Përfundon “odiseja” zgjedhore, KQZ shpall nesër rezultatin përfundimtar

Shqipëria

Përfundon “odiseja” zgjedhore, KQZ shpall nesër rezultatin përfundimtar

Më: 5 gusht 2013 Në ora: 18:42

Nëse gjithçka shkon mirë, odiseja e zgjedhjeve pritet të marr fund të martën. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e ditës së nesërme pritet të shpallë të martën rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve te 23 qershorit 2013.
Në mbledhjen e nesërme të KQZ-së do të miratohen edhe modelet e vendimeve dhe dokumentacionit të punës, të cilat do të përdoren nga KZAZ-ja dhe KQV-të për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të Komunës Dardhas, Qarku Korçë dhe për kryetarin e Komunës Rrethina, Qarku Shkodër, të datës 1 shtator 2013.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e martë, më datë 06.08.2013 ora 14:00 zhvillon mbledhjen me këtë rend dite:- Projekt-vendim: “Për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë 2013, të datës 23 Qershor 2013”.
-Projekt-vendim: “Për miratimin e modeleve të vendimeve dhe dokumentacionit të punës, të cilat do të përdoren nga KZAZ-ja dhe KQV-të, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Komunës Dardhas, Qarku Korçë dhe për kryetarin e Komunës Rrethina, Qarku Shkodër, të datës 01 Shtator 2013”.
-Projekt-vendim: “Për shqyrtimin e kërkesës së Avokatit të Popullit, për konstatimin e pavlefshmërisë apsolute të aktit administrativ të vendimit 503, datë 03.06.2013, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve” thuhet në njoftimin e KQZ për mediat.
Tre ditë më parë Kolegji Zgjedhor realizoi shpërndarjen e mandateve për 12 qarqet e vendit me kërkesë të Partisë Socialiste, si rrjedhoje e mungesës së kuorumit të duhur për këtë vendimmarrje në KQZ-së, fakt që është pranuar edhe nga vetë KQZ.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat