Aldrin Dalipi propozohet nga PS e LSI në krye të këshillit Bashkiak të Tiranës

Shqipëria

Aldrin Dalipi propozohet nga PS e LSI në krye të këshillit Bashkiak të Tiranës

Më: 17 prill 2013 Në ora: 13:03

Partia Socialiste ka zyrtarizuar sot aleancën me LSI-në në këshillat vendorë si dhe kërkesën për shkarkimin e kreut të këshillit bashkiak të Tiranës Njazi Kosovrasti.
Këshilltarët e majtë kanë kërkuar mbledhjen e këshillit bashkiak jashtë radhe ndërsa kanë propozuar që Aldrin Dalipi të zëvendësojë Njazi Kosovrastin si kryetar i këshillit bashkiak të Tiranës.
Mësohet se kërkesën e kanë firmosur të gjithë këshilltarët e LSI-së dhe PS-së ndërsa e kanë akuzuar Kosovrastin për drejtim jo korrekt të këshillit bashkiak të kryeqytetit.
Ndërkohë më herët, duke folur në takimin e organizuar me këshilltarët e majtë, Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri ka deklaruar se në këtë mënyre do të synohet garantimi i votës.
“Ju e patë në Kuvend dhunën e Berishës për të delegjitimuar institucionet e pavarura. Është e njëjta dhunë që demonstrohet edhe në rrugë. Vjedhje jo vetëm e mandatit të anëtarit të KQZ, por ndaj pavarësisë funksionale të institucionit suprem që ushtron zgjedhjet. Të gjithë ata që e kanë çuar nëpërmend se mund të manipulojnë zgjedhjet, se me votën e qytetarëve mund të bëjnë çfarë të duan, ne sot u deklarojme se afirmojmë vullnetin tonë për ta kthyer sistemin vendor të denjë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, votën e qytetarëve” tha Tahiri.
Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së, Shezai Rrokaj ka theksuar se ky vendim vjen pas cënimit të KQZ-së që është institucioni i cili garanton votën dhe sipas tij shumica që krijohet tashmë në këshillin bashkiak synon pikërisht mbrojtjen dhe garancinë e votës së qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat