Kuvendi miraton me 82 vota pro qeverinë e re të kryesuar nga Edi Rama

Shqipëria

Kuvendi miraton me 82 vota pro qeverinë e re të kryesuar nga Edi Rama

Më: 15 shtator 2013 Në ora: 13:32

(I plotësuar) Është votëbesuar me 82 vota pro qeveria e re që do të drejtohet nga Kryeministri Rama. Pas diskutimeve maratonë përgjatë dy ditëve, Kuvendi rreth orë e 16 të pasdites së sotme kaloi në votim, ku nga 137 deputetë të pranishëm, qeveria e re dhe programi qeverises mori 82 vota pro dhe 55 kundër.
Përpara se të votëbesohej ai dhe kabineti që do të drejtojë, Rama përmes një fjale të mbajtur në foltoren e Kuvendit, u përpoq që përmbledhtazi t’i kundërpërgjigjet deklaratave që erdhën nga ligjvënësit demokratë, gjatë diskutimeve të sotme në Kuvend.

Në ditën e dytë të diskutimeve në Kuvend për programin qeverisës, po diskutojnë vetëm deputetë të djathtë. Me sa duket deputetët e majtë qe do të flasin në seancë do te jene te pakte, duke synuar mbylljen e shpejte te diskutimeve për të sjellë dhe votëbesimin sa më parë të qeverisë së re, e cila pritet të bëjë betimin në Presidencë rreth orës 17:00.
Sali Berisha ka kërkuar shtyrjen e diskutimit parlamentar për programin qeverisës të ekzekutivit Rama pasi, sipas tij, mungon pjesa për 100 ditët e para.
“Unë mendoj dhe propozoj që qeveria, që dikush e quajti kabineti privat dhe pjesërisht është e vërtetë, të marrë kohën, të shtyjmë punimet. Pa 100 ditësh nuk ecet, nuk ka ndodhur kurrë. Merrni kohën dhe ne jemi të gatshëm të vijmë përsëri të diskutojmë për 100 ditëshin”, vuri në dukje Berisha.
Por kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, nuk e pranoi kërkesën duke shpjeguar se propozimi i Berishës lidhej me vizitën e Ramës të hënën në Bruksel.
“Kam shqetësimin se zoti Berisha ka një merak tjetër, që kryeministri i ri të shkojë si kryeministër i dekretuar në Bruksel dhe ai në seancën tjetër të thotë si ka mundësi që një Kryeministër i dekretuar të shkojë në Bruksel. Sa i takon 100 ditëshit, do të kalojë 100 ditëshi, do bëhet bilanci, do të kalojnë 300 ditët e kështu me radhë” u shpreh Meta.

Qëndrimet në emër të grupeve parlamentare për porgramin

Ilir Meta: Kam dëgjuar këto dy ditë vërejtje të ndryshme lidhur me programin e kësaj qeverie. Nuk mund ta kuptoj si mund të atakohet kaq shumë si një premtim jorealist, ai i hapjes së 300 mijë vendeve të reja të punës, kur ata që e kritikojnë kanë premtuar 250 mijë vende të reja pune. Nuk ka program perfekt, as qeveri perfekte, por absolutisht që çelësi i suksesit është vullneti për tu përmirësuar çdo ditë.

Edi Paloka: Pushteti i Ramës filloi me tentativë për dhunimin e opozitës. Ky zotëria e urren opozitën, urren opozitën në përgjithësi dhe ata që i dalin kundër dhe e kundërshtojnë. Nuk ka ndodhur kurrë që të ndodhë të prezantohet një program qeverisës dhe ministrat të mos lejohen të flasin asnjë fjalë. Ajo që ne morëm në dorë, ishte një nga fjalimet e tua të fushatës elektorale. Rama me këtë qeverisje, pret që të hyjë në histori.

Debati Berisha-Blushi
Veç diskutimeve të gjata mbi programin nuk kanë munguar dhe replikat mes ish kryeministri Berisha dhe deputetëve të mazhorancës. Më shumë tërhoqi vëmendjen ligjerata e deputetit Blushi dhe replika mes tij dhe Berishës. Blushi deklaroi në Kuvend se çelësi i suksesit të mazhorancës është fakti se ajo është bashkuar rreth idesë për një Shqipëri më të mirë, ndryshe nga opozita që sipas tij, është bashkuar rreth një njeriu.
Duke i kërkuar qeverisë që të mos marrë më borxhe për të larë borxhet e vjetra, deputeti i PS theksoi se në parlament do të mbrojë të përbashkëtën nga e përveçmja dhe interesin publik mbi atë privat.
“I kërkoj qeverisë të mos marrë më borxh në emrin tonë, jam kundër marrjes së borxheve duke larë borxhe. Besoj se Shqipëria mund të jetojë pa marrë borxh të ekzagjeruar. Qeveria duhet ti administrojë vetë pasuritë mbetura dhe deri diku të mjaftueshme. Për çfarë votuan shqiptarët në 23 qershor, unë besoj se ata votuan për tu mbrojtur, për të mbrojtur gjithçka që kanë nga privatizimi. Ne që fituam duhet ti mbrojmë pasuritë e tyre. Deri tani kemi mundur vetëm PD-në, por nuk kemi fituar mbi varfërinë, pabarazinë. Koha që kemi përpara është e mjaftueshme për të qeverisur, por jo për të fituar”- vlerësoi Blushi.
Këtij qëndrimi i erdhi dhe një përgjigje e ish kryeministrit Berisha, i cili theksoi se asnjë demokrat nuk është i mundur.
“Të kërkosh sinqeritet tek Blushi është njëlloj si të kërkosh rrethin në katror. As Sali Berisha dhe asnjëri prej tyre harroje ti se është i mundur, jemi të pamposhtur. Këto janë premtime të cilat duhet ti realizoni, pse, ju e çoni çështjen më në themel, themeli i të gjitha themeleve është dinjiteti njerëzor. Ju morët besimin e qytetarëve shqiptarë me këto premtime. Unë do ti votoj nëse i bini këtu, nëse nuk i sillni do ketë betejë më të vendosur në 20 vite për dinjitetin e shqiptarëve”, tha Berisha.
Por fjala e Berishës pati pas dhe një tjetër deklaratë të shkurtër të Blushit.
“Se kuptova pse dole këtu. Ti je njeri që lexon, por dua të të them diçka që se ke lexuar; Kur Don Kishoti fillojë të lexojë, u bë “xhentleman”, kur filloi të besonte ato që lexonte, u bë qesharak. Unë kam një këshillë për ty, mos i beso të gjitha ato që lexon, qoftë edhe nga programi i qeverisë”, deklaroi Blushi.

Genc Ruli: Për të realizuar një pjesë të programit do të duheshin 24 vjet, jo katër. Në asnjë pjesë të programit nuk gjen ndonjë argument konkret, se ku dhe si do te gjenden fondet ekstralarge për të realizuar ato që premtohen. Programi i qeverise është lajthitje, qeveria nuk njeh realitetin, mohon çdo arritje.

Arben Imami: E dimë se nuk do të ketë taksim të drejtpërdrejtë shëndetësor, por do të merret indirekt, në thelb e gjithë pesha do të bierë në kurriz të qytetarëve. Si do të rrisë kjo metodë integritetin e profesionistëve të shëndetësisë.

Eduart Selami: Është pozitiv fakti që marrin pjesë mjaft gra në qeverinë e re, kjo është një arritje. Edhe mosha e re është hap pozitiv, por kjo është bërë në mënyrë të panevojshme duke nënvlerësuar eksperiencën. Shqetësimi im serioz lidhet me masën e rritjes së qeverisë mbi 30%. Kjo është një rritje shumë e lartë.

Myqerem Tafaj: Keni përfshirë në program skemën e financimit të universiteteve. Ju përshëndes që keni ndërruar mendje, pasi e keni bllokuar për gjithë këtë kohë që ka qenë gati.

Diskutimet në Kuvend për programin në ditën e parë
Parlamenti nisi të shtunën ne oren 10.30 seancen maratone per programin qeverises 2013-2017. Seanca u mbyll pas mesnate, të dielën ora 01:10 minuta, për të vijuar paraditen e sotme ne oren 09:00. Në debatin gjatë kësaj seance, deputetët e opozitës e kundërshtuan programin duke e konsideruar një 'manifest politik, që i mungon vizioni'. Sipas tyre, programi është një përshtatje e mashtrimeve elektorale, që do t'i kushtojnë vendit 'frenim dhe krizë'. Ndërsa për socialistët gjendja ekonomike e lënë nga qeveria parardhëse është sfida kryesore me të cilën do të përballet qeveria e re. Sipas tyre, çdo premtim i bërë nga mazhoranca është detyrim i programit qeverisës.
Paraditen e djeshme në fillim të seancës, me 99 vota pro dhe asnjë kundër, Kuvendi zgjodhi nënkryetarin nga ana e opozitës, Edmond Spaho. Më pas deputetët kanë debatuar në lidhje me programin e paraqitur nga socialistët.

Rama: Kur ha 1 milion shuplaka mendja o të ikën o të vjen
Në fjalën e tij pas deputetit Sali Berisha, Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje opozitës të bëjë pyetje mbi programin qeverisës.
“U betuat se qeverisë të 1 prillit do ia vinit shpatullat pas muri me pyetjet tuaja, por deri tani bëtë asnjë pyetje”.
Rama i deklaroi Berishës se ende nuk e ka marrë veten nga humbja.
“Kur ha 1 milion shuplaka mendja o të ikën o të vjen dhe pale vite duhen për t'i kapur”.
Kryeministri Edi Rama ka kerkuar nga opozita e sotme te ngrihet ne nivelin e miresjelljes. “Ne jemi ketu per t’i ngritur koken Shqiperise e jo te gjejme koken tuaj. Ju keni te drejte, pasi keni vite qe keni harruar se c’eshte nje program qe i paraqitet Kuvendit per miratim”- tha Rama.
Sipas tij, opozita eshe vene ne poziten qe flet pa kuptuar asgje, sepse asgje nuk ka kuptuar, por ai do te vazhdoje t’i degjoje deri ne fund. “U them, mos u ngutni si parafolesit, se ky eshte hartim, e me radhe, mos u ngutni, se keta qe folen ne fund kane bredhur shume neper bote, po bote demokratike nuk kane futur, ndaj e kane nxjerre vendin nga shinat e botes demokratike”- tha Rama.
Ai ka uruar qe opozita ta gjeje koken, “nderkohe qe Shqiperia e ka kuptuar qe ne 23 qershor se ku e keni vendin, ate vend plotesisht e meritoni”.

Berisha-Ramës: Nëse ke mashtruar qytetarët, bëhu gati për betejë
Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi qeverinë e re se në rast të mospërmbushjes së premtimeve e që u ka bërë qytetarëve “do të përballet me betejën e opozitës për të ngritur në piedestal dinjitetin e shqiptarëve”.
“Sali Berisha do të votojë çdo premtim të tij në parlament, ndonëse nuk i bëja kurrë sepse ato janë rrënim i gjithëanshëm. Nëse u ke marrë votën duke i mashtruar, nuk do njohim kufij, nuk do lemë betejë pa zhvilluar për të çuar në piedestal dinjitetin e nëpërkëmbur të qytetarëve shqiptarë. Përgatitu beteja është e fortë, ke premtuar 300 mijë vende pune, asnjë vend pune nuk justifikon sot, ke premtuar ulje çmimesh, asnjë çmim nuk mund të ulësh ti”- deklaroi Berisha.
Ish-kryeministri akuzoi për nepotizëm kabinetin e ri qeveritar, duke sulmuar kryesisht ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Në kabinetin e ri janë 3 ministra nga e njëjta familje. Unë e kuptoj u përjashtuan nanoistët, absolutisht kryeministri ka të drejtë të zgjedhë këdo. Financat i jepen njeriut të patateve të Ramiz Alisë, vetëm se i tha shoku Ramiz do ta zgjidhim me pataten problemin. Tahiri do luftojë për rendin, ai është skllav i krimit.”- deklaroi Berisha.
Më tej Berisha tha se mazhoranca aktuale i shpalli luftë opozitës, por sipas tij, demokratët nuk mposhten e nuk dërrmohen as kur humbin.
“Opozitës ju shpall luftë, atyre të cilëve u duket ky term i ashpër u them se ne këtu në parlament kaq hapësirë kemi. Kreu i mazhorancës donte me cdo kush të tejkalonte dhe etërit e tij, të na impononte diskutimin e një dokumenti që se kishim parë kurrë me sy, që se kishim lexuar kurrë. Kreu i mazhorancës i cili është unik në Shqipëri, Ballkan dhe Europë lexoi këtu pamfletin e urrejtjes ndaj opozitës. Ai shpalli këtu epokën e rrënimit epokën e Shqipërisë demokratike. Edhe humbjen e festojmë edhe vdekjen e festojmë, sepse kemi bërë një jetë me nder, kemi punuar, për ne flasin veprat, flet Shqipëria që ai ai urren, që e shpalli të rrenuar. Askush mos mendoje se ndjehemi të dërrmuar. Ne celebrojmë atë që ai e konsideron Shqipëri të rrënuar, është Shqipëria demokratike e cila bëri gjithë këto hapa të sigurta në rrugën e integrimit.”- deklaroi Berisha.

Topalli: Premtimet e Ramës, të parealizueshme
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i cilësoi të parealizueshme e mashtrime premtimet e “qeverisë Rama”.
“Për të marrë atë karrige premtove oqeanin, diellin, hënën. Premtimet ishin fallco dhe pse të bukura, shumë të bukura. Të marrësh detyrën pasi vendi ka bërë rrugën më të gjatë në një kohë të shkurtër, duhet të matesh me arritjet dhe ato janë të mëdha”- tha Topalli, duke numëruar sukseset e qeverisë së demokratëve.
Sipas saj “Rama nuk ka program, ka hartime. Ne prisnim të hartonte një program, ai programoi një hartim.”

Nasip Naco: Rivendosje e integritetit të pushtetit gjyqësor
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço tha sot në Kuvend se përmes programit qeverisës 2013-2017 synohet “instalimi i shtetit të së drejtës dhe sundimi i ligjit, duke ndërmarrë reformat në sistemin e drejtësisë në përgjithësi dhe në sistemin gjyqësor në veçanti, me qëllim rivendosjen e integritetit të pushtetit gjyqësor dhe institucioneve në sistemin e drejtësisë”.
Për të arritur këto qëllime, sipas tij, Ministria e Drejtësisë do të propozojë dhe bëjë shumë shpejt ndryshime në Kodin e procedurës Penale dhe Kodin penal. “Do të synojmë plotësimin e mangësive, por në të njëjtën kohë do të plotësojmë dhe përafrojmë Kodin aktual me standardet evropiane”.- vijoi Naco duke shtuar se procesi do jetë tërësisht transparent.
Duke vijuar më tej me prezantimin e programit qeverisës në fushën e drejtësisë, Naço tha se do të ndërmarren reforma rrënjësore afatgjata dhe gjithëpërfshirëse për të rivendosur integritetin e pushtetit gjyqësor dhe institucioneve në sistemin e drejtësisë.
Referuar reformës në raport me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Naço tha se do të rishikohet kryesisht, por jo vetëm, përbërja dhe statusi i anëtarëve, organizimi dhe funksionimi i KLD, si dhe emërimi dhe transferimi i gjyqtarëve dhe masat disiplinore.
Në fokus të Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, do të jetë forcimi i statusit të gjyqtarëit dhe prokurorit, si dhe garantimi i funksionimit efektiv të sistemit të vlerësimit për ta.

Bode: Modeli i ri ekonomik i mazhorancës, fantazmë
Ish-ministri i Financave Ridvan Bode akuzoi mazhorancën aktuale se ka lënë në harresë premtimet e fushatës dhe po paraqet një program që nuk shpjegon se si do të vijë rritja ekonomike apo hapja e 300 mijë vendeve të reja të punës. Sipas Bodes, mazhoranca pretendon se do të rimodelojë ekonominë shqiptare, por modeli i ri mbetet një fantazmë.
“Çfarë është ky modeli i ri ekonomik në programin tuaj, një fantazmë. Rritja ekonomike do të jetë në qendër të tij thotë manifesti i programit, por si dhe nga do të vijë rritja ekonomike. Taksa do të jetë progresive për të gjithë, nuk thuhet asnjë fjalë për sektorët.”- deklaroi Bode.
Duke përmendur arritjet e qeverisë demokrate, Bode deklaroi se opozita do të jetë përballë mazhorancës së re me ato që mundësoi në 8 vjet qeverisje për të gjithë shqiptarët. “Ne jemi dhe do të mbetemi përballë jush një sfidë e pakapërcyeshme lehtë.”- deklaroi Bode.

Koka: Programi, fillim i mirë i rrugës drejt Europës
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka në fjalën e tij në Kuvend theksoi prioritetet që përmban programi qeverisës për mbrojtjen e mjedisit. Sipas ministrit Koka, ky program do të përmirësojë dukshëm jetën e shqiptarëve dhe është një fillim i mirë i rrugës drejt Europës.
“Kjo mazhorancë ka hartuar një program që do përmirësojë dukshëm jetën e shqiptarëve. Ky program është bazuar në nevojat që ka vendi. Shumë nga pikat e këtij programi janë mëse të realizueshme, disa përbëjnë një risi dhe sfida shumë të guximshme. Ky program sjell një perspektivë të re në çdo aspekt të administrimit të vendit. Ky program përmban një seri prioritetesh për mjedisin. Puna në këtë sektor do përqëndrohet në arritjen e reformave, përforcimin e legjislacionit, përmirësimin e mjedisit. Ne e konsiderojmë mbrojtjen e mjedisit si një detyrë të përbashkët për të gjithë”- deklaroi Koka.

Tabaku: Programi ka mospërputhje dhe mungesë vizioni
Deputetja E partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka rreshtuar një sërë pyetjesh për programin e qeverisë Rama, ndërsa sipas saj fjalimi i Ramës në parlament ishte një shikim shumë i keq i situatës ku ndodhet Shqipëria, fjalimi kishte shumë fjalë dhe aspak vizion, kjo është mangësia e parë e programit. E vetmja gjë e mirë është përbaltja që po i bën punëve të mirë që ka bërë qeveria”.
Deputetja Tabaku kërkoi përgjigje nga qeveria Rama për mënyrën se si do të krijohen 300 mijë vendet e punës, apo cilat janë faktorët që do sigurojnë rritjen ekonomike. Tabaku u shpreh se "këtyre pyetjeve nuk u përgjigjet dot as vetë hartuesi i programit, disa nuk e njohin fare shtetin prandaj dhe programi është plot mangësi”.

Gjosha: Programi i Integrimit do të ketë si kryefjalë bashkëpunimin
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha theksoi në Kuvend se programi i integrimit evropian do të ketë si kryefjalë bashkëpunimin dhe komunikimin.
“Programi i integrimit evropian, i imi dhe i kësaj qeverie, do të ketë si kryefjalë bashkëpunimin, koordinimin dhe komunikimin, jo vetëm mes institucioneve përgjegjëse por mbi të gjitha një bashkëpunim dhe komunikim të veçantë edhe me opozitën, duke e parë atë si pjesë të rëndësishme dhe të pandarë të këtij procesi, për të përmbushur me korrektesë të gjitha prioritetet që vijnë nga marrëveshja e Stabilizim – Asocimit, dhe kryesisht në ngritjen e kapaciteteve, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për këtë do të ngrihet një Komitet Kombëtar i Integrimit, me pjesëmarrjen e një sërë aktorëve dhe ekspertëve në fushën e integrimit evropian, si dhe do të ngrihet një mekanizëm koordinues dhe kontrollues për afatet e reformave dhe ndjekjen me rigorozitet të detyrave të lëna nga BE. I gjithë procesi do t’i shërbejë përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe përshpejtimit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.”- deklaroi ministrja Gjosha.
Ajo ftoi të gjithë komponentët e procesit të integrimit, qeverinë, opozitën, kolegët deputetë dhe gjithë qytetarët shqiptarë, jo vetëm të bëhen pjesë e programit të integrimit por të kontribuojnë për ta pasuruar, plotësuar dhe përmbushur aspiratat e Shqipërisë evropiane.

Dade: Sfidat për mazhorancën, të vështira jo të pakapërcyeshme
Deputetja socialiste, Arta Dade deklaroi gjatë fjalës së saj në Kuvend se mazhoranca e re do t’i rikthejë dinjitetin Kuvendit të Shqipërisë. Sipas Dades, sfidat për qeverinë dhe maxhorancën e re janë të vështira, por jo të pakapërcyeshme.
“Mazhoranca e re ka të tjera standarde, respekti për Kushtetutën, ligji dhe ndarja e pushteteve janë themelet mbi të cilat ngrihet e gjithë veprimtaria jonë. Jemi këtu për të përmbushur premtimet. Sfidat për qeverinë dhe në kuvend janë të vështira por jo të pakapërcyeshme.”- deklaroi Dade.

Tahiri: Luftën kundër krimit dhe mafias, emergjencë kombëtare
Qeveria e re e cilëson “Emergjencë Kombëtare” luftën kundër krimit dhe mafias në vend.
Në një kohë që paralelisht me Kuvendin e Shqipëri një grua u vra nga bashkëshorti për shkak të xhelozisë, dhe një 60-vjeçare u gjet e vdekur në garazhdin e pallatit në Durrës, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shpalosi platformën e tij për kthimin në vend të rendit dhe sigurisë teksa paralajmëroi krimin e ‘Byrosë Kombëtare të Kundër Krimit”.
“Cështja më me interes është cështja e krimit. Shifrat e kriminaliteti janë shumëfishuar disa herë. Është një hap para dhe më i mbrojtur nga pandëshkueshmëria. Qytetarët kanë frikë për të jetuar i lirë nga kërcënimi që të vjen pas cepit. Krimi është i lirë nga frika e shtetit. Sot është e domosdoshme të bëjmë të pamundurën të jetojnë të lirë. Ja pse jemi të angazhuar të kthejmë policinë në shet. Ndaj për këtë arsye do të krijojmë “Byronë Kombëtare Kundër Krimit”. Lufta më e vështirë krimi ekonomik, pasi bëhet fjalë për një sistem të organizuar që rrezikojnë vendimmarrjen e institucioneve më të larta. Luftën kundër krimit dhe mafias do e cilësojmë si emergjencë kombëtare. Jemi vendosu të rikthejmë besimin tek policia e shtetit. Ne do marrim masa radikale ndaj armëmbajtjes duke e cilësuar armikun numër një. Do vendosim barazinë para ligjit dhe të shembim murin e të paprekshmëve dhe të ‘fortëve’. Ne duhet të arrijmë në një objektiv të mos ketë më të paprekshëm. Do bëjmë çmos të kthejmë sigurinë në rrugë”, theksoi Tahiri.
Pas akuzave të Nokës, e mori fjalën ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, duke ironizuar parafolësin.
“Kur deputeti mbante ligjeratë, një grua u vra në Durrës, një i plagosur në mes të Tiranës tre të vdekur në rrugën e Kombit dhe një i plagosur në Kamzë. Kjo është kronika e pak orëve, megjithatë përpiqet ta kuptoj shqetësimin e parafolësit për familjen time dhe shëndetin tim, fundja është i vetmi që ka studiuar më shumë për shëndetësi në këtë parlament. Dua të besoj se parafolësi donte te shprehte shqetësimin e tij në kuadrin e shqetësimeve që mendja e tij ka në tërësi. Unë jam shumë mirë me shëndet faleminderit”, ironizoi Tahiri.

Noka: Tahiri, mik i bandave
Ish- ministri i Brendshëm Flamur Noka ka sulmuar ashpër përbërjen e kabinetit të ri qeveritar duke akuzuar pasardhësin tij Sajmir Tahiri si hajdut dhe ‘mik’ i bandave, teksa i ka kujtuar atij arrestimin e të atit për kontrabandë ilaçesh.
Noka sulmoi edhe prezantimin e programit qeverisës së kryeministrit Rama në Kuvend, duke e cilësuar atë ‘hartim dhe përralla të mazhorancës së re’ për t’iu shmangur premtimeve të bëra në 23 qershor.

Peza thirrje opozitës: Votoni programin
Ora 15:00 -Deputeti i Peqinit, Alfred Peza i ka bërë thirrje opozitës që të lërë mënjanë emocionet e çastit dhe të japë votën për programit qeverisës.

Tavo: Programi korrigjon gabimet e qeverisë “Berisha”
Ora 14:46 -Deputeti Vangjel Tavo deklaroi se shqiptarët me 23 qershor votuan bindshëm për mazhorancën e re, e cila do i kthejë besimin tek institucionet. Tavo tha se programi qeveris i socialistëve është kontratë sociale dhe politike që për me tepër korrigjon gabimet e qeverisjes së PD-së.

Leskaj: Emergjencë rikthimi i besimi tek institucionet
Deputetja Valentina Leskaj, gjatë fjalës së saj theksoi se qeveria e shkuar i ka lënë mazhorancës së re vetëm një tufë me letra, ndërkohë që sot kërkohet me emergjencë rikthimi i besimi tek institucionet .
Leskaj e cilësoi bojkotin e opozitës ndaj fjalës së kryeministrit Rama ‘frikë’ nga Berisha, duke shtuar se do ishte serioze që opozita të votojë programin dhe të bëhet pjesë e zgjidhjes’.

Mediu-Ramës: Mos moho arritjet e qeverisë Berisha
Ish-Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu e nisi fjalën e tij në Kuvend, me një shprehje të John Kenedit, kur u bë president i SHBA-së, “kur hyra në Shtëpinë e Bardhë, pashë shumë punë të pambaruara, por nuk pata kohë të ankohesha për pasardhësin tim, sepse nuk e di se sa punë do lija edhe unë”.
Deputeti Mediu iu drejtua Ramës duke i thënë se “qeveria e tij nuk fillon nga zeroja, sepse arritjet e qeverisë së mëparshme nuk mund t’i mohosh, si anëtarësimi në NATO, ku ju të parët ishit skeptikë dhe kundër anëtarësimit, ne liberalizuam vizat ku bashkuam të gjithë shqiptarët me familjet e tyre të shpërndara nëpër botë , kjo sigurisht me punën dhe këmbënguljen e çdo shqiptari. Mbështetëm me aq mundësi sa kishim pavarësinë e Kosovës, dhe nuk vepruam si ju që i fyet dhe i përçatë që në vizitën e parë", tha Mediu.
Mediu akuzoi Kryeministrin Rama se ishte ai shkaktari i shkatërrimit të ëndrrës evropiane për gjithë shqiptarët, prandaj 'populli nuk do të dëgjojë fjalë dhe fyerje për opozitën, por do punë dhe pret realizimin e premtimeve të fushatës'. Fatmir Mediu ka ironizuar mbështetjen e deklaruar nga Rama ndaj luftës në Siri.
Ish-ministri Mediu, garantoi se opozita nuk do hezitoje të bashkëpunoj me qeverinë për projektet e mëdha.

Xhafaj: Jemi këtu për t’iu dhënë njerëzve drejtësinë e mohuar
Deputeti Fatmir Xhafaj vuri në pah faktin se kryeministri Rama në të kundërt të paraardhësit të tij i ka njohur meritat duke vendosur standard. Xhafaj akuzoi demokratët se po përhapin lajme të pavërteta sa i takon programit qeverisës, teksa theksoi se problemi qëndron tek të pavërtetat e mëdha në shifrat e qeverisë së shkuar për varfërinë. Ai nënvizoi se: “Ne jemi këtu për t’iu dhënë njerëzve drejtësinë e mohuar”

Halimi akuzon Ramën për plagjiaturë me programin
Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka mllef hakmarrës ndaj opozitës së re, teksa sulmoi programin qeverisës për plagjiaturë, pasi sipas tij një pjesë e reformave të bëra aty janë kryer tashmë nga qeveria “Berisha’.

Majko: Krahasimi i qeverisë Rama me Papandreun, i pavend
Deputeti i PS, Pandeli Majko gjatë fjalës së tij në Kuvend, i “dha” përgjigje opozitës se krahasimi që kjo e fundit i bën programit të qeverisë “Rama”me atë të Papandreut është i pavend, sepse situata që ka lënë qeveria e mëparshme nuk krahasohet me Greqinë, madje qeveria “Berisha” e ka lënë me keq, në kushte ekstreme.
Majko deklaroi se: “Qeveria e re me programin e saj 4-vjeçar është zotuar për zgjidhjen e problemeve, por sigurisht vështirësitë janë të mëdha sepse ndodhemi përpara një “tufe borxhesh”. Të gjitha projektet e mëdha që qeverisja e djathtë nuk i ka përfunduar për mungesë fondesh, si rruga “Durrës-Kukës”, apo “Rruga e Arbërit” që është në një gjendje akoma më të keqe, apo dështimi me privatizimin e “Alpetrolit”, vlen shprehja “nuk dihet ku është dera e ku është dritarja”. Sipas Majkos, pronarët e vjetër dhe ish-të përndjekurit do kenë një plan të përkushtuar për t’i dhënë zgjidhje në kohë këtij problemi. Deputeti soacialist foli edhe për situatën në të cilën është administrata shtetërore.

Patozi: Rama të kërkonte ndjesë për bojkotin
Ish-kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi gjatë fjalës së tij në Kuvend iu drejtua me titullin “bashkëkryeministër”, aleatëve Ilir Meta dhe Edi Rama, ndërsa theksoi se ata trashëgojnë nga demokratët një Shqipëri normale dhe të shëndoshë ekonomikisht në letra si dhe çelësat e atdheut për të cilën shqiptarët.
“Ku drejtohem ju bashkëkryeministër Meta dhe Rama. Ju sot merrni në dorëzim me letra një Shqipëri normale. Kjo vlen për bashkëkryeministrin e dytë se i pari e di. Sot nuk është dita për të bërë bilanc 8 vjecar për gjithcka ndërtuam. Sot po merrni në dorëzim çelësat e një atdheu që shqiptarët janë më kryelartë. Nuk pres të bënë ndonjë gjë më të madhe, por pres të mos e bëni delen e zezë të Evropës. Nuk pres të ndërtoni rrugë të reja, por mos prisni atë c’ka është bërë tashmë. Po ju dorëzojmë një vend me paga dhe rroga të larta. Nuk pres të ruani trendin e zhvillimit, por të paktën mos i ulni. Është një Shqipëri që pati rritje impresionuese dhe nuk pati krizë. Nuk pres prej jush të bëni të njëjtën gjë, por mos e lini ekonominë e shqiptarëve të bijë në humnerë. Po ju dorëzohet një Shqipëri e gatshme për BE. Nuk pres të jeni pasionant si ne në rrugën integrimit, por të paktën mos u bëni ferrë. Ju keni përballë një opozitë që nuk do e bllokojë integrimin asnjë ditë”, deklaroi Patozi.
Patozi sulmoi Ramën që në fjalimin et tij në Kuvend nuk kërkoi ndjesë për bojkotin dhe dëmin që i shkaktoi vendit prej tij.
“Po të kishte pasur një grimë morali, fjalia e parë e Edi Ramës në këtë sallë do të kishte qenë ndjesa e thellë për atë që i shkaktoi këtij vendi në katër vjet, vetëm se nuk e pranonte dot humbjen në një lojë demokratike. Ne jemi krenarë edhe se i dhamë vendit të paktën tre palë rresht zgjedhje të lira dhe të ndershme”- theksoi Patoizi, teksa vijoi:
“Katër vjet më parë ne ishim një vend normal me një opozitë anormale. Dhe cdo demokraci dëmtohet, kur calon njëra prej këmbëve, mbi të cilat ajo mbahet. Por sot ne jemi një vend normal me një qeveri anormale, sepse unë nuk besoj tek mrekullia që pushteti mund ta drejtojë gungën e kurrizos. Që do të thotë se jemi më keq se katër vite të shkuara, sepse atë që të bën qeveria nuk ta bën as Perëndia”.
Më tej Patozi shprehu vendosmërinë se opozita do të vijojë betejën politike nga salla e parlamentit.
“Ne jemi sot dhe do të jemi gjithmonë në këtë sallë, që është fronti kryesor i betejës sonë politike, sepse për ne Shqipëria është një vend i mirë dhe po kaq i shtrenjtë, jo vetëm kur jemi në pushtet. Ne nuk do ta bëjmë kurrë, që për shkak të xhelozisë për kundështarin politik, të hedhim baltë mbi këtë vend, vetëm për shkak se jemi në opozitë”

Haxhinasto: Programi ka qëllim zhvillimin
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, bashkëhartues i programit qeverisës gjatë fjalës së tij në Kuvend u shpreh se ky është një program që ka si qëllim zhvillimin, për të cilin mori mbështetjen e mbi 1 milion shqiptarëve.
“Ky është program i bazuar në parime themelore të mirëqeverisjes dhe zhvillimit. E mbështetën mbi 1 milion shqiptarë. Shqiptarët kanë pasur vizionin, urtësinë dhe zgjuarsinë për të bërë zgjedhjen e duhur. Programi trajton dhe zgjidh probleme, sjell një besim të ri tek qytetari, konsumatori por edhe tek komuniteti i biznesit, ka një vizion modern se ku duhet të investojë qeveria”, tha ai.

Integrimi, debate mes Bushatit dhe Bregut
Integrimi ngjalli debate mes deputetëve të mazhorancës dhe pozitës në sallën e Kuvendit. Deklaratat e ish-ministres Bregu kanë ngjallur replika mes saj dhe Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.
Deputetja e PD-së Majlinda Bregu akuzoi qeverinë Rama se në programin e saj nuk ka asnjë datë për projektet e integrimit, por vetëm fjalë. “Nuk ka asnjë datë për integrimin, përveç fjalëve, asnjë shifër, asnjë të dhënë. Nuk janë afatet kohore për kapjen e trenit të Europës”, tha ajo.
Seanca nisi me fjalën e ministrit të Shëndetësise, Ilir Beqja, me pyetje te depozituara, njera për clirimin e ambienteve spitalore nga ndërtimet pa leje.
“Brenda 200 diteve territortet spitalore dhe ambulatorë do t’i clirojmë nga aktivitetet private që nuk kanë lidhje me shëndetësinë”- tha Beqja.
Pas tij është përgjigjur ministri i Transporteve, Haxhinasto, me pergjigjen e pyetjes se deputetit te Gjirokastrës Tavo. “Synimi yne do të jetë përfudnimi i të gjitha veprave të mbetura përgjysmë”- tha ai.
Haxhinasto deklaroi se ne program ka plane te posacme per portet. “Zhvillimi i integruar i turizmit ne jug ka si kerkese te domosdoshme krijimin e mundesive portuale”- tha ai.

Spaho: Rama nisi diktaturën e Rilindjes
Rreth orës 11.00 Edmond Spaho është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit me 99 pro dhe asnjë votë kundër. Në fjalën e tij Spaho akuzoi Kryeministrin Rama nisi diktaturën e Rilindjes.
Më pas Edmond Panariti iu përgjigj pyetjeve të drejtuara për sektorin e Bujqësisë, por edhe ëpr përmbytjet në Shkodër për të cilat tha se: “Ne nuk kemi në dorë disiplinimin e ujerave, por sa i takon administrimit, ndërhyrje emergjente që do jete një nga masat e para të mija do jenë kontrolli dhe ndërhyrja emergjente në hidrovore dhe kolektorë”, u përgjigj ministri i Bujqësisë dhe i zhvillimit rural.
Ministri i Financave Shkëlqim Cani iu përgjigj një pyetje drejtuar nga deputeti i Lushnjes, për sa i përket një drejtorie bujqësore, që ky qytet nuk e ka. Sipas Canit do të gjendet zgjidhje që qytetarët mos sorollaten.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri iu përgjigj shqetësimit të deputetit të Vlorës në lidhje me defektet në sistemin e shpërndarjes së energjisë. Gjiknuri tha se, “ Ky është një shqetësim që ka dalë edhe nga zona të tjera, OSSH është i privatizuar dhe i dështuar, kjo si pasojë e privatizimit. Kjo është ndërmarrje e pavarur, por ne do ushtrojmë trysni pozitive tek ERE që të marrë masa të përmirësojë shërbimet”, tha ai.
Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni teksa iu përgjigj një pyetje të deputetit të Beratit, se çfarë do bëhet për rritjen e numrit të turistëve në Berat, tha: “Kjo pyetje e ka përgjigjen në të gjithë strategjinë e programit të qeverisë. Synojmë të rritet jo vetëm numri i turistëve por edhe koha e qëndrimit të tyre. Premtojmë vendosje moratoriumi për frenimin e ndërtimeve pa leje në kalatë e Gjirokastrës, Beratit etj, që të ruhen vlerat që mbrohen edhe nga Unesko. Berati do jetë pjesë e fushatave promovuese”, tha ajo.
Deputeti Erjon Brace akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ministrat e tij së ngritën shtetin privat, futën korrupsionin në institucione, ngritën monopolet e në pasuritë kombëtare të vendit, ndërtuan ekonominë në të zezë dhe futën krimin e organizuar në kontratat qeveritare. Brace premtoi se qeveria “Rama” do të zhbëjë shtetin e korrupsionit që Berisha i la vendit, ndërkohë që kundërshtari më i madh do jetë mafia.
Sipas rregullores së Kuvendit secili prej diskutantëve nga lista e depozituar nga grupet parlamentare ka në dispozicion 20 minuta për të diskutuar rreth programit, ndërsa ministrat e kabinetit 'Rama', do të kenë të drejtë të bëjnë mbrojtjen e programit qeverisës për fushat përkatëse.
Në nisje të seancës Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta falenderi qytetarët dhe personalitetet që morën pjesë në homazhet për Heroin e Demokracisë, Azem Hajdari si dhe deklaratën e kongresmenit Eliot. Kryeparlamentari shprehu bindjen se "duke punuar të gjithë së bashku, për të përmbushur ëndrrën e tij dhe të gjeneratës që përfaqësoi për ta bërë Shqipërinë sa më parë anëtare të denjë të BE-së, do t'i bënim nderimin më të merituar emrit të Azem Hajdarit dhe idealeve të lëvizjes historike të dhjetorit ‘90 që ai udhëhoqi", deklaroi Meta. Seanca vijoi me punimet me diskutimet rreth programit qeverisës, 2013-2017, mes ministrave dhe deputetëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat