PD akuza për vjedhje votash, Vorpsi: Lezha, damka e turpit të fitores së PS

Shqipëria

PD akuza për vjedhje votash, Vorpsi: Lezha, damka e turpit të fitores së PS

Më: 6 gusht 2013 Në ora: 19:18

Pas shpalljes se rezultatit te zgjedhjeve nga KQZ, PD permes nje deklarate per shtyp ka akuzuar PS per vjedhje te votave dhe zgjedhje te manipuluara. Zëdhënësja e kësaj partie, Laura Vorpsi, ndërsa vlerësoi se KQZ përmbylli një proces zgjedhor i cili shënoi arritje në lidhje me standardet e organizimit, theksoi se Partia Socialiste ushtroi presion dhe mbi Kolegjin zgjedhor per te marre vendime ne favor te saj.
“Me vendimin e sotëm formal të votuar nga katër anëtarë, KQZ përmbylli një proces zgjedhor i cili shënoi arritje, në lidhje me standardet e organizimit, dëshmoi vullnetin pozitiv të mazhorancës për organizimin e zgjedhjeve sipas standardeve, përkundrejt minimit që PS i bëri procesit, duke tërhequr anëtarët nga KQZ. Vendimi i sotëm dhe vullneti i dëshmuar i PD dhe aleatëve të saj, për një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor nuk mund ta shlyejë vulën e turpit, me vjedhjen e votave që u provua në sytë e publikut dhe vëzhguesve vendas e ndërkombëtarë” tha ajo.
Në vijim të deklaratës së saj Vorpsi tha se ishte Lezha, që i vuri edhe damkën e turpit zgjedhjeve. Ajo theksoi se PS, që në fillim i shpalli luftë organit më të lartë të zgjedhjeve KQZ-së në mënyrë sistematike.
“Në Lezhë, PS tentoi t’i vidhte një mandat PD, që të arrinte shumicën e cilësuar me 84 vota, njësoj siç bëri me Dushkun, në 2001. Në Shkodër u zbuluan qindra vota të vjedhura nga koalicioni PS-LSI. Një transparencë e plotë, e bazuar në provat që disponohen, do tregonte qartë mënyrën se si Partia Socialiste tjetërsoi votën e qytetarëve, pas angazhimit për fitore me çdo mjet, përfshirë përdorimin e parave të pista dhe angazhimin e kontigjentëve kriminalë. Lezha i vuri damkën e turpit fitores së Partisë Socialiste, ashtu sikurse Dushku në 2001! Që nga fillimi, PS i shpalli luftë KQZ, organit më të lartë për organizimin e zgjedhjeve dhe këtë e bëri në mënyrë sistematike, të qëllimshme dhe antikushtetuese. Qëllimi i PS ishte i thjeshtë, të shndërronte në organ të vetëm për zgjedhjet Kolegjin Zgjedhor, të cilin siç edhe u dëshmua e kontrollonte lehtësisht. Për fat të keq, Kolegji kapitulloi para presioneve cka u dëshmua publikisht përmes njëanësisë së tij, duke pranuar çdo kërkesë të bërë nga PS dhe LSI. Kolegji vendosi hapur dy standarde në gjykim, duke anuluar “de facto” kapituj të tërë të Kodit Zgjedhor me vendimet e tij dhe duke shkelur Kushtetutën, me vendimin për shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve” nënvizoi zëdhënësja e PD.
Në përfundim Vorpsi deklaroi se Partia Demokratike është e vendosur për transparencën e shkeljeve dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve të këtyre shkeljeve.
“Pa këtë proces demokracia dhe shteti ligjor do të futen në një spirale të rrezikshme dhe me pasoja të rënda për fatet e vendit dhe të cdo qytetari Shqiptar!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat