Ish - të përndjekurit në Shkodër e Pogradec

Shqipëria

Ish - të përndjekurit në Shkodër e Pogradec

Më: 17 tetor 2012 Në ora: 18:35

Ish-të përndjekurit dhe të burgosurit politik të Shkodrës dhe në Pogradec kanë kundërshtuar grevën e urisë që po mbahet në Tiranë nga ish-të burgopsurit politik. Ata thonë se kjo grevë urie e koordinuar nga njerëz të inkriminuar nuk i përfaqëson dhe se ata duhet ta lënë sa më parë këtë grevë.
“Greva e urisë, ngjason me një sajesë të porositur nga PS-ja për të krijuar një situatë antikombëtare për të penguar në cdo mënyrë marrjen e statusit të kandidatit për përfshirjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke zhvleftësuar edhe veprimtaritë për festimin e 100 vjetorit të pavarësisë, përvjetor i cili duhet ti bashkojë shqiptarët dhe jo ti ndajë.
Ne si shoqata nuk jemi dakort dhe nuk pajtohemi me deklarata publike që denigrojnë drejtuesit më të lartë të tre komuniteteve fetare që veprojnë në vendin tone, të cilët janë shembull në botë për mirëkuptimin e harmoninë në mes tre komuniteteve”, u shpreh Zenele Drangu, kryetar i Shoqatës së ish-të përndjekurve politik-Shkodër.
Drangu thotë se greva është plotësisht e politizuar nga Partia Socialiste dhe kjo, sipas tij, shihet qartë nga lidhja e disa grevistëve me strukturat e PS-së.
“Nuk jemi dakort dhe nuk pajtohemi me fjalorin e përdorur dhe të huazuar nga selia e PS-së kundër personave, insitucioneve demokratike shtetërore dhe përfaqësuesve të tyre. Së treti, nga zhvillimi i ngjarjeve të pasqyruara në media elektronike dhe ato të shkruara del qartë lidhja e një pjese të grevistëve me strukturat e PS-së, me ato struktuara të drejtuara nga z. Rama e Ruci të cilët kanë deklaruar faqe gjithë shqiptarëve se të përndjekurit politikë dhe ish pronarët nuk janë pjesë e programit dhe axhendës së Partisë Socialiste. Kjo parti nuk ka kërkuar akoma falje për vuajtjet, tmerret që kanë hequr të përndjekurit politikë dhe ish pronarët”, vlerësoi ai.
Madje, në këtë linjë, Drangu sqaroi se “ne jemi në dialog të vazhdueshëm, për kërkesa duke i diskutuar me strukturat përkatëse të shtetit në mënyrë që të përmirësohet, të përshpejtohet maksimalisht zbatimi i ligjit të miratuar dhe të shumëpritur nga ana jonë, por nuk mund të pranojmë të përdoremi politikisht nga ato që për 10 vjet në pushtet nuk dhanë asgjë dhe që pranonin vetëm amnistinë por jo pafajësinë tonë, nuk mund të pranojmë të bëhemi vegla dhe aq më pak pjesë e falangës Rama-Ruci”.
Për këtë arsye, në emër të shoqatës ai u bëri thirrje të sinqertë grevistëve dhe familjarëve të tyre të cilët nuk janë përlyer materialisht e moralisht, të dalin sa më parë nga kjo grevë e pakuptimtë dhe të presin një ngjarje historike, atë të 100 vjetorit të Pavarësisë.
E njëjta thirrje është bërë edhe nga ish-të përndjekurit politikë të shoqatës në degën e Pogradecit.
Të martën ish-të përndjekurit politike të Korçës akuzuan drejtuesit e PS-së, dhe kreun e FRD-së, Bamir Topin për oprganizim të grevës dhe keqpërdorim të shtresës së të persekutuarve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat