MPJ dënon dhunën në Kajro: Zgjidhje përmes dialogut

Shqipëria

MPJ dënon dhunën në Kajro: Zgjidhje përmes dialogut

Më: 15 gusht 2013 Në ora: 19:46

Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar lidhur me dhunën e përgjakshme në Egjipt, e cila la pas një bilanc tragjik viktimash.
Përmes një deklarate për mediat MPJ deklaron se po e ndjek me shqetësim situatën në Egjipt, ndërsa dënon dhunën e ushtruar ndaj protestuesve në Kajro. MPJ shpreson për ndaljen sa më parë të dhunës, për ti hapur rrugë dialogut për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët.
Dhuna e së mërkurës vuri përballë ushtrinë e Egjiptit dhe qeverinë aktuale kundër mbështetësve të presidentit të rrëzuar, Mohammed Morsi.
Të paktën 525 persona janë vrarë gjatë dhunës së djeshme, raporton televizioni shtetëror, duke cituar zyrtarë të emergjencave në Egjipt.
Por një zëdhënës për Vëllazërinë Myslimane, e cila kërkon rikthimin në post të ish-presidentit Mohamed Morsi, ka theksuar se 2600 persona kanë vdekur pasi policia qëlloi me armë mbi turmën e demonstruesve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat