Shqipëri, rritet mbështetja për anëtarësimin në BE

Shqipëria

Shqipëri, rritet mbështetja për anëtarësimin në BE

Më: 9 tetor 2012 Në ora: 19:33

Në Shqipëri një sondazh i publikuar sot nga Instituti për studime ndërkombëtare dëshmon se qytetarët vazhdojnë të mbështesin në shumicë dërrmuese anëtarësimin e vendit në Bashkimin europian. Një ditë përpara publikimit të rekomandimit të komisionit europian për Statusin e vendit kandidat, vetëm 39 përqind besojnë se ai do t’i jepet Shqipërisë, ndërsa 33 përqind nuk janë optimist për një përgjigje pozitive

Mbështetja e shqiptarëve ndaj integrimit europian të vendit është rritur krahasuar me vitin e kaluar kur sipas sondazhit të kryer nga Instituti për studime ndërkombëtare, ajo ra me 14 pikë, duke zbritur në 80 përqind. Vrojtimi i këtij viti tregon një përmirësim. 86,5 përqind e të pyeturve janë përgjigjur se në rast të një referendumi ata do të votonin në favor të anëtarësimit.
Që nga nëntori i kaluar falë marrëveshjes mes shumicës dhe opozitës vendi ka bërë hapa përpara në plotësimin e rekomandimeve të Brukselit, ndonëse mosmarrëveshjet mes palëve vazhdojnë. Kjo situatë duket e reflektuar edhe në pritshmërinë e qytetarëve për rekomandimin e Komisionit europian që parashikohet të pubikohet nesër. 39 përqind e të pyeturve mendojnë se Shqipëria do ta përfitojë statusin, ndërsa 33,5 përqind mendojnë që jo. Pjesa tjetër nuk ka një ide për rrjedhën e ngjarjeve.
Afro gjysma e qyetarëve, sipas sondazhit, mendon se vendi nuk është gati për anëtarësim, ndërkohë që 30 përqind mendojnë se Shqipëria është e përgatitur. Ndërsa janë afër 37 përqind e qytetarëve që mendojnë se Bashkimi europian duhet ta pranojë vendin para se të jetë gati.
Duket se zhvillimet e brendshme kanë një ndikim të fortë në perceptimin e shqiptarëve ndaj procesit të integrimit. Ndërsa vitin e kaluar, kur kriza politike ishte ende e fortë, 40 përqind mendonin se integrimi do të sillte forcimin e demokracisë, këtë herë afër 38 përqind mendojnë se integrimi do të sjellë një rritje të standartit të jetesës, ndërsa afër 47 përqind mendojnë se do të shtojë vende pune, do të forcojë shtetin e së drejtës dhe do të ketë më pak korrupsion. Po arsyet ekonomike janë kryesoret edhe për ata që do të votonin kundër, 40 përqind e të cilëve druajnë një rritje të cmimeve, ndërsa 26 përqind shohin me rrezik humbjen e identitetit kombëtar.
Nesër do të jetë një ditë e rëndësishme për të ardhmen e procesit të integrimit. Pas dy refuzimesh radhazi, komisioni europian pritet të publikoje raportin e vlerësimit mbi ecurinë e vendit si dhe rekomandimin e tij për statusin. Shumë vëzhgues parashikojnë në një përgjigje pozitive, por të kushtëzuar, ose me vetë statusin ose me hapjen e bisedimeve. Rekomandimi i Komisionit europian është hapi i parë dhe vendimi përfundimtar pritet në dhjetor nga vendet anëtare. Brenda kësaj periudhe Shqipëria ka ende kohë të japë prova se e meriton statusin e vendit kandidat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat