Tiranë, përurohet shtatorja e mbretit Zog I

Shqipëria

Tiranë, përurohet shtatorja e mbretit Zog I

Më: 24 dhjetor 2012 Në ora: 12:42

Është përuruar sot Shtatorja e Ahmet Zogut, e cila ka një lartësi prej 3 metrash dhe është vendosur në fund të bulevardit “Zogu I”, pranë Stacionit të Trenit në Tiranë.
Në ceremoninë e përurimit merrnin pjesë Kryeministri Berisha, Princi Leka i II dhe figura të njohura të politikës shqiptare.
Në fjalën e tij shefi i qeverisë vlerësoi figurën e Mbretit Zog dhe meritat që ai pati për zhvillimin e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, konsolidimin e institucioneve të pavarura, njohjen e Shtetit shqiptar në mbarë botën dhe ndërtimin e rrugëve e shkollave.
“Me emrin e tij janë të lidhura zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri. Me emrin e tij janë të lidhura konsolidimi i institucioneve të pavarura, njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur në mbarë botën. Janë të lidhura ndërtimi i mijëra e mijëra km rrugë, shkolla spitale në mbarë vendin. Në vitet e mbretërisë së tij vendi njohu zhvillim të paparecendetë”- theksoi kryeministri.


Më tej Kryeministri Berisha vlerësoi se Mbreti Zog qëndroi i palëkundur në anën e kombit, duke mbështetur Ismail Qemalin, në një kohë kur përgatitej shuarja nga harta e Evropës e shqiptarëve.
“Ahmet Zogu qëndroi i palëkundur në anën e shqiptareve. Pas shpalljes së pavarësisë ky pasardhes i njërës prej familjeve më të shquara shqiptare, në vitet më të vështira të vendit do i të qëndronte palëkundur në mbështetje të Ismail Qemalit, te ndertimit te shtetit te shqiptareve. Ne nje kohe kur në tryeza diplomatik po pergatitej shuarja per fare e shqiptareve nga harta politike e Evropes, Zogu me nje grup burrash te shquar te kombit organizoi Kongresin e Lushnjes, themeloi qeverine, e cila u tha ‘Jo’ te gjitha traktateve copetuese te Shqiperise”- deklaroi Berisha, i cili shtoi se Mbreti Zog jetoi e vdiq si antifashist i vendosur.

Nga ana e tij princi Leka ka falenderuar për nderimin që i bëhet mbretit, duke vendosur shtatoren e tij në Tiranë. Ai tha se kjo shtatore është tregues i kujdesit të qeverisë shqiptare për figurat e historisë së vendit.

Vendosja e shtatores së Mbretit Zog përkon me 88-vjetorin e triumfit të Legalitetit. Më 24 dhjetor 1924, Ahmet Zogu riktheu legjitimitetin e fituar në zgjedhjet e dhjetorit 1923, njëherësh rrëzimi i qeverisë së Nolit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat