Presidenti Obama uron Nishanin për festën e Kurban Bajramit

Shqipëria

Presidenti Obama uron Nishanin për festën e Kurban Bajramit

Më: 26 tetor 2012 Në ora: 19:46

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka marrë një mesazh urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama me rastin e Festës së Kurban Bajramit, në të cilin urohen të gjithë myslimanët anembanë botës për një Kurban Bajram sa më të gëzuar, duke uruar njëkohësisht ata që kanë përmbushur qëllimin e jetës së tyre për të bërë haxhillëkun.

“Ashtu si edhe në vitet e shkuara, mijëra amerikanë myslimanë ishin mes tre milionë pelegrinëve, të cilët u mblodhën në Mekë këtë vit me devotshmëri për t’u lutur. Teksa kremtojnë Kurban Bajramin së bashku me familjet dhe miqtë, myslimanët do t’u shpërndajnë gjithashtu ushqim njerëzve në nevojë, duke nxjerrë në pah rolin e rëndësishëm që luajnë bashkësitë fetare në shërbim të atyre që janë më të pafat. Anembanë botës, bashkësitë myslimane u janë bashkuar pjesëtarëve të besimeve të tjera fetare duke ndihmuar ata që janë prekur nga fatkeqësitë humanitare dhe ata që vuajnë nga uria, sëmundjet dhe konfliktet”- thueht në mesazhin e presidentit amerikan.

Mesazhi i Obamës vijon më tej: Ndërsa shërbejnë edhe që të na rikujtojnë për rrënjët e përbashkëta të feve të lindura nga Abrahami, Kurban Bajrami dhe haxhillëku nënvizojnë njëkohësisht edhe vlerat e përbashkëta të të gjitha feve të mëdha, përfshirë edhe rëndësinë e të ardhurit në ndihmë ndaj atyre që kanë më tepër nevojë për ndihmesë.

Në emër të popullit amerikan, ju uroj ju dhe popullit tuaj një Ditë të Shenjtë të gëzuar e të bekuar! Gëzuar Bajramin!”- përfundon urimi i presidentit të SHBA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat