Kokëdhima: Qeveria e Shkupit, hetim transparent për ngjarjet në Kumanovë

Shqipëria

Kokëdhima: Qeveria e Shkupit, hetim transparent për ngjarjet në Kumanovë

Më: 13 maj 2015 Në ora: 00:35

Deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, kërkoi që qeveria e Shkupit të lejojë një hetim transparent për ngjarjet e dhunshme dhe vrasjet në Kumanovë.

“Ngjarjet dramatike në zonën e banuar me popullsi shqiptare në qytetin e Kumanovës në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, janë një sinjal shqetësues për situatën politike dhe ndëretnike në fqinjin tonë lindor. Duke shprehur shqetësimin dhe brengosjen e thellë për humbjen e 22 jetëve, plagosjen e shumë të tjerëve, shkatërrimet kolosale të banesave dhe të pronave të shqiptarëve nga ndërhyrja e ushtrisë maqedonase, besoj se vetëm dialogu mes palëve politike në vend do të sjellë paqen politike dhe shtensionimin e marrëdhënieve ndëretnike në vend”, u shpreh Kokëdhima, në një deklaratë.

Sipas deputetit socialist, “bashkëpunimi i qeverisë maqedonase me opozitën, por edhe bashkëpunimi mes shqiptarëve, është mëse i mirëpritur në këto momente dramatike për vendin”.

“Ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar është e domosdoshme në këtë moment delikat për Maqedoninë. Qeveria e IRJM-së duhet të mundësojë vënien në zbatim në baza reale të Marrëveshjes së Ohrit. Angazhimet e marra nga qeveria maqedonase për kompensim financiar për humbjet në njerëz dhe prona, nuk duhet të lënë në hije detyrimet për të sqaruar deri në detajin më të vogël, shumë anë të errëta të ngjarjes së ndodhur në Kumanovë në 8 maj”, shtoi më tej deputeti Kokëdhima. Ai vlerësoi se “kjo do të ishte në interes të paqes politike dhe ndëretnike në vend”.

“Në këtë kuadër, një komision hetimor parlamentar pluripartiak dhe ndëretnik do të mund të kontribuonte ndjeshëm në zbardhjen e të vërtetës mbi ngjarjet e Kumanovës”, deklaroi deputeti i PS-së, Koço Kokëdhima.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat