PS e PD duhet t'ia kthejnë lekët KQZ-së

Shqipëria

PS e PD duhet t'ia kthejnë lekët KQZ-së

Më: 10 gusht 2013 Në ora: 14:52

Nga 66 parti politike, sa morën pjesë në zgjedhjet e fundit lokale në Shqipëri, 59 prej tyre i janë borxhli shtetit dhe duhet t’i kthejnë lekët e marrë paradhënie përpara votimeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve korrektoi dje shifrat e partive në raport me votat e vlefshme të marra në zgjedhjet e fundit parlamentare, nga ku rezulton se vetëm shtatë parti kanë marrë më shumë vota se katër vjet më parë dhe nuk kanë gjoba për të shlyer në KQZ. Në total, partitë duhet të kthejnë në arkën e institucionit që administron zgjedhjet 17.8 milionë lekë, ndërsa kjo e fundit duhet t’iu japë 7 partive 3.8 milionë lekë. Pas nxjerrjes së numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, rezulton se një votë për një parti politike i ka kushtuar KQZ-së 40 lekë. Në krye të partive që i detyrohen financiarisht KQZ-së është Partia Demokratike, e cila duhet t’i kthejë shtetit 8.4 milionë lekë. Kjo forcë politike mori para zgjedhjeve 25.6 milionë lekë, por në përfundim të tyre rezultoi se ka marrë 82 mijë vota më pak se katër vjet më parë. Kësaj diference votash i shtohet edhe një gjobë prej 4 milionë lekësh që PD-ja ia ka KQZ-së për shkak të mosplotësimit të barazisë gjinore, duke e detyruar atë të kthejë në KQZ 8.4 milionë lekë. Forca e dytë politike që duhet të kthejë lekë në arkën e shtetit është Partia Socialiste. Megjithëse në raport me katër vjet më parë kjo parti ka marrë 93 mijë vota më shumë, i duhet të paguajë një gjobë prej 6 milionë lekësh për shkak të mosplotësimit të kushtit të barazisë gjinore. Në këtë mënyrë, PS-ja duhet të kthejë 3.4 milionë lekë. Në listën e partive që duhet të kthejnë lekët janë me radhë PDS e Milos, PSD e Gjinushit, agrarët e Zhuvelit dhe LZHK e Shehit.

Ndërkaq, në krye të listës së forcave politike që përfitojnë fonde për arsye të rritjes së numrit të votave të tyre është Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Kjo forcë politike, me një rritje prej 30 mijë votash në krahasim me katër vjet më parë, do të përfitojë 1.1 milion lekë. Në listën e partive përfituese janë edhe FRD e AK, të cilat nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 2009-s. Në të njëjtën kohë, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila në krahasim me katër vjet më parë ka një rritje me 107 mijë vota, përfiton vetëm 149 mijë lekë, për shkak se i duhet të paguajë një gjobë prej 4 milionë lekësh, pasi nuk përmbushi detyrimin e barazisë gjinore në katër qarqe të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat