Gabimet që e tradhëtuan vrasësin

Shqipëria

Gabimet që e tradhëtuan vrasësin

Nga: Nga Leonard Bakillari Më: 6 korrik 2015 Në ora: 08:29

Zbulimi i autorit të vrasjes së dy turistëve çekë është bërë nga gjurmët që i dyshuari ka lënë në automjetin e viktimave dhe një celular që ai iu mori atyre pasi i vrau. Ekspertët e policisë kanë mundur të përcaktojnë një dinamikë të përafërt të krimit në mungesë të dëshmitarëve, si dhe momentin tragjik për dy turistët, të cilët u qëlluan me plumb në kokë. Sipas hetimit të deritanishëm, 20-vjeçari Sokol Mjacaj ka ndjekur prej disa kohësh çiftin e turistëve dhe mbrëmjen e tre korrikut ai ka dalë në rrugën ku ata do të kalonin për t’u kthyer në qytetin e Shkodrës.

I armatosur me një automatik tip “Kallashnikov”, Mjacaj ka bërë autostop dhe çifti Michael Svatos dhe Ana Kosinova kanë pranuar ta marrin atë në makinë. Rreth 15 kilometra larg qytetit të Shkodrës, në fshatin Postribë ai i ka qëlluar ata me armë nga sedilja e pasme. Ekspertët mjeko-ligjorë konkluduan se 27-vjeçari Michael Svatos është qëlluar me dy plumba pas koke, ndërsa 36-vjeçarja Ana Kosinova është qëlluar me një plumb po në kokë. Në momentin kur i dyshuari ka qëlluar, automjeti ka humbur kontrollin dhe ka kryer disa rrotullime.

Gjatë aksidentit dyshohet se është dëmtuar edhe i dyshuari, pasi ekspertët gjetën në makinë edhe gjurmë gjaku që nuk u përkisnin viktimave. Po ashtu, në automjetin e viktimave u gjet edhe arma e krimit, një automatik tip “Kallashnikov”, ku ka patur gjurmë të shumta të 20-vjeçarit. Gjurmë të tij janë gjetur edhe në pjesë të ndryshme të makinës si dhe në çantat e sendet personale të viktimave, të cilëve u ka marrë edhe një telefon celular, që ka qenë një nga provat që çoi në zbulimin e autorit të krimit. Fillimisht hetuesit bënë krahasimin e gjurmëve të gjetura në automjet me gjurmët e personave të skeduar më parë dhe nga analizimi i tyre rezultoi se ato i përkasin 20-vjeçarit Sokol Mjacaj.

Ky shtetas rezultonte i dënuar më parë nga Gjykata e Shkodrës për akuzën e “vjedhjes me pasojë vdekjen” kryer në bashkëpunim të një 13-vjeçari. Për këtë arsye, gjurmët e tij të gishtërinjve ishin në sistem dhe u përputhën me gjurmët e gjetura në automjetin e dy turistëve të vrarë. Por nga hetimet u zbulua edhe një tjetër provë që bind grupin hetimor se autori i krimit të rëndë është 20-vjeçari nga fshati Lotaj i Dukagjinit.

Pas vrasjes ai ka marrë një telefon celular në automjetin e viktimave dhe të nesërmen këtë telefon e ka shitur në një lokal në qendër të fshatit. Ai ka takuar një të ri, banor i fshatit, dhe pas negociatave me të i ka shitur telefonin e turistit të vrarë. Telefoni celular është vënë në përdorim nga blerësi dhe ai është lokalizuar menjëherë nga policia. Pasi është identifikuar përdoruesi i telefonit të vjedhur, ai është marrë në pyetje dhe ka deklaruar se celularin e kishte blerë nga shtetasi Sokol Mjacaj. Ai ka treguar edhe vendin ku e kishte blerë, ndërsa nga verifikimet që kreu policia rezultoi se lokali ishte i pajisur me kamera sigurie. Pamjet filmike kishin regjistruar shitjen e telefonit nga 20-vjeçari Mjacaj te banori i zonës.

Këto prova kanë bindur hetuesit për autorësinë e krimit, nisur edhe nga precedentët e mëparshëm penalë që kishte pasur i dyshuari. Mjacaj ishte liruar nga burgu vetëm një muaj më parë, pasi kishte shlyer një dënim prej 5 vitesh heqje lirie për akuzën e vjedhjes me pasojë vdekjen e një 13-vjeçari .Gjykata e Apelit në Shkodër i kishte ulur të paktën 5 vite nga dënimi i dhënë nga shkalla e parë, pasi i pandehuri kishte pranuar të bashkëpunonte dhe të tregonte autorët e krimit të rëndë, të ndodhur në vitin 2010. Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen e tre korrikut nuk ka ende një version përfundimtar mbi motivet e krimit, pasi viktimave iu ishte marrë vetëm një telefon celular. Dyshimet e para bien mbi grabitjen e automjetit nga ana e 20-vjeçarit, por pas ngjarjes makina ka bërë disa rrotullime dhe mund të mos ketë qenë në gjendje të ecë./mapo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat