Ditmir Bushati ja çfarë u diskutua me Merkel

Shqipëria

Ditmir Bushati ja çfarë u diskutua me Merkel

Më: 9 korrik 2015 Në ora: 23:41

Kanë kaluar më shumë se 24 orë nga vizita e Angela Merkel në Tiranë, një vizitë e rëndësishme dhe pikënisje e turit të saj ballkanik, ku më pas udhëtoi drejt Serbisë dhe Bosnjes. Vizita pritej me interes, jo vetëm brenda, por edhe jashtë Shqipërisë dhe kjo për faktin se fqinji ynë jugor, Greqia është duke kaluar krizën më të thellë ekonomike prej dekadash. Gjithsesi, për krizën greke u fol pak, por u fol shumë për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij europiane.
Me rëndësi për shqiptarët ishte që vizita nisi në Tiranë, por a është vizita e Merkelit, për më tepër sjellja e saj e re me shqiptarët, një mundësi që nuk duhet humbur? Kjo ishte tema e Top Story me Sokol Ballën këtë të enjte, ku i ftuar përballë analistëve në panel ishte ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.

Vizita e Merkelit interpretohet prej ministri Bushati, veç të tjerash edhe një përpjekje për të mbajtur vendet e rajonit në perspektivën e qartë europiane dhe larg ndikimit të vendeve të treta.

“Mund të thuhet që Gjermania është donatori kryesor në Ballkanin Perëndimor dhe vizita e Merkel në një pjesë të rajonit bëhet edhe në kontektsin e disa zhvillimeve të rëndësishme me atë se me çfarë po përballet Europa në lindje dhe në jug të saj dhe për shkak të situatës specifike që po kalon Bashkimi Europian dhe Eurozona me krizën greke. Gjermania ka një ripozicionim në këtë kontekst, një kundërpërgjigje dhe një vëmendje ndaj vendeve të Ballkanin Perëndimor. Është po Gjermania që nisi procesin e Berlinit dhe në këtë proces, janë kyçur disa vende dhe disa institucione ndërkombëtare për të lidhur rajonin. Por vizita ishte edhe për të mbajtur vendet e rajonit në perspektivë të qartë europiane, larg influencës së aktorëve të tjerë, që kanë qenë prezencë me investime dhe lidhje të ndryshme në rajon”, tha Bushati.

Kryediplomati shqiptar tha se temat e diskutuar në takimet dypalëshe janë ato që u fol edhe në konferencën e përbashkët për shtyp mes Merkelit dhe Ramës.

“U fol për thellimin e investimeve gjermane në Shqipëri, përmirësimin i klimës së biznesit dhe ndaj investimeve gjermane në veçanti dhe kemi pasur një shkëmbim të pasur për krizën në Greqi, zhvillimet në Maqedoni dhe Kosovë”, u shpreh ai.

Por a e justifikojnë këto trumpetimin që iu dha kësaj vizite, njësoj si ato që u kemi dhënë funksionarëve të lartë të SHBA apo Papës? Për analistin Shpëtim Nazarko, po.

“Merkel në një lloj mënyre është Papa i Europës, për vendin që përfaqëson dhe fuqisë ekonomike që ka nga pas”, tha Nazarko, duke shtuar se investimi më madhor i Berlinit në rajon deri më tani, është për stabilitetin, për të shmangur çdo konflikt të mundshëm në rajon”, tha ai.

Ndërsa analisti tjetër, Skënder Minxhozi u shpreh se rëndësia e vizitës së Merkelit nuk ishte për ato që tha, por sepse ndodhi. “Prezenca e saj është rezultati kryesor i vizitës. Është një mesazh shumë i fuqishëm politik”, vlerësoi ai.

Arjan Vasjari nga ana tjetër vuri në dukje një paradoks, sipas tij.

“Duhet pranuar që ka një paradoks në sjellen e Gjermanisë ndaj Ballkanit. Është e vërtetë që nga 1989 është nga donatorët kryesorë në Ballkan, ku shuma vetëm në Shqipëri kalon 1 mld euro, por Gjermania është futur me vonesë politikisht, këtu i referohem Ballkanit Jugor dhe Perëndimor”, tha ai.

Ministri Bushati vuri theksin te domosdoshmëria e reformave, që vlerësohen si jetike sa i përket procesit të integrimit.

“Duhet të shohim dhe lexojmë këtë vizitë dhe këtë marrëdhënie realisht. Të kuptojmë që rruga jonë është e vështirë. Duhen reforma të brendshme, më e rëndësishmja ajo në drejtësi dhe përmirësimi i marrëdhënieve mes njëri-tjetrit në rajon”, tha Bushati.
Ministri i Jashtëm vlerësoi progresin sa i përket marrëdhënieve në rajon, duke përmendur këtu vizitat respektive, fillimisht të Ramës në Beograd e më pas të Vuçiç në Tiranë.

“Duam të shkojmë së bashku në Vjenë me projektet të përbashkëta në infrastrukturë për të marrë mbështetje konkrete nga pala gjermane. Pra është një proces i dyanshëm, ku ne duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë dhe BE duhet të ketë sensin e lartë politik për të mbajtur të gjallë këtë proces”, deklaroi krydiplomati shqiptar.

Ditët e fundit ka pasur një numër të madh azilkërkuesish shqiptarë drejt Gjermanisë dhe në konferencën me Merkel, kryeministri Rama foli për një zgjidhje, për një dimension social të kësaj krize. Por a do të ketë diçka konkrete?

“Së pari Shqipëria sipas legjislacionit gjerman nuk konsiderohet vend origjine i sigurt. Kjo lë të hapur këtë. Ne do të kishim pasur dëshirë që të kishim një tjetë vlerësim, në mënyrë që e gjithë procedura të kryhej në një kohë rekord, krahas punës së përbashkët që është duke u bërë në kufi dhe kontrollit të përbashkët që do të bëjmë së bashku me policinë gjermane në Kakavijë dhe Kapshticë, për t’i bërë ballë fluksit që është vënë re në këto dy pika hyrëse. Kemi diskutuar për mundësitë e programeve sesi mund të ndihmohet Shqipëria për sa i përket arsimit profesional. Kemi folur me Merkel për ta krijuar dhe zhvilluar këtë fuqi punëtore, sepse në radhë të parë i bën mirë vendit, për të zhvilluar vendin, e jo më për t’u shfrytëzuar për tregun e punës në Europë”, u shpreh Bushati.

Skënder Minxhozi u ndal tek kriza greke dhe ndikimi që ajo mund të ketë në ekonominë tonë. Ai kërkoi nga ministri Bushati nëse pala shqiptare ka gati një ‘faturë’ për ta dorëzuar në Bruksel në rast të një dalje të mundshme të Greqisë nga Eurozona.

“Kemi diskutuar me kancelaren Merkel mbi implikimet e krizës greke në Shqipëri dhe rajon dhe ka qenë një interesim i drejtpërdrejtë i saj për të mësuar qëndrimin tonë mbi këtë çështje. Kemi avancuar me kërkesat tona ndaj Gjermanisë dhe institucioneve të BE-së sesi problemet e krizës greke mund të rregulloheshin në ekonominë tonë dhe sigurisë që shpërfaq kriza greke, sigurisë energjetike, aq më tepër që një pjesë e investimeve strategjike vihen në pikëpyetje, i vetmi projekt që ka nisur të zbatohet, është TAP, të tjerët janë të gjithë virtualë. Tashmë kemi rrjedhën turke, që Greqia kërkon ta quajë rrjedha turko-greke, por të gjitha planet për sistemin energjetik janë vënë në pikëpyetje dhe kjo sjell pasoja edhe për BE-në. Greqia është një vend që ka çështje dypalëshe të pazgjidhura me një pjesë të mirë të fqinjëve të saj dhe ne e dimë që në situata të vështira, nacionalizmi kthehet në modë. I gjithë ky kontekst ka qenë pjesë e diskutimeve të djeshme me kancelaren Merkel”, u përgjigj Bushati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat