AK: Berisha miliarder, privatizoi Shqipërinë në emër të tij

Shqipëria

AK: Berisha miliarder, privatizoi Shqipërinë në emër të tij

Më: 31 janar 2013 Në ora: 17:45

Aleanca Kuq e Zi, ka denoncuar sërish premtimet e pambajtura nga kryeministri Sali Berisha. Kuqezinjtë kanë shkuar sot në banesën ku Berisha ka jetuar deri në vitin 1992 dhe kanë vendosur në mënyrë simbolike një pllakat për t’u rifreskuar shqiptarëve kujtesën.

“Jemi sot këtu për të rifreskuar kujtesën e mbarë kombit shqiptarë mbi premtimet e pambajtura të shtetasit Sali Berisha, i cili drejton vendin jo me votat e shqiptarëve. 21 vjet më parë shtetasi Sali Berisha kur merrte detyrën e Presidentit të Republikës i premtoi shqiptarëve dy gjëra: E para ai premtoi se do të jetonte si qytetarë i thjeshtë, se do të ishte i barabartë me të gjithë, që do të jetonte në këtë lagje, njësoj si komshinjtë e tij. Sot të gjithë e dinë se si jeton shtetasi Sali Berisha, se sa i pasur është ai. Sot të gjithë e dinë që Sali Berisha ka privatizuar gjysmën e Shqipërisë, duke gllabëruar pronën publike dhe shpërndarë atë për interesat e tij personale. Sali Berisha nuk e fsheh dot më pasurinë e tij dhe ka shkelur premtimin e tij të parë me të gjitha format dhe metodat.

E dyta, Sali Berisha premtoi se do ta integronte Shqipërinë në Bashkimin Europian. 21 vjet me parë ai u zotua për këtë dhe sot të gjithë shqiptarët janë të ndërgjegjshëm se vetëm integrimin e Shqipërisë në BE shtetasi Sali Berisha nuk e ka realizuar”, ka thënë për mediat Augent Xhaferaj, përfaqësues i AK-së.

Kuqezinjtë kanë bërë thirrje që në 23 qershor, shqiptarët ti japin fund tjetërsimit të pasurive publike për interesa të Berishës dhe njerëzve pranë tij.

“Aleanca Kuq e Zi i bën thirrje shqiptarëve ti japin përgjigjen e merituar Sali Berishës me 23 Qershor, ta dërgojnë atë në pension dhe t’i hapin rrugën zhvillimit të vendit dhe ndërtimit të jetës cilësore, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë tjetërsimit të pasurive publikë për interesa personale të ngushta të shtetasit Sali Berisha dhe njerëzve të afërt me pushtetin e tij. Aleanca Kuq e Zi i premton mbarë shqiptarë se do të rivendosë në vend dinjitetin e çdo qytetari përmes standarteve të barabarta dhe ku pushteti të mos përdoret për interesa të ngushta për pasurimin e Sali Berishës, familjarëve të tij, miqve dhe ministrave të korruptuar deri në palcë”, ka përfunduar Xhaferaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat