ekonomike dhe financiare, rrjedhojë e politikave të matura makro-ekonomike, reformave të mirëstrukturuara, liberalizimit të tregtisë, klimës së sipërmarrjes dhe një sërë reformash të tjera të guximshme të ndërmarra në këtë sektor”
Më tej ai shtoi se ajo që pritet nga autoritetet shqiptare është rritja e nivelit të standardeve, dhe jemi tërësisht të angazhuar për përmirësimin e vazhdueshëm të tyre, për t’u integruar denjësisht në familjen evropiane.

“Këto hapa të konkretizuara po realizojnë një ëndërr të përjetshme evropiane të shqiptarëve, një aspiratë që vuri në lëvizje masat e studentëve dhe qytetarëve, të cilët mbushën rrugët dhe sheshet me thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” Kjo moto frymëzoi shqiptarët në betejën e tyre finale kundër diktaturës së fundit në Evropë”- tha ai, i cilin shtoi se sot Shqipëria po feston 100-vjetorin e pavarësisë së saj si një komb i lirë, që ka ditur të shfrytëzojë vlerat e lirisë me arritje konkrete dhe Presidenca e Komitetit të Ministrave është qershia në tortën e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit.

Ndërsa përsa i takon Kosovës, presidenti kërkoi ndihmën e KiE për asistencë në konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve të shtetit të më ri në Ballkan.
“Kosova duhet të jetë një zonë e sigurtë për të gjithë qytetarët e saj, ku standardet e Këshillit të Evropës të forcohen në mënyrë të vazhdueshme, ku instrumentet kryesorë evropianë të aplikohen plotësisht, së bashku me mekanizmat e tyre të kontrollit”- u shpreh Nishani ndërsa theksoi se pozicioni i Shqipërisë është fare i qartë.
“Republika e Kosovës është tashmë një realitet dhe një faktor stabiliteti në rajon, i cili ka hedhur poshtë çdo skepticizëm. Çështja e statusit dhe integritetit territorial janë kapituj të mbyllur. Ne jemi për një anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, sepse vetëm në një rast të tillë qytetarët kosovarë do përfitonin maksimalisht nga standardet e Këshillit të Evropës dhe do të kishin akses në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Kush ka të drejtë dhe çfarë duhet të bëj Qeveria me demarkacionin me Malin e Zi?

    Kuvendi duhet ta votojë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi

    Qeveria duhet ta rishikoj marrëveshjen

    Opozita ka të drejtë që po kundërshton demarkacionin

    Qeveria ka të drejtë për demarkacionin

    Nuk duhet të votohet marrveshja, sepse me demarkacion Kosova humbë tokë

    Shiko rezultatet
test