Pavarësia e Kosovës, festimet në Tiranë

Shqipëria

Pavarësia e Kosovës, festimet në Tiranë

Më: 17 shkurt 2013 Në ora: 08:19

(I plotësuar) - Festimeve të 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës iu bashkua edhe Tirana, me një sërë aktivitetesh të organizuara nga Bashkia, por edhe të rinj e të reja nga shkollat e kryeqytetit. Në sheshin Skënderbej, qindra gjimnazistë dhanë një performancë spontane ose siç njihet në të gjithë botën me emrin 'flash mobe', shoqëruar nga ritmet e muzikës së këngëtares shqiptare, me famë ndërkombëtare, Rita Ora.

Në përfundim të performancës, pesë pëllumba të bardhë u lëshuan në fluturim në shenjë simbolike për pesë vitet e pavarësisë së Kosovës.

Urimi i të rinjve të kryeqytetit shqiptar për pavarësinë e Kosovës u mbajt paralel me dy aktivitete të tjera të ngjashme në Prishtinë dhe Shkup.

Në një tjetër atmosferë festive, zona pedonale në kryeqytet mblodhi me dhjetëra qytetarë në koncertin e organizuar nga Bashkia e Tiranës. Në skenën e improvizuar në qiell të hapur u ngjitën dj, grupe muzikore dhe këngëtarë nga Shqipëria e Kosova si Juliana Pasha, grupi 'Na' apo Valon Shehu.

Në Muzeun Kombëtar vazhdon të qëndrojë e hapur ekspozita me fotografitë e të rënëve dhe dëshmorëve gjatë luftës së Ushtrisë Clirimtare të Kosovës nga Kukësi, Hasi, Tropoja, Librazhdi Tirana etj.




Tirana feston sot Pavarësinë e Kosovës

Në kuadër të festimeve për 5-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Bashkia e Tiranës do të organizojë sot një sërë aktivitetesh kulturore përgjatë rrugës "Murat Toptani", duke nisur nga ora 11.00 deri në orën 20.00. Këngëtarët më të mirë, grupet më të suksesshme do të performojnë sot, në 5-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Të gjithë qytetarët e Tiranës që duan të festojnë sot Pavarësinë e Kosovës do të kenë mundësi të shijojnë muzikën më të mirë të vendit dhe të huaj. Drejtori i Drejtorisë së Artit dhe Kulturës në Bashkinë e Tiranës, Arben Skënderi bëri të ditur dje axhendën e aktiviteteve dhe artistët pjesëmarrës.

"Pesë vjet më parë, kombi shqiptar festonte Pavarësinë e Kosovës dhe ja, pesë vjet më pas, kjo datë e shënuar po afron. Nesër, data 17 është festa e të gjithë shqiptarëve e jo vetëm e Kosovës. Bashkia e Tiranës ka vendosur ta festojë dhe këtu, në një formë shumë të hareshme, shumë të gëzueshme.

Festojmë të gjithë qytetarët, gjithë artdashësit, me këngëtarët që siç e shikoni jemi së bashku këtu! Gjatë gjithë ditës, që nga ora 11.00, tek rruga pedonale e deri në orët e para të mbrëmjes do të ketë aktivitete nga më të ndryshmet, një koncert madhështor me Juliana Pashën, Vedat Ademin, Valon Shehun, Marselën, me grupin NA dhe shumë të tjerë", tha Skënderi. Ndërsa ftoi të gjithë qytetarët të festojmë së bashku 5-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Skënderi tha se, "do të jetë Cirku i Tiranës që do të na dhurojë një spektakël të magjishëm e do të kemi shumë surpriza të tjera për qytetarët e Tiranës, në mënyrë që kjo festë të ndihet në mbarë trojet shqiptare. Sigurisht që festa nesër do të jetë e përqendruar në Kosovë.

Bashkia e Tiranës, Tirana, kryeqyteti ynë që e ka mbështetur dhe gjithë ky komunitet këtu duhet që patjetër të vijë të festojë me ne! Nesër është një ditë e shënuar, ndaj kjo ditë duhet mbajtur mend dhe ne duhet të mblidhemi të gjithë, për ta festuar sa më hareshëm".

Përfaqësues të grupit NA kanë falënderuar Bashkinë e Tiranës, e cila u dha mundësi që sot të festojnë me qytetarët e Tiranës këtë ditë të madhe për kombin shqiptar. "Edhe ne si artistë jemi të kënaqur. Të festojmë së bashku këtë ditë! Është një event i rëndësishëm si për shqiptarët e Kosovës, por gjithashtu edhe për shqiptarët e Shqipërisë, është një çështje që e kemi ndjekur të gjithë me shumë zemër. Ne do të japim kontributin tonë, në mënyrën më të natyrshme që na vjen e që është muzika. Ne jemi shqiptarë të Kosovës e nuk mund të jemi në Kosovë për ta festuar nesër, kështu që e falënderoj shumë Bashkinë, për organizimin e këtij eventi nesër, për të festuar Pavarësinë e Kosovës", tha përfaqësuesi i grupit muzikor NA.

Kengetarja Marsela Cibukaj, duke folur gjate nje konference shtypi, ku ka komentuar ne lidhje me axhenden e aktiviteteve dhe artistet pjesemarres, me rastin e 5 Vjetorit te Shpalljes se Pavaresise se Kosoves.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat