Kthim në Shqipëri i azilkërkuesve nga Gjermania

Shqipëria

Kthim në Shqipëri i azilkërkuesve nga Gjermania

Më: 14 gusht 2015 Në ora: 13:59

Në dy ditët e fundit në aeroportin e ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë janë kthyer 121 shtetas shqiptarë, të cilët kanë pasur qëllim qëndrimin në Gjermani përmes kërkesës për azil. Në bordin e dy çarterave me të cilët kanë udhëtuar, përbërja ka qenë e ndryshme. 38 pasagjerët e ditës së mërkurë ishin me statusin e të deportuarit nga territori gjerman, pasi atyre iu ishte refuzuar kërkesa për azil. Ndërkohë që 83 shtetasit që mbërritën të enjten në Rinas ishin të kthyer vullnetarisht për në Shqipëri.
Për të dy rastet trajtimi nga autoritetet policore në aeroportin ndërkombëtar ka qenë i ndryshëm. Për të deportuarit është ndjekur një procedure rigoroze për evidentimin e rrethanave për secilin prej pasagjerëve, duke zhvilluar intervista dhe verifikime, bazuar në informacionet e stacioneve të policisë në vendlindjet e tyre. Për këtë kategori është bërë e qartë se, nga akti që kanë bërë, duke shkelur rregullat e lëvizjes së lirë dhe qëndrimit në zonën Schengen të BE-së, ka si penalitet dhe heqjen me afat të kësaj të drejte. Kurse për ata që kanë vendosur të kthehen vullnetarisht, procedura e mbërritjes dhe e kontrollit në aeroport ka qenë njësoj si e qytetarëve të zakonshëm që kthehen nga një vizitë turistike.

Bashkëpunimi me autoritetet policore gjermane

Shefi i Komisariatit të policisë së kufirit dhe emigracionit në Rinas ka qenë vetë prezent në operacionin e kthimit të azilkërkuesve në 48 orët e fundit. Komisar Ermal Milori tregon për Deutsche Welle-n se ka një bashkëpunim intensiv me autoritetet policore gjermane.
“Është një proces ku shkëmbimi i informacionit është i domosdoshëm. Ne bëjmë kujdes që të evidentojmë rastet e personave me precendentë penalë, ndërkohë që në rastet e deportimeve ndjekim një protokoll të imët të intervistimit dhe verifikimit, për të mësuar gjithçka që nga momentet kur dhe si janë nisur nga Shqipëria, udhëtimin drejt Gjermanisë, ose vendeve të tjera të BE-së, linjën që kanë ndjekur etj., etj. Pavarësisht nëse janë të deportuar apo të kthyer vullnetarë, punonjësit e policisë respektojnë të drejtat e njeriut, duke vepruar pa paragjykime individuale ose familjare, duke zbatuar ligjin dhe procedurat.”
Komisar Milori tregon se angazhimi i njësive policore nuk është vetëm për menaxhimin e rasteve të të kthyerve, por dhe në evitimin përpjekjeve të udhëtimeve nga aeroporti në drejtim të Gjermanisë a vendeve të BE-së për qëllime azili. Si në të gjitha pikat e kalimit kufitar të vendit edhe në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas janë shtuar masat “antiazil”.
“Për rastet ku ka dyshime se qëllimi i daljes nga Shqipëria është për azil kemi instruktuar punonjësit që të bëjnë kontrolle më të imta në dokumentacion, në bagazhe etj. Kemi pasur raste kur shtetasit kanë pasur me vete dhe vërtetime jo të besueshme për gjakmarrje, apo evidenca të tjera që na kanë bërë të dyshojmë se qëllimi i fluturimit të tyre me avion për në zonën Schengen është kërkesa për azil. Ne i kemi sqaruar qytetarët se nuk kanë asnjë mundësi qëndrimi në Gjermani apo vende të tjera dhe se investimi që ata bëjnë do të shkojë dëm.”
Javët e fundit zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit kanë bërë inspektime në pikat e kalimit kufitar të vendit, duke njoftuar shtimin e masave të sigurisë për parandalimin e lëvizjes së qytetarëve për qëllime të kërkimit të azilit. Vizitor në njërën prej pikave të kalimit kufitar në jug të vendit ishte dhe ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Hellmut Hoffmann. Ai njoftoi shkurtimin e kohës së verifikimit të kërkesave për azil në vendin e tij brenda katër javësh, duke përsëritur apelin se “është krejtësisht e qartë që të gjithë këta shtetas nuk kanë shanse të marrin azil, do të kthehen mbrapsht”.

Një arsye për vizitën e kryediplomatit është dhe fakti se në dy pikat kryesore të kalimit kufitar me Greqinë, në Kakavijë dhe në Kapshticë, prej rreth një muaji janë të atashuar dhe 12 agjentë dhe ekspertë gjermanë të Policisë Federale, të cilët kooperojnë në terren me homologët shqiptarë në luftën kundër migracionit ilegal dhe krimit ndërkufitar.

Ëndrra e ndërprerë

Në avionin çarter të të kthyerve vullnetarë ka nga të gjitha moshat, nga fëmijë 2-3 vjeç deri dhe të moshuar. Ka nga ata që kanë emigruar familjarisht si dhe në mënyrë individuale, me eksperiencë të mëparshme ose që e provojnë për herë të parë. Me stresin dhe zhgënjimin e asaj që kanë lënë pas, ata nuk preferojnë të flasin për median. Për pjesën më të madhe të tyre kanë dalë për t'i pritur në aeroport familjarë, të afërm dhe miq. Kanë histori personale e familjare të ndryshme për mënyrën se si kanë mbërritur në territorin gjerman. Kanë udhëtuar nga Mali i Zi, nga Greqia dhe më pak nga Italia apo vend tjetër brenda zonës Schengen. Qëllimi ka qenë i njëjtë: për një jetë më të mirë në Gjermani, për punë dhe të ardhura.
Një 25 vjeçar nga Mirdita thotë se arriti të qëndrojë vetëm 3 muaj në kamp. “Nuk kam nxjerrë as shpenzimet e udhëtimit. Kishte ditë që nuk ngopesha me ushqim. E kisha menduar tjetër. Doja të punoja të merrja lekë dhe të jetoja si njeri. Po ashtu nuk mund të qëndroja dot. Ndaj dhe u ktheva”.
Pyetjes se çfarë do të bëjë tani që u kthye sërish iu përgjigj vetëm me ngritje supesh. Ndoshta më i pafati nga të kthyerit e ditës së enjte ishte një azilkërkues nga Elbasani, rreth të tridhjetave. Ai thotë se ka qëndruar në një kamp afër Frankfurtit vetëm 40 ditë. Ka udhëtuar me avion nga Selaniku i Greqisë për në Frankfurt. “Isha në të njëjtin vend me refugjatë nga vende të ndryshme, sirianë, irakenë, afganë e shtete të tjera. Nuk mund të rrija dot, e kuptova se nuk mund të arrija gjë, ndaj dhe u ktheva me dëshirën time”.
Për ata që janë shpërngulur si familje sfida e azilimit ka qenë dhe më e fortë. Vetëm 3 muaj ka zgjatur aventura e një familje nga Puka, me dy bashkëshortët dhe dy fëmijët e vegjël. Duke u takuar me të afërmit e tyre në aeroport ata përsërisinin bekimin se të paktën janë mirë me shëndet dhe dy të miturit ia dolën në këto muaj ankthi, pritje dhe padurimi për fatin e qëndrimit në Gjermani.
Të afërm të atyre që kthehen vullnetarisht apo si të deportuar tregojnë dhe për shumat që janë paguar për endrrën e azilit. Fatmiri, nga rrethinat e Shkodrës, tregon se vëllai i tij ka paguar taksinë me 1200 euro për tre vetët e familjes, për udhëtimin nga Shkodra drejtpërdrejt në Gjermani.
“Ikën që në janar, por ishte shtrënguar shumë. Pas 8 muajve e kanë kthyer familjarisht. Nuk kishte asnjë shpresë që të merrte azil, E refuzuan dy herë. Veç kësaj, atyre nuk do i lejohet për ca kohë që të udhëtojë për në Evropë. I shkoi mundimi dëm.”

Azilkërkuesi shqiptar:“Gjermania - jo si na thonin të tjerët në Shqipëri.”

Është fjalia më e përsëritur e ditëve të fundit. Artikulohet nga zyrtarët e policisë shqiptare, nga përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Punëve të Jashtme, nga selia diplomatike gjermane në Tiranë. Madje kjo e fundit, pasi e ka përfshirë këtë pohim në njoftimin për mediat që ka lëshuar në fillim të kësaj jave, e ka plotësuar dhe me informacionin se “aplikimet për azil nga Shqipëria do të përpunohen më shpejt. Shpenzimet për kthimin në atdhe duhet t'i paguajnë azilkërkuesit. Ato janë më të mëdha se ndihma që marrin azilkërkuesit në Gjermani”.
Ambasada Gjermane ka publikuar dhe një email që ka marrë në datën 6 gusht 2015 nga një familje shqiptare, e cila ka kërkuar azil në Gjermani. “Përshëndetje,
ne jemi një familje shqiptare. Para disa ditësh mbërritëm në Gjermani dhe aplikuam për azil në Mynih (München). Tre ditë më pas u transferuam në Eisenberg. Këtu po shohim se gjërat nuk janë ashtu si na thonin të tjerët kur ishim në Shqipëri. Duam të kthehemi përsëri në vendin tonë pasi kemi dy fëmijë të mitur dhe një grua të moshuar, të cilët qajnë gjithë ditën. Administrata e azilit këtu na thotë se duhet të presim katër javë dhe duhet të paguajmë vetë biletat e kthimit. Por ne i kemi shpenzuar të gjitha paratë për të ardhur këtu dhe ndërkohë nuk kemi marrë para ndihmë. Ajo çka duam është vetëm të kthehemi në Shqipëri. Ju lutem na ndihmoni!”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat