Përvjetori i Lidhjes së Lezhës

Shqipëria

Përvjetori i Lidhjes së Lezhës

Më: 2 mars 2013 Në ora: 19:23

Është përkujtuar në Lezhë përvjetori i Besëlidhjes së Lezhës me dy aktivitete të organizuara nga bashkia e qytetit dhe Aleanca Kuqezi.

Këtë vit protokolli i organizimit ishte i ndryshëm nga vitet e kaluara. Festimet e organizuara nga bashkia u përqendruan në Memorialin e Skënderbeut, ndërsa pranë obeliskut ishin mbledhur simpatizantë të Aleancës Kuqezi.

Në ceremoninë e pushtetit vendor merrnin pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare dhe u mbajtën edhe fjalime. Në sheshin e Obeliskut drejtuesi i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu bëri thirrje për pjesëmarrje në marshimin e 7 prillit kundër qeverisë.

Duke u ndalur në përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës Spahiu deklaroi se kjo lidhje dëshmoi se pa bashkimin midis shqiptarëve nuk mund të përballohen sfidat e lirisë, pavarësisë dhe përparimit të një kombi të vogël përballë një perandorie të madhe, të dhunshme e barbare.

Më pas simpatizantët e Aleancës Kuqezi kanë marshuar me flamuj drejt Memorialit të Heroit Kombëtar. Gjatë rrugës ata kanë hedhur edhe parrulla kundër kryeministrit. Marshimi i tyre është ndalur në portën e memorialit të cilin përfaqësuesit e bashkise së Lezhës ishin kujdesur për ta kyçur në këtë përvjetor edhe pse sic thonë aktivistët e Aleancës Kuqezi, memoriali gjatë gjithë vitit qendron i hapur.

Në portën e mbyllur drejtuesit e Aleancës Kuqezi dhe simpatizantët e kësaj partie kanë vendosur flamuj kombëtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat