Rikthehen në atdhe eshtrat e mbretit Zog

Shqipëria

Rikthehen në atdhe eshtrat e mbretit Zog

Më: 16 nëntor 2012 Në ora: 09:20

Në Shqipëri mbërritën sot pas 51 vitesh eshtrat e mbretit Zogu I të cilat do të prehen në Tiranë në një mauzole të ndërtuar së fundmi për të gjithë anëtarët e familjes mbretërore për tu varrosur në Tiranë. Në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar u prit me të gjitha nderimet shtetërore. Ai mbajt nga ushtarë të Gardës së Republikës dhe më pas u vendos në shtratin e një topi. Ndërsa të pranishëm, përvec familjarëve dhe mbështetwsve të monarkisë, ishin edhe ministra të qeverisë shqiptare. Arkivoli me eshtrat e mbretit Zogu I, do të qëndrojë sot pranë banesës së Familjes mbretërore ndërsa ceremonia e rivarrimit është parashikuar për ditën e nesërme.
Në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë qeveria ka parashikuar dhe vendosjen e një shtatore në bulevardin Ahmet Zogu, ndërsa nuk kanë munguar edhe zëra të shumtë kritikë. Nga njëra anë, ato lidhen me faktin se një shtet Republikë sic është Shqipëria, dhe institucionet e saj nuk mund t’i përkushtohen figurës së një monarku. Homazhet në nderim të mbretit Zog janë parashikuar të zhvillohen në residencën presidenciale,ndonëse ndërtimi i saj nisi nga vetë Zogu në 1936 I cili nuk mundi ta shihte të përfunduar. Po ashtu presidenti Bujar Nishani do të mbajë dhe fjalimin në ceremoninë funebre ku pritet të jetë edhe presidentja e Kosovës Ahtifete Jahjaga. Nga ana tjetër, mjaft historianë kanë deklaruar se në këtë përvjetor të rëndësishëm po i kushtohet më shumë vëmendje figurës së Zogut se sa eksponentëve kryesorë që cuan në shpalljen e pavarësisë.
Mbreti Zog u largua nga Shqipëria në prill të 1939, ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Pas përfundimit të luftës së dytë botërore regjimi komunist i ndaloi atij dhe famijes mbretërore rikthimin në atdhe. Mbreti Zog jetoi në mërgim deri sa u nda nga jeta në prill të 1961, në Paris. Në vitet ’90 princi Leka u përpoq për rkthimin e monarkisë në Shqipëri, por dështoi në referendumin e organizuar në 1997. Ai u nda nga jetë vitin e shkuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat