"Alarm i rrejshëm" për armët siriane

Shqipëria

"Alarm i rrejshëm" për armët siriane

Më: 10 nëntor 2013 Në ora: 20:15

Në disa media maqedonase është raportuar se në rast të shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri pa asistencën e ekspertëve të NATO-s, padyshim se mund të ketë pasoja të pallogaritshme për shëndetin dhe për ekosistemin në gjithë rajonin.

Mediat citojnë ekspertë maqedonas që deklarojnë se asnjë vend në rajon nuk ka fusha të specializuara për shkatërrim të sigurt të armëve kimike.

Ndëkohë, gazeta "Le Monde" shkruan se Shqipëria ka një përvojë unike në drejtim të shkatërrimit të armëve kimike, sepse në vitin 2007 u bë vendi i parë në botë që të shkatërroi plotësisht arsenalin e vet kimik trashëguar nga koha e diktatorit komunist Enver Hoxha.

Por, e ka burimin dyshimi i shprehur në shtypin maqedonas për rrezikun nga armët kimike siriane në Shqipëri. Analisti i çështjeve të sigurisë, Bashkim Selmani thekson se këto deklarata janë thjeshtë shprehje e xhelozisë nga pala maqedonase për faktin se Shqipërisë i është besuar një mision i rëndësishëm me karakter ndërkombëtar. Ai thotë se kapacitetet që i ka Shqipëria nuk i ka asnjë vend në Ballkan, qoftë për specializim ose për praktikë.

Unë kam pasur disa punime seminarike në të cilët është konstatuar se Shqipëria i ka mësuesit më të përgatitur për këto çështje", ka thënë Selmani. Ai thekson se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka kush ta sigurojë, ndërsa Maqedonia nuk ka përse të frikësohet nga shkatërrimi i armëve kimike.

"Nuk ka kapacitet Maqedonia që të krahasohet me Shqipërinë, sepse kjo e fundit ka traditë për këto çështje. Kur një çështje ka karakter ndërkombëtar, ekspertët e huaj paraprakisht e kanë vlerësuar se Shqipëria ka kapacitete të kësaj natyre. Prandaj, jo rastësisht është zgjedhur Shqipëria për këtë punë", ka thënë Selmani.

Ekspertët ndërkombëtarë, duke u mbështetur në përvojën dhe pozitën gjeografike të Shqipërisë, e kanë zgjedhur për këtë çështje, thekson Selmani. Sipas tij, kjo është nder për Shqipërinë dhe për shqiptarët, sepse dihet janë aleatë të Amerikës dhe të aleatëve të saj.

"Ky besoj që është vetëm rasti i parë, do të jetë një sprovë edhe për shqiptarët dhe shtetin shqiptar që në të ardhmen gjithmonë hapësira funksionale që kanë të bëjnë me karakter ndërkombëtar. Ndërsa, maqedonasit gjithmonë i marrin me tendencë rastet ku janë të përfshirë shqiptarët.

Kjo ka një prapavijë nacionaliste, me tendenca të errëta ndaj çështjes shqiptare", ka thënë Selmani. Ndërkohë, në mediat maqedonase, ish-gjenerali në pension Mitre Arsovski ka deklaruar se pa marrë parasysh se çfarë mund të jetë përfitimi financiar, Shqipëria nuk mund të pranojë një rrezik të tillë e vetme, pa ndihmën e fuqive të mëdha.

"Ky është një vendim politik. NATO është një aleancë efuqishme ushtarake dhe financiare, dhe ka edhe ekspertët më të mirë që mund të organizojë një operacion të ndërlikuar të shkatërrimit të armëve kimike", shpjegon Mitre Arsovski. Në anën tjetër, në mediat shqiptare është thënë se Shqipëria është kontaktuar nga Ëashingtoni për mundësinë e shkatërrimit të armëve kimike të gjetura në Siri.

Në emër të Qeverisë shqiptare këtë e ka pohuar ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, në një intervistë për të përditshmen franceze "Le Monde". Ambientalistë, ish specialistë të ushtrisë dhe qytetarë kanë protestuar të enjten në Tiranë duke mbështetur tezën se shkatërrimi i armëve kimike në vend do të ishte edhe një potencial i mundshëm për katastrofë njerëzore.

Ndërkohë, ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, ka shtuar edhe më tej dyshimet që qeveria shqiptare mund të jetë në dilemë për nënshkrimin e marrëveshjes. “Është në dorën e të gjithë vendeve të përgjegjshme, ku përfshij sigurisht SHBA dhe Shqipërinë, që të punojnë në bashkëpunim për të gjetur mënyrën në kohë dhe me efktshmëri për të eliminuar kërcënimin që paraqet programi i armëve kimike i Sirisë”, ka thënë Arvizu.

Shqipëria duket një vend, i cili favorizohet për një proces të tillë nisur nga përvoja e mirë e vitit 2007 që ky vend pati me shkatërrimin e me shumë se 16 tonë armatim kimik. Uzina e Mjekësit në Elbasan, e përdorur në vitin 2008 për demontim predhash, ka nisur të pastrohet dhe ambientet e saj po bëhen gati këto ditë.

Burime të pakonfirmuara bëjnë me dije se ka qenë një urdhër i ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, për pastrimin sa më parë të sipërfaqes prej 80 mijë metrave katrorë të kësaj uzine. Procesi i shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri mund te jetë një vlerë e shtuar për qeverinë e Tiranës, politikisht, sepse Shqipëria është në prag të anëtarësimit në BE, dhe financiarisht pasi ky projekt shoqërohet me një faturë të mirë financiare.

Në anën tjetër, revista “Foreign Policy”, ka raportuar se Shqipëria ka një infrastrukturë më pak moderne se vendet e tjera evropiane, në këtë vend do të instalohen laboratorët lëvizës të aftë për shkatërrimin e armeve kimike siriane, përmes një procesi specifik të njohur si hidrolizë, që nënkupton sasi të mëdha me ujë dhe reagjentë si hidroksid –natriumi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat