PD: Nafta po varfëron shqiptarët, qeveria të heqë taksën e qarkullimit

Shqipëria

PD: Nafta po varfëron shqiptarët, qeveria të heqë taksën e qarkullimit

Më: 11 korrik 2015 Në ora: 14:24

Partia Demokratike akuzon qeverinë se nuk po bën asgjë për të ulur çmimin e naftës në vend.

Në një deklaratë për media, deputeti Gerti Bogdani tha sot se çmimi i naftës në Shqipëri po arrin shifrat rekord duke shkaktuar edhe më shumë kosto e varfëri te qytetarët, ndërsa qeveria vazhdon të kundrojë nga larg këtë plagë ekonomike.

“Çmimi i naftës ka arritur deri në 190 lekë litri, më i shtrenjti në rajon e më gjerë, duke ndikuar në shtrëngimin edhe më tej të jetesës. Ndërkohë, Edi Rama vazhdon me kokëfortësi të mbajë taksat e rritura mbi qarkullimin, duke refuzuar të ulë kështu çmimin e naftës”, theksoi Bogdani.

Sipas tij, Shqipëria është i vetmi vend ku çmimi i naftës vazhdon të rritet, ndërkohë që prej dy vitesh nuk rriten me asnjë qindarkë pagat dhe pensionet. “Nga këto tarifa e çmime skandaloze po përfitojnë miqtë dhe klientët e qeverisë, që pasurohen çdo ditë në kurriz të qytetarëve. Partia Demokratike i bën sërish thirrje qeverisë të heqë taksën e qarkullimit dhe të ulë kështu çmimin e naftës e të lehtësojë jetën e shqiptarëve”, nënvizoi deputeti i PD-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat