PD: Partia e re e Ramës me program si të Nastradinit

Shqipëria

PD: Partia e re e Ramës me program si të Nastradinit

Më: 23 shkurt 2013 Në ora: 21:19

Partia Demokratike ka reaguar pas prezantimit dyditor të programit në Konventën e Partisë Socialiste. Përmes një deklarate për mediat zëdhënësja e kësaj aprtie Laura Vorpsi është shprehur se në pallatin e kongreseve u legjitimua asgjësimi i plotë i PS dhe u themelua Partia e Re Rama, një amalgamë e pinjollëve të bllokut Hoxhist me 99-shat dhe Rama me mjaftin e tij, i cili për mashtrimet dhe trillimet mund të quhej programi i Nastradinit.
“Prej dy ditësh Partia Socialiste e Shqipërisë kundërshtarja tradicionale 20 vjecare e Partise Demokratike në të gjitha betejat elektorale kaloi në ilegalitet por tashmë jo në male apo budrume, por ajo u ndrydh në botën virtuale apo atë të facebook-ut për të mos dalë dot më prej saj. Personazhet që recitonin programin e partisë Rama i cili për mashtrimet dhe trillimet mund të quhej programi i Nastradinit, drejtoheshin nga nënkryetari Erion Velia njeriu që pasi ndërtoi vila familjare me paratë e Mjaftit, vodhi kompjuterin e financave të kësaj organizate për të fshehur gjurmët e vjedhjes së tij nga Olta Xhacka apo Miss Gjallica e Mjaftit dhe nga Ilir Beqja që me baxhanakun e “shokut Rama” ndanë qindra milionë lek të takspaguesve të Tiranës për cka, dhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese ju hoq mandati i deputetit. Partia Demokratike shpreh keqardhje që për herë tv parë pas 20 vjetesh, në betejen elektorale të 23 Qershorit, nuk do të ketë përballë opozitën e vërtetë socialiste”.
Por PD sipas Vorpsit ajo garanton socialistët e thjeshtë Shqiptarë se interesat e tyre qytetare nuk do të mbeten jetime dhe se në zgjedhjet e 23 qershorit së bashku do ti rezevojmë “partisë Rama” apo partisë së Re të një grupi të vogël të pinjollëve të bllokut, 99-shave dhe Mjaftucëve të z.Rama fatin që i rezervuam G99-tës në zgjedhjet e shkuara parlamentare.
“Duke e lënë të majtën shqiptare të merret me vetveten dhe duke mos hyrë në punët e brëndshme të partive të tjera, Partia Demokratike duke uruar z.Rama për Partinë e re shpreh vullnetin e plotë se është e gatshme dhe e hapur të bashkëpunojë me “Partinë e re Rama”, për te krijuar infrastukturën dhe klimën më të mire parazgjedhore në mënyrë që shqiptarët me 23 qershor 2013 të kenë zgjedhjet më të mira në historinë e Shqipërisë”- vijoi ajo.
“Ne jemi të bindur se ky bashkëpunim dhe kjo klimë mirëkuptimi me Partine e re Rama mund të bëhet realitet në të mirë të Shqiptarëve, pasi për hir të së vërtetës, kjo nuk është hera e parë që ne kemi bashkëpunuar me këtë parti. Kujtojmë këtu bashkëpunimin e shkelqyer dhe efikas që PD pati me “Partinë e re Rama”, me Mjaft -in dhe G99-tën ne vitin 2005 për të permbysur qeverinë Nano. Ne ia dolëm atëherë, pse mos ia dalim dhe tani t’u japim Shqiptarëve zgjedhjet më të mira, më të ndershme dhe më të lira në historinë e Shqipërisë”-përfundon deklarat e PD-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat