Vasili:Plani urbanistik, moment i rëndësishëm për qytetin

Shqipëria

Vasili:Plani urbanistik, moment i rëndësishëm për qytetin

Më: 16 shkurt 2013 Në ora: 18:13

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Petrit Vasili e ka cilësuar si një moment të rëndësishëm miratimin e planit urbanistik të kryeqytetit.
Në një konferencë për mediat, Vasili ka theksuar se një qytet i cili do të vazhdonte me ritmin e shfrenuar të betonizimit si më parë, detyrimisht kërkonte një përgjigje edhe për këtë.
“Besoj se plani me qëndrueshmërinë që garanton por edhe me mundësitë konkrete për të shumëfishuar sipërfaqet e gjelbëruara i ka dhënë përgjigje edhe këtij problemi shumë të rëndësishëm, edhe nga pikëpamja sociale por mbi të gjitha shëndetësore dhe për të ardhmen e breznive të reja që lindin e rriten në qytet, pse jo edhe për ata që në moshë të shtyrë kalojnë vitet e tyre në këtë qytet dhe ku vulnerabiliteti i tyre kërkon një qytet gjithnjë e më të shëndetshëm” theksoi Vasili.
Ai ka theksuar më tej se në të gjithë zhvillimet e tjera të ardhshme, Bashkia e Tiranës por edhe politika në tërësi duhet të ecë me këtë dimension të ri të konsultimit të vazhdueshëm me shoqërinë civile e qytetarët, pasi vetëm në këtë mënyrë veprat e menduara e të ideuara do të jenë në shërbim të tyre, nuk do të jenë produkt i grupeve të vegjël e të ngushtë njerëzish, ku sigurisht interesat e drejtpërdrejta e personale prevalonin mbi interesat e përgjithshme.
“Besoj se kemi hyrë në një fazë të re. Qyteti i njeh se cilat do të jenë zhvillimet e tij të ardhshme. Qytetarët janë tashmë më shpresë mëdhenj, pasi presin që qyteti i tyre të ketë një dimension gjithnjë e më shumë evropian dhe gjithnjë e më shumë hapësira e volume ku ata të ndërtojnë jetën e tyre por edhe për gjeneratat që do të vijnë. Besojmë se është bërë një investim i cili shkon përtej mandatit të një mazhorance politike, shkon për një të mirë afatgjatë të qytetit dhe besoj se edhe në të ardhmen veprime të tilla që qëndrojnë gjatë në kohë duhet të përbëjnë mënyrën e të punuarit për qytetin dhe vendin në tërësi” shtoi Vasili.
Ai shtoi se muajt që do të vijnë do të jenë muaj intensivë të fillimit të zbatimit konkret, edhe nëpërmjet planeve lokale që do të detajojnë gjithnjë e më në thellësi zhvillimet që do të ndodhin në secilën pjesë të qytetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat