Kuvendi seancë për Kosovën, PS s'merr pjesë. Berisha: Pavarësia, kryevepra e shqiptarëve

Shqipëria

Kuvendi seancë për Kosovën, PS s'merr pjesë. Berisha: Pavarësia, kryevepra e shqiptarëve

Më: 15 shkurt 2013 Në ora: 13:53

(I plotësuar) Kryeparlamentarja, Jozefina Topalli vlerësoi faktin së në këtë ditë të shënuar nderohet një nga fugurat që ka kontribuar për shtetin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Mirënjohje të thellë për vizionarin dhe projektuesin e Kosovës së pavarur, Ibrahim Rugovën. 100 vjetori i pavarësisë ka bërë të kuptojmë se ne duhet të bashkohemi me njeri-tjetrin në perspektivën tonë evropiane. Ne jemi më të lirë e më të vendosur se kurrë që të bashkohemi me njeri-tjetrin, të bashkohemi në Evropë”, vuri në dukje Topalli.

Por vlerësime dhe mirënjohje për këtë figurë erdhën dhe nga Kryeministri, Sali Berisha.

“Nderojmë 125 vite luftëra përpjekje të shqiptarëve të Kosovës kundër padrejtësive të projektuar kundër tyre, lufta për dinjitet kombëtar. Përulemi me nderimin më të madh para burrave e grave që ranë për tu bërë të pavdekshëm, që zëri i lirisë të mos shuhej kurrë. Nderojmë me respektin më të madh një nga personalitet më të shquara të historisë kombëtare, Ibrahim Rugovën”, u shpreh Berisha.

Por, mirënjohje të thellë, në vlerësimin e Kryeministrit, meritojnë dhe qytetarët dhe shtetarët e Kosovës që arritën në një hark kohor të shkurtër ta shndëronin Kosovën në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti rajonal.

“Në 5 vite të lirë Kosova ka shënuar arritje më shumë se Shqipëria në 50 vite diktaturë të saj”, u shpreh Berisha.

Ndërkohë që, në ligjeratën e tij, kreu i qeverisë shqiptare shprehu vendosmërinë për të mos hequr dorë nga nacionalizmi si projekti më i madh për të realizuar bashkimin e shqiptarëve me njeri-tjetrin dhe në këtë kontekst, Berisha i dha përgjigje të gjitha interpretimeve të tjera që përpiqen të sfumojnë këtë mision.

“Nacionalizmi ynë s'ka pretendime territoriale dhe nuk bazohet në doktrina shfarosëse, s'bazohet në fobira ndaj të tjerëve, por në vlerat me qytetare. Qëndrojmë krenarë në nacionalizmin tonë, në doktrinën e shqiptarësisë, në bashkimin me njeri-tjertin. Ne i qëndrojmë nacionalizmit, si projekti më i madh për të realizuar bashkimin e shqiptarëve me njeri-tjetrin”, u shpreh Kryeministri.

Fjala e Kryeministrit Berisha në seancën e posaçme në parlament, kushtuar 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës


Jemi sot, këtu, për të nderuar sëbashku një prej ngjarjeve më të rëndësishme në tërë historinë tonë kombëtare, për të nderuar pavarësinë e Kosovës, në 5 vjetorin e shpalljes së saj.

Pavarësia e Kosovës përbën pas luftës së Dytë Botërore dhe shembjes së perdes së hekurt, ngjarjen më të madhe jo vetëm në lirinë e shqiptarëve, por në lirinë e Ballkanit dhe lirinë e kontinentit. Ky akt madhor e bëri Ballkanin një gadishull të lirë, zhduku nga harta e Europës koloninë e fundit që kishte mbetur si pasojë e një padrejtësie ndër më të mëdhatë, padrejtësisë së copëtimit të kombit shqiptar, shkëputjes së Kosovës nga trungu i territoreve kombëtare të shqiptarëve.

Sot, ne nderojmë jo 5-vjetor, por nderojmë 125 vite e më shumë luftëra, përpjekje mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës kundër padrejtësive që u projektuan ndaj tyre, luftën e përpjekjen e tyre për liri e dinjitet kombëtar.

Sot, ne përulemi me nderimin më të madh para qindra e mijëra burrave e grave shqiptare të Kosovës që ranë për t’u bërë të pavdekshëm, në mënyrë që zëri i tyre i lirisë të mos mekej kurrë, flaket e lirisë të mos shuheshin kurrë, në këtë tokë shqiptare.

Sot, ne nderojmë me respektin më të madh burrin vigan të kombit shqiptar, një nga personalitetet më të shquar të historisë sonë kombëtare, më të rralla, më unike, ndofta në Ballkan e në Europë, Presidentin Ibrahim Rugova. Ne nderojmë presidentin e parë të Kosovës, sepse ky burrë i shquar, ky intelektual i madh u bë zëdhënës i pamposhtur i interesave kombëtare të shqiptarëve në Kosovë, në një kohë kur bëhej gjithçka që emri i saj dhe shqiptarët në Kosovë të arkivoheshin në banesën e harresës së historisë.

Ne nderojmë Presidentin Rugova, sepse, në një rast unik në historinë tonë kombëtare, në një rast unik të Ballkanit, por e vërteta edhe në Europë, ai zgjodhi rrugën paqësore, për të promovuar një kauzë të drejtë, çështjen e shqiptarëve të Kosovës. Ai zgjodhi më të vështirën, më të guximshëm, më qytetaren, për t’ju faktuar shqiptarëve, fqinjëve dhe kombeve të tjera të Europës se nacionalizmi shqiptar është një nacionalizëm kryekëput qytetar, nacionalizëm që bazohet në vlerat e lirisë, nacionalizëm që bazohet në shpirtin e lirisë, nacionalizëm që bazohet në interesin jetik kombëtar, nacionalizëm që nuk mund të mposhtet kurrë.

Ky burrë i madh, kauzën e drejtë të shqiptarëve, çështjen e drejtë të tyre e nisi jo nga pallatet e pushtetit, e nisi jo nga vende e troje të tjera, por e nisi nga një barakë në qendër të Prishtinës dhe mbi supe e çoi nga kancelaria në kancelari, nga parlamenti në parlament, gjersa e çoi atë në dhomën ovale të shtëpisë më të fuqishme të pushtetit mbi tokë, Shtëpisë së Bardhë. Pas luftës, ky tribun i nacionalizmit shqiptar u shndërrua në garantin kryesor të lirive dhe të të drejtave të qytetarëve shqiptarë dhe të të gjitha minoriteteve, serbe, malazeze, boshnjake, turke e të tjera, që jetonin në Kosovën e sapodalë nga lufta. Ai u shndërrua në garantin kryesor të ndërtimit të institucioneve demokratike të shtetit të lirë të Kosovës.

Zonja e zotërinj,

Çdo ditë e më shumë që kalon pavarësia e Kosovës, gjithnjë e më madhështore bëhet vepra, figura e arkitektit të saj, gjithnjë e më e çmuar mbetet testamenti i tij për paqen, bashkëpunimin rajonal e më gjerë.

Vetëkuptohet, doktrina e Presidentit Rugova lartësoi çështjen kombëtare të shqiptarëve dhe çështjen e drejtë të shqiptarëve në Kosovë, në të gjitha nivelet. Ajo natyrisht nuk mjaftonte për të nxjerrë Kosovën nga pushtimi, por ajo frymëzoi shqiptarët për të përmbushur detyrimet e tyre.

Në këtë kontekst, ne nderojmë e përulemi me nderimin më të madh para dhjetëra mijërave luftëtarëve të lirisë së Kosovës, burrave e grave, djemtë e vajzave që rrokën armët e vendosën të përballen me një armik barbar, të egër, mizor, në kushtet më të pabarabarta, për të dëshmuar se shpirti i këtij kombi nuk mposhtet kurrë.

Ne nderojmë sot, krye heroin e kombit shqiptar, Adem Jashari. Në histori, ne kemi pasur një komandant që për dinjitetin e tij hodhi në erë armiqtë, por nuk kemi pasur kurrë një burrë si ky, që për lirinë e dinjitetin e shqiptarëve ta shndërrojë Prekazin në një kështjellë të dytë, në një Krujë të dytë, të flijohet me të gjithë familjarët e tij, fëmijët, gratë e burrat, për të qëndruar me dinjitet para një armiku barbar. Kombet që nxjerrin burra si Adem Jashari, nuk mposhten kurrë. Kombet që nxjerrim burra si ai, nuk cedojnë në të drejtat e tyre, kurrë. Ne u detyrojmë atyre, sot, festimin e kësaj dite. Ne u detyrojmë atyre, sot, dinjitetin tonë kombëtar. Pa gjakun e tyre, pa sakrificën e tyre, pa martirizimin e tyre, ne shqiptarët do të kishim të mangët dinjitetin tonë. Liria kombëtare është liria supreme dhe pa të, njeriu është thjesht një skllav.

Zonja e zotërinj,

Sot është një ditë për të shprehur nderimin më të madh para miqve tanë, Presidentit të Shteteve të Bashkuara Bill Clinton, Kryeministrit britanik Toni Blair, Kancelarit të Gjermanisë e Presidenti të Francës dhe të gjithë atyre burrave, të cilët vendosën në vitin ’99, për ofensivën ajrore më të madhe që Aleanca e Atlantikut të Veriut ka ndërmarrë kundër regjimit të Sadamit të Ballkanit, Sllobodan Milloshevicit, për lirinë e shqiptarëve. Shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri e kudo që janë, janë e do t’i mbeten mirënjohës për jetë vendimit të këtyre burrave mendjendritur, Presidentit Clinton, që udhëhoqi Aleancën e Atlantikut të Veriut në një betejë fitimtare për NATO-n, fitimtare për shqiptarët, fitimtare për qytetërimin perëndimor, çlirimin e Kosovës.

Ne sot, në këtë sallë, duam t’i shprehim një mirënjohje të thellë të gjithë qytetarëve të Kosovës, udhëheqjes së saj politike që në një hark kohor të shkurtër 5-vjeçar ka arritur të konsolidojë Kosovën si shtet të pavarur, ta shndërrojë Kosovën në një faktor madhor paqeje, stabiliteti e bashkëpunimi rajonal.

Kosova në 5 vite liri ndërtoi dhjetëra herë më shumë se Shqipëria nën diktaturë, në 50 vite. Kjo është forca e lirisë dhe shfrytëzimi i saj.

Zonja e zotërinj,

Shpallja e pavarësisë së Kosovë përbën pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ngjarjen më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Por, në një aspekt, në qoftë se shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në mënyre të padiskutueshme kishte edhe faktorin konjukturor, shpallja e pavarësisë së Kosovës është kryevepra më e madhe e shqiptarëve, nga luftërat e Skënderbeut gjer në ditët e sotme. Ky akt bën e do të bëjë krenar çdo shqiptar kudo ku jeton sot, në Shqipëri, në Kosovë, në mbarë botën.

Sot është një ditë nderimi për shqiptarët në Shqipëri, për shqiptarët në diasporë, për shqiptarët kudo që janë, të cilët ditën të ngrihen në lartësinë e interesit të tyre kombëtar e në momentet më kritike për Kosovën u bashkuan si një komb i vetëm. Një komb-një qëndrim. Dhe bënë gjithçka për lirinë e saj.

Zonja e zotërinj,

Këto pesë vite kanë qenë shumë të rëndësishme për Kosovën. Në këto 5 vite, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës hodhi poshtë traktatet e copëtimit të trojeve shqiptare, padrejtësinë shekullore dhe njohu si legjitime pavarësinë e Kosovës. Në këto 5 vite, Kosova u anëtarësua në institucionet financiare kryesore të planet. Ajo është njohur tani në tërësi nga mbi 95 përqind e vendeve të botës së lirë, është njohur nga më shumë se gjysma e vendeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ajo është angazhuar në një proces serioz negociatash në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, është angazhuar në një proces serioz negociatash për integrimin e saj në Bashkimin Europian.

Shqipëria mbetet e vendosur për të zhvilluar marrëdhëniet më të shkëlqyera, më vëllazërore, më unike në historinë e dy vendeve. Ne mbetemi të vendosur të punojmë me qeverinë e Kosovës për zhvillimin e konsolidimin e mëtejshëm të identitetit kombëtar të shqiptarëve. Ne mbetemi të vendosur të bëjmë gjithçka që shqiptarët kudo që jetojnë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në diasporë e kudo, të ndjehen një e vetëm një, të ndjehen krenarë e të ndjehen shqiptarë.

Edhe një herë, nacionalizimi shqiptar është forca udhëheqëse e çdo qytetari të këtij vendi, e çdo politikani të këtij vendi, për të realizuar qëllimet më fisnike të kombit tonë, për të realizuar projektin e madh të integrimit në Europë, për të realizuar bashkimin e shqiptarëve njëri me tjetrin, për të realizuar aspiratat e shumë e shumë gjeneratave, të cilët u sakrifikuan për lirinë e dinjitetin kombëtar. Ky nacionalizëm nuk ka pretendime territoriale. Ky nacionalizëm nuk bazohet në doktrina shfarosëse, siç bazohen nacionalizmat që na rrethojnë. Ky nacionalizëm nuk bazohet në fobi ndaj të tjerëve. Jo! Ky nacionalizëm bazohet në vlerat më qytetare, është i themeluar jo nga çubrilloviçët që hartonin platforma eksterminimi të shqiptarëve, por nga frashëllinjtë, të cilët hartonin platforma të bashkëpunimit, të bashkëjetesës e të mirëkuptimit me fqinjët, natyrisht, të konsolidimit të identitetit kombëtar. Ndaj, edhe ne qëndrojmë krenarë në nacionalizmin tonë, qëndrojmë krenarë me doktrinën e shqiptarësisë si doktrinë kryekëput perëndimore e shqiptarëve, si platforma më e shkëlqyer e tyre për integrimin në Europë dhe bashkimin me njëri tjetrin.

Edhe një herë sëbashku le të urojmë çdo qytetar të Kosovës, të urojmë udhëheqjen politike, por edhe shqiptarët në mbarë botën, kudo që janë, gëzuar 5 vjetorin e pavarësisë së Kosovës! Gëzuar të gjithëve!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat