Holtkemper: Zgjedhjet, proces teknik, KQZ me katër anëtarë është problematike

Shqipëria

Holtkemper: Zgjedhjet, proces teknik, KQZ me katër anëtarë është problematike

Më: 14 qershor 2013 Në ora: 19:50

Zërave të shumtë të faktorit ndërkombëtar sa i përket zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, i është shtuar edhe Ambasadorja gjermane Carola Müller-Holtkemper. Në një intervistë për DW Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri thotë se faktori ndërkombëtar po ndjek me interes të madh përgatitjet zgjedhore dhe zhvillimin e fushatës zgjedhore.
“Ne po ndjekim me interes të madh përgatitjet zgjedhore dhe zhvillimin e fushatës zgjedhore. Përveç disa ngjarjeve të veçuara fushata elektorale ka rrjedhur deri më tani relativisht e qetë. Të papranueshme mbeten gjithsesi përplasjet dhe sulmet ndaj kandidatëve të partive të veçanta. Nëse rreth tyre ekziston një dyshim i mjaftueshëm fillestar për ushtrimin e një vepre penale, u behet apel autoriteteve shqiptare të ndjekjes penale t’i ndjekin më tej këto dyshime”tha ajo.
E pyetur për situatën e krijuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, Carola Müller-Holtkemper thotë:
“Në këndvështrimin tonë një KQZ me vetëm katër anëtarë, në vend të shtatë, është problematik për shumë arsye: Jo vetëm për faktin se opozita nuk është e përfaqësuar në KQZ dhe që katër persona duhet tanimë të ndajnë punën e shtatë vetëve – por vështirësia kryesore qëndron para së gjithash në faktin, që disa vendime të caktuara të KQZ, përfshirë këtu vendimin zyrtar për rezultatin përfundimtar dhe shpërndarjen e mandateve kërkojnë një shumicë të cilësuar. Do të shihet më tej, a do ta dëmtojë ky aspekt realizimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare, dhe eventualisht deri në çfarë mase. Realizimi i zgjedhjeve duhe të jetë, pra, një çështje thjeshtë dhe vetëm teknike”.
Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri ka përshëndetur votimin e dy ligjeve dhe rregulloren e brendshme të parlamentit, ndërsa thekson se vendimtar nuk është vetëm miratimi formal i ligjeve, por edhe implementimi faktik i tyre. Konkluzionet e dhjetorit, thotë Holtkemper, “vënë theksin në realizimin e zgjedhjeve parlamentare si një test shumë më i rëndësishëm për funksionimin joproblematik të institucioneve demokratike në Shqipëri. Ne shpresojmë që Shqipëria ta kalojë me sukses këtë test”.
Më herët edhe ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu nga Fieri kritikoi klasën politike për mos gjetjen e një konsensusi për konstituimin e KQZ-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat