Gati transferimi i gjykatësve

Shqipëria

Gati transferimi i gjykatësve

Më: 24 tetor 2012 Në ora: 09:35

Ministri i Drejtësisë Eduart Halimi ka njoftuar se së shpejti do të nisë rishpërndarja e gjyqtarëve sipas një studimi të kryer nga misioni Euralius, që përcakton se gjykatat me më shumë volum pune duhet të kenë më shumë toga të zeza.

Sipas ministrit, bëhet fjalë për pothuajse 320 gjyqtarë në gjykatat e shkalles së parë dhe në Apel, që pritet të transferohen. Ministri i Drejtësisë preku edhe çështjen e inspektimit të disa dosjeve, që sipas tij qëndronin prej dy vjetësh të fjetura në KLD.

“Përgëzoj nënkryetarin aktual të KLD-së që bëri të mundur që dosjet e fjetura për proçedim disiplinor mbi gjyqtarët u vunë në lëvizje duke iu dërguar ministrit për të proçeduar gjyqtarët”, deklaroi Halimi.

Ndërsa ambasadori britanik Nicholas Cannon u shpreh se një nga çështjet më kryesore për momentin është miratimi sa më shpejt i ligjit për Gjykatën e Lartë.

“Mirëpres faktin që ligji për Gjykatën e Lartë është bërë gati nga palët. Shpresoj që ky ligj të miratohet në Parlament dhe të hyjë në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi zoti Cannon.

Këto deklarata u bënë gjatë publikimit të një sondazhi të kryer nga Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë dhe ambasda britanike në 14 gjykata, me tema si korrupsuioni, pavarësia e gjyqësorit dhe integriteti i sistemit të drejtësisë.

Në këtë sondazh janë anketuar 177 gjyqtarë të cilët u kanë dhënë përgjigje pyetjeve mbi korrupsionin, influencën e politikës, si dhe arsyet përse zvarriten proçeset gjqyësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat