PD: Bushi u arrestua për trafik droge në Itali

Shqipëria

PD: Bushi u arrestua për trafik droge në Itali

Më: 13 prill 2015 Në ora: 13:37

Partia Demokratike denoncoi sot kandidatin e përzgjedhur nga aleanca e majtë për Bashkinë e Krujës, Artur Bushin, për përfshirjen e tij me krimin. Në një deklaratë për mediat kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, akuzoi deputetin Bushi, se është përfshirë në një rrjet trafiku droge, pesë vjet më parë.

Paloka bëri publik lajmet e publikuara në disa prej mediave italiane. Sipas demokratit Paloka, Bushi është arrestuar në 12 qershor të vitit 2010 nga policia italiane si pjesë e një bande të strukturuar që trafikonte sasi të konsiderueshme droge nga Amsterdami në Itali.

Për forcën e djathtë, përmes vendimit për të kandiduar Artur Bushin, kryesocialisti Edi Rama del zyrtarisht kundër procesit të dekriminalizimit.

Deklarata e plotë e demokratit Edi Paloka:

Edi Rama mbahet se e njeh mirë italishten dhe e viziton shpesh vendin fqinj. Ka qenë edhe në zonën e Varezes në Lombardi.

Ja çfarë shkruan një gazete atje në 12 qershor të vitit 2010, rreth ndalimit të një bande që trafikonte drogë nga Holanda në Itali.

Arrestohet Artur Bushi, detto “Turi”, shkruan media italiane. “Una vera e propria banda”, thotë Varese news.

Media prej disa kohësh ka publikuar të dhëna për këtë ngjarje të arrestimit për drogë të deputetit të Edi Ramës, Artur Bushi.

Ja ku është gazeta italiane. Kryeministri ynë italishtfolës, që e përzgjodhi detto “Turi”, për ta futur në parlament, tani ka vendosur ta kandidojë atë për kryetar të Bashkisë së Krujës.

Shini tabelën në ekran. Aty është fotoja e kandidatit të Edi Ramës për Krujën. Kjo nuk është një tabelë e nxënësve të dalluar, por është shpallje e policisë italiane për bandën e drogës.

Me kandidimin e Bushit, Edi Rama ka vendosur zyrtarisht të dalë kundër dekriminalizimit.

Jo vetëm e përzgjodhi dhe i hapi dyert e parlamentit, por tani kryeministri po e thellon inkriminimin duke bërë një pakt tjetër me trafikantin, duke u përpjekur për ti dhënë më shumë pushtet, duke sfiduar hapur qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë.

Rama po del faqe botës jo vetëm si personi që hapi dyert e vërshimit të krimit në administratë, institucione e parlament, por edhe si kryeministri që mbron deri në fund skemën e tij kriminale.

Nuk do t’ia dalë dot, kundër të gjithëve, kundër qytetarëve të vendit, kundër partnerëve ndërkombëtarë, kundër opozitës, kundër nevojës së kohës.

Ora e drejtësisë po vjen. Tani dekriminalizimin do të bëjnë qytetarët e Krujës, duke refuzuar trafikantin, e duke zgjedhur ofertën e re.

Dekriminalizimin do ta bëjnë mbarë shqiptarët me 21 qershor, duke refuzuar skemën kriminale, etërit e saj, Edi Rama dhe Ilir Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat