Skandali me qumështin, ministrat Ruli e Panariti sulmojnë Kosovën: E bëri për konkurrencë

Shqipëria

Skandali me qumështin, ministrat Ruli e Panariti sulmojnë Kosovën: E bëri për konkurrencë

Më: 4 mars 2013 Në ora: 20:19

Dy ministrat shqiptarë, ai i Bujqësisë, Genc Ruli dhe ai i Jashtëm, Edmond Panariti, kanë sulmuar Kosovën, duke thënë se kjo e fundit shkaktoi zhurmë pa baza mbi cilësinë e qumështit shqiptar, vetëm si pasojë e konkurrencës.

“Duke kuptuar qartë se çështja e aflatoksinës nuk lindi si një problem dhe përkujdesje ndaj mbrojtjes, shëndetit të konsumatorit, por si një luftë e pandershme tregtare mes vendeve të rajonit ne kemi për detyrim politik, por dhe profesional të mbrojmë nga goditje të tilla jo vetëm thjesht industrinë tonë moderne të përpunimit dhe të ambalazhimit të qumështit, por çka është më e rëndësishme të mbrojmë dhe interesat e jo më pak se 20 mijë fermerëve shqiptarë”, tha Ruli.

Panariti nga ana tjetër e ka quajtur alarmin e autoriteteve kosovare thjesht spekulative dhe pengesë artificiale për qarkullimin e lirë të mallrave mes dy vendeve.

“Javën që vjen kam ndërmend që me ministrin Hoxhaj të nënshkruaj një protokoll të bashkëpunimit ekonomik me Republikën e Kosovës. Qëllimi është që ne të krijojmë hapësira sa më të mëdha të një tregu të përbashkët, ku te kemi qarkullim të lirë të mallrave, përfshirë këtu edhe produktet me origjinë shtazore, pa pengesa artificiale, siç ishte kjo pengesa e fundit, e cila ishte bërë thjesht për qëllime tregtare“, tha Panariti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat