Kryeqyteti i marijuanës nuk është Amsterdami, është Lazarati

Shqipëria

Kryeqyteti i marijuanës nuk është Amsterdami, është Lazarati

Më: 16 gusht 2013 Në ora: 18:53

Herën e fundit që policët u përpoqën të hynin në komunën Lazarat, verën e kaluar, u përballën me një betejë të ashpër në shkëmbimin e zjarrit me banorët e zonës, tregon një burim i policisë. Duke ruajtur anonimatin, ai thotë se ka qenë pjesë e një operacioni të forcave speciale, gjatë të cilit njësitë e snajperave u përpoqën të arrestonin një grup njerëzish që punonin në fushat përreth fshatit.

Natyrisht që nuk ishin fusha të zakonshme: Lazarati është i njohur si kryeqyteti i drogës në Shqipëri, i famshëm për kultivimin e kanabisit dhe për shkeljet e përsëritura të ligjit.

Të mbjellat vjetore grumbullojnë të paktën 6 miliardë dollarë, sipas policisë financiare italiane. Megjithëse policia lokale e kundërshton këtë shifër, ajo pranon se prodhimi i marijuanës është në lulëzim. Bastisjet e vitit të kaluar zgjatën pak. Kur oficerët filluan t’i rrëzonin bimët e kanabisit, disa automjete tip“15 SUVs”, mbi të cilat ishin montuar mitralozë, nisën të qëllonin.

“Po na qëllonin nga 20 pozicione të ndryshme, me mitralozë dhe raketa kundra-tank. Madje pashë një gjyshe rreth të 70-ave duke shtënë mbi ne një mitraloz të rëndë. Mendova se s’do të dilja i gjallë që aty”, thotë oficeri i policisë. E shqetësuar se mund të kishte viktima civile, policia u tërhoq pasi snajperat e saj nxorën jashtë loje “SUVs”-at. Nuk u kthye më atje, shkruan globalpost.

Trafikantët e drogës kanë investuar fonde të konsiderueshme nëpër fushat e Lazaratit këtë vit, duke marrë shkas edhe nga vakuumi i pushtetit politik, në një kohë kur qeveria e re është në formim e sipër, pas zgjedhjeve të zhvilluara qershor.
Agjencitë e zbatimit të ligjit kanë ndërmarrë shumë pak masa parandaluese, duke favorizuar kështu tregtinë e paligjshme e Lazaratit. “Çdo lëvizje e mundshme kundër fshatit tani mund të shkaktojë një luftë gjaku”, shton ai.

Nga ana tjetër, policia ka kaluar një pjesë të mirë kohe këtë verë, duke ndaluar kamionët me ujë që të hynin në fshat dhe duke arrestuar punëtorët që punojnë në fushat e kanabisit. Gjithashtu janë konfiskuar disa ngarkesa kanabisi në anije që përgatiteshin për të dalë jashtë kufijve. Vitin e fundit, ngarkesa e konfiskuar në kufijtë shqiptarë arriti në 15 tonë marijuanë, po ashtu 10 tonë të tjerë janë kapur në kufij të ndryshëm.

Kanabisi zakonisht mbillet në maj dhe korret në shtator. Rreth 90% e rezidentëve të fshatit që në total janë 7000 veta, besohet se marrin pjesë në këtë biznes. Ndërsa ekonomia shqiptare ka rënë vitet e fundit e ndikuar edhe nga kriza që ka përfshirë vendet fqinje si Greqia dhe Italia, Lazarati në të kundërt ka lulëzuar. Raportet e inteligjencës sugjerojnë që fshati ka kultivuar më shumë se 60 hektarë tokë këtë vit me rreth 300.000 bimë, të cilat mund të prodhojnë më shumë se 500 tonë marijuanë.
Gazetarët që përpiqen të hyjnë në fshat, rrezikojnë po aq sa policët.

Trafikantët patrullojnë në rrugën kryesore dhe gjurmojnë makinat e tyre për t’i dekurajuar që t’iu bëjnë publicitet të padëshiruar. Telnis Skuqi, një korrespondent lokal i “Albania Telegraphic News Agency” tregon se tre persona që drejtonin një “Ford” iu prenë rrugën gazetarëve në mënyrë që ata të largoheshin. “Ata na paralajmëruan se do të përfundonim të vdekur në qoftë se nuk do t’i ndërprisnim xhirimet”, shprehet ai.

Kur policia i qëlloi një banori të Lazaratit të akuzuar për rrëmbim në vitin 2007, një turmë sulmoi dhe dogji stacionin e policisë në Gjirokastër. Nëse policia përpiqet të veprojë në Lazarat, ekziston rreziku se mund të shkaktohen viktima mes civilëve, prandaj vetëm vullneti politik mund ta zgjidhë problemin, thotë oficeri i policisë. Me një fjalë: duhet “një vendim nga zyra e kryeministrit” dhe asgjë më tepër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat