DPA: Merkel fillon turin në Ballkanin Perëndimor me vizitën në Shqipëri

Shqipëria

DPA: Merkel fillon turin në Ballkanin Perëndimor me vizitën në Shqipëri

Më: 8 korrik 2015 Në ora: 18:47

Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbërriti sot në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, në turin e saj dyditor në tre vende të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, shkruante sot agjencia gjermane e lajmeve, DPA.

Merkel tha se ”lidhjet e ngushta mes vendeve të Ballkanit dhe BE-së janë të rëndësishme për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, çka është edhe në interes të Gjermanisë”.

“Besoj se do të njihet kudo se Shqipëria ka bërë një hap të madh përpara,” tha Merkel pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Po përpiqemi ta mbështesim Shqipërinë në rrugën e saj”, theksoi kancelarja.

Dikur një bastion i ashpër, izoluar nën regjimin komunist, Shqipëria iu bashkua NATO-s në 2009 dhe mori statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian vitin e kaluar, pas një vonese të gjatë nga shqetësimet mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Gjithsesi, ajo mbetet një nga vendet më të varfëra të Europës dhe më pak të zhvilluara.

Merkel tha se në Tiranë zyrtarët ranë dakord me planet e Gjermanisë për ta vendosur Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta, gjë që do ta lehtësojë dhe përshpejtojë riatdhesimin e shumë azilkërkuesve, të cilët u janë drejtuar vendeve të Evropës.

“Ne ramë dakord se Shqipëria nuk bën pjesë në shtetet që u njihen kërkesat për azil”, tha ajo.

Në mbrëmje, Merkel do të vazhdojë vizitën e saj në Beograd dhe të enjten në kryeqytetin e Bosnjes, Sarajevë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat