Beograd, panairi botëror i turizimit

Shqipëria

Beograd, panairi botëror i turizimit

Më: 2 mars 2014 Në ora: 22:55

Shqipëria paraqitet për herë të parë në Panairin e Turizmit në Beograd. Flamuri shqiptar është i pranishëm si simbol i pjesëmarrjes, ndër një mijë operatorë nga e gjithë bota që marrin pjesë, për reklamimin e bukurive natyrore që ofrojnë vendet e tyre.

Në disa stenda të panairit më të madh në Ballkan reklamohet edhe Shqipëria.

“Duke qenë se edhe klima politike po shkon drejt përmirësimit, firmosja e marrëveshjeve Serbi-Kosovë i kanë dhënë një impakt më pozitiv edhe mundësive të bashkëpunimit tonë, duke mos ndierë më barrierat apo paragjykimet mes njëri-tjetrit. Pra, nuk është problem që sot të ketë turistë shqiptarë në Serbi, apo turistë serbë në Shqipëri”, tha Sadik Malaj, nga Unioni i Operatorëve Turistik.

Shqiptarët duken të kënaqur me pritjen, që u është bërë, ndërsa edhe serbët janë të interesuar për ofertat nga Shqipëria.

Pas disa marrëveshjeve të nënshkruara më parë dhe nismave të para për pushuesit në bregdetin shqiptar, ekziston një klimë më e mirë dhe më joshëse. Çmimet e mira, në krahasim me vendet e tjera, dhe turet e vizitave në tërë rajonin përfshijnë edhe Shqipërinë.

“Ky është vetëm fillimi dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm do të jetë një përfaqësim shumë më i madh dhe më dinjitoz, pasi Shqipëria me bukuritë e saj natyrore e meriton këtë”, tha Nevenka Velinov.

“Memorandumi i bashkëpunimit, i nënshkruar së fundi mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Zhvillimit Rural dhe Turizmit do t’i japë një nxitje të mëtejshme promovimit të turizmit shqiptar, duke sensibilizuar edhe më shumë shtetasit serbë për të ardhur në Shqipëri e për të parë bukuritë natyrore të vendit tonë”, tha Ernal Filo, nga Ambasada e Shqipërisë në Beograd.

Serbët kanë pak njohuri për Shqipërinë dhe zakonisht çdo gjë është parë në prizmin e politikës. Pas nënshkrimit të marrëveshjeve me Kosovën, situata ka ndryshuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat