Gara e brendshme për kryetarin e Partisë Demokratike

Shqipëria

Gara e brendshme për kryetarin e Partisë Demokratike

Më: 14 korrik 2013 Në ora: 15:40

Në takimin me anëtarësinë e PD-së në Elbasan, Sokol Olldashi tha se ringritja nuk fillon nga kryetari i ri, por nga institucionalizimi i marrëdhënies me qelizën bazë, militantët. Ai tha se në statutin e partisë duhet përcaktuar mekanizmi i rezultatit dhe i karrierës.
“Ringritja, fillimi i ri i partisë demokratike nuk fillon nga kryetari i ri, fillon nga insitucionalizimi i marrëdhënies me qelizën bazë të partisë, asnjeë organizëm nuk mund të funksionojë nëse nuk funksionon qeliza baze, nëse nuk funksionon ADN-ja . Dhe ADN-ja e Partisë Demokratike nuk është kryetari, nuk është kryesia, nuk është këshilli kombëtar, është demokrati i thjeshtë. Partia demokratike duhet të ndërtojë me shpejtësi inventarin e kontributeve për secilin anëtarë të saj. Vetëm kështu do të jemi në gjendje që t’i japim gjithsecilit meritën që ka”, u shpreh Olldashi.
Kandidati për kryetar të PD-së, vuri theksin tek një veprim i fortë opozitar, për t’iu rikthyer sa më shpejt fitores.
“Shikoni, çfarë po ndodh me administratën. Kanë deklaruar për vite me radhë që ky vend ka 1 milion të papunë dhe sot deklaruan që ka vetëm 5 mijë e 300 aplikime në partinë socialiste. Ku janë 1 milion të papunët ?! E gjithë piramida e gënjeshtrave elektorale të Edi Ramës do të fillojë të çmontohet një e nga një. Ne duhet të vazhdojmë dialogun më intensiv të mundshëm me qytetarët shqiptarë për të rrëzuar çdo skemë, çdo premtim, çdo politikë të shpallur, gjoja prej tyre”, theksoi ai.
Sokol Olldashi, pati takime edhe me demokratët në Cërrik dhe Gramsh, ku prezantoi platformën në garën për kryetar të ri të Partisë Demokratike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat