Basha vendos ti zhvendos lojrat e fatit

Shqipëria

Basha vendos ti zhvendos lojrat e fatit

Më: 9 tetor 2012 Në ora: 23:16

Këshilli Bashkiak ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës, vendosjen e një takse të përkohshme për lojërat e fatit. Me këtë vendim, Bashkia e Tiranës synon të nxisë zhvendosjen e lojrave të fatit, në territorin e Uzinës së Ndërtimit të Automjeteve (“UPNA” - ish –Uzina e Autotraktorëve, Shkozë) pronë e Bashkisë së Tiranës. Miratimi i këtij vendimi është shoqëruar me debate nga këshilltarët socialistë, të cilët gjatë gjithë diskutimit kanë qëndruar në këmbë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i cili është dhe iniciuesi i kësaj nisme, ka kërkuar nga këshilltarët e majtë, të vendosin interesin e qytetarëve para çdo interesi tjetër, politik apo lobim financiar.

“Masa e sotme nuk ka të bëjë me penalizimin e askujt, por ka të bëjë me një problem social që ka marrë përmasa të paprecedentë në qytetin e Tiranës. Cili është problemi? Problemi është shtrirja e paprecedentë e lojrave të fatit, pra kazinove në lagjet e qytetit tonë, shtrirje e cila për frymë është e paprecedentë krahasuar me çdo qytet apo kryeqytet tjetër të Evropës apo botës së qytetëruar. Në vitet e fundit, në qytetin e Tiranës, vetëm të liçencuara përllogariten afro 10 kazino për minibashki, që do të thotë se numri i kazinove në qytet, frikshëm po i afrohet në raste të veçanta apo po tejkalon numrin e shërbimeve të tjera të qytetit si furrat e bukës, dyqanet e mishit, të fruta -perimeve etj. Qëllimi ynë nuk është të privojmë askënd nga e drejta e tyre për të luajtur në lojrat e fatit, por qëllimi ynë është ta bëjmë të vështirë, mundësisht të pamundur aksesin, për ata që paratë për ushqimin e familjes së tyre apo medikamenteve, i shpenzojnë nëpër kazino, vetëm sepse ato gjenden tek dera e shtëpisë apo hyrja e pallatit të tyre. Unë shpresoj që duke i dhënë mbështetje kësaj mase, ju do i jepni zërin dhe vendimarrjen e Këshillit, kërkesës së qytetarëve të Tiranës, të cilët në mënyrë të plotë e të gjithanshme presin sot nga ky Këshill, jo pengim, as bojkot apo zhurmë, por presin votim qytetar, për një çështje qytetare, ndaj ftoj këtë Këshill t’i largohet porosive politike dhe t’i kthehet interesit qytetar, të hedhë poshtë lobimet politike apo financiare dhe të votojë për interesin qytetar. Sot, tani, në këtë sallë, qytetarët e Tiranës shohin dhe presin që vullneti i votës së tyre të përkthehet në vendim për interesat e tyre” – u shpreh Kryebashkiaku Basha.

Taksës së përkohshme të lojërave të fatit i nënshtrohen të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, të licencuar për kryerjen e aktivitetit për lojëra fati, në territorin e Bashkisë së Tiranës. Taksa e përkohshme e lojërave të fatit, aplikohet për çdo sallë ku zhvillon veprimtarinë organizatori.

Niveli i taksës së përkohshme të lojërave të fatit aplikohet i diferencuar, sipas ndarjes zonale të hartës së qytetit të Tiranës. Për kazinotë dhe kazinotë elektronike, niveli i taksës deri në datën 30.06.2013 është si më poshtë:

Për subjektet e zonës A, niveli i taksës është 1.000 lekë/m2;

Për subjektet e zonës B, niveli i taksës është 700 lekë/m2;

Për subjektet e zonës C, niveli i taksës është 500 lekë/m2;

Për kazinotë dhe kazinotë elektronike, niveli i taksës pas datës 30.06.2013 është si më poshtë:

Për subjektet e zonës A, niveli i taksës është 10.000 lekë/m2;

Për subjektet e zonës B, niveli i taksës është 7.000 lekë/m2;

Për subjektet e zonës C, niveli i taksës është 5.000 lekë/m2;

Por, në vendim sanksionohet se për të gjithë subjektet që do të ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Uzinës së Ndërrimit të Automjeteve (“UPNA” - ish –uzina e Autotraktorëve – Shkozë), nuk do të aplikohet taksa e përkohshme e lojrave të fatit.

Subjektet e kategorisë së lojërave të fatit, kazino dhe kazino elektronike që zhvendosin aktivitetin e tyre në territorin e Uzinës së Ndërtimit të Automjeteve (“UPNA” - ish –uzina e Autotraktorëve – Shkozë), përfitojnë rimbursim të pagesave të kryera të kësaj takse, si më poshtë:

Për zhvendosjen brenda datës 30 qershor 2013, rimbursohen në vlerën 100% të pagesës së kryer nga hyrja në fuqi e kësaj takse;

Për zhvendosjen brenda datës 30 shtator 2013, rimbursohen në vlerën 50% të pagesës së kryer nga hyrja në fuqi e kësaj takse;

Për lojërat e tjera të fatit si, baste sportive, baste për gara në pistë, lotari kombëtare, bingo tradicionale dhe bingo televizive, niveli i taksës është 5000 lekë/muaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i ka ftuar këshilltarët e majtë të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe të bashkojnë votat me mazhorancën, për këtë vendim të rëndësishëm për qytetarët e Tiranës.

”Këtu ka tre mënyra për të vepruar, ne mund të votojmë pro të gjithë, ne mund të ndahemi në votë pro dhe kundër dhe mënyra e tretë është që për t’i ikur votës, të çohesh në këmbë e të bësh zhurmë. Secila prej mënyrave është në dorën tuaj, ky është një vend i lirë, është një qytet i lirë, ky është një këshill i lirë dhe demokratik. Thirrja ime, z.Kryetar i Këshillit, të nderuar anëtarë është votoni pro kësaj mase, të mbroni interesin qytetar, të dëgjoni zërin e qytetarëve dhe jo zërat e tjerë haluçinativë” – u shpreh z. Basha

Aktualisht, sipas Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit, në Bashkinë e Tiranës ushtrojnë aktivitet 20 kazino elektronike të licencuara, me 81 salla me kompjutera dhe makina elektronike, 7 subjekte të licencuara për baste sportive, me 801 pika shitjeje si dhe 10 bingo.

Vendimi i Bashkisë së Tiranës për grupimin në një zonë periferike të lojërave të fatit, u diktua nga pasoja të rënda shoqërore dhe komunitare që pasojnë këtë aktivitet. Shtrirja galoponte e lojërave të fatit në çdo rrugë, bllok banimi dhe lagje të Tiranës, krijon mundësi për të frekuentuar brenda një kohe fare të shkurtër dhe brenda një distance të papërfillshme njësitë e lojërave të fatit, duke sjellë një rritje shqetësuese të përdoruesve të tyre. Përdorimi i lojërave të fatit shoqërohet me probabilitetin e lartë të humbjes së mjeteve financiare, që në shumicën e rasteve merren nga buxhetet familjare.

Problematika shoqërore vijon më tej me grindjet brenda familjes, të cilat çojnë në dhunë, shpenzime të paautorizuara, vjedhje brenda familjes dhe brenda bllokut të banimit. Në një numër gjithnjë e në rritje rastesh, ky fenomen agravohet duke sjellë përdorimin e dhunës në ambientet e lojërave të fatit e më gjerë, si dhe shpeshtimin e precendentëve kriminalë, të tillë si, dhunë në familje, vjedhje me dhunë, kërcënime me armë të ftohta dhe të zjarrit si dhe përdorimin e tyre që kanë rezultuar në plagosje dhe humbje jete.

“Në përfundim të këtij votimi, që unë e konsideroj shumë të rëndësishëm për qytetin e Tiranës, më vjen keq që jo i gjithë Këshilli votoi, është e drejta e opozitës të votojë si të dojë por përdorimi i zërit të lartë për të fshehur kapjen nga klientela është vetëm një përshkallëzim i luftës politike dhe nuk i shërben interesit qytetar. Unë jam i lumtur, që me këtë vendim, qytetarët dhe qyteti shënuan një fitore“ - u shpreh Kreu i Bashkisë së Tiranës z. Basha. BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat