Tahiri: Avioni me drogë nuk u nis nga Shqipëria. Noka: Je hajdut kasetofonash dhe përdorues hashahi

Shqipëria

Tahiri: Avioni me drogë nuk u nis nga Shqipëria. Noka: Je hajdut kasetofonash dhe përdorues hashahi

Nga: Gjergj Koja Më: 7 shtator 2015 Në ora: 14:17

Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri ka sqaruar nga salla e Kuvendit se avioni i kapur me drogë në Itali, për të cilin mediat italiane raportuan se ishte nisur nga Shqipëria, nuk ka pasur pikënisje territorin shqiptar.

“Kam raportin e kuesturës dhe policisë italiane. Avioni është nisur nga Torino për Leçe. Në rastin më të keq me standardin tuaj Ministri i Brendshëm italian është i përfshirë në trafik droge bashkë me Kryeministrin italian sepse ky avion është nisur nga Torino për Leçe?! Ç‘punë ka këtu policia shqiptare, ç’punë ka Ministri i Brendshëm, ç’punë ka Kryeministri, Qeveria e kështu me radhë. Pse duhet të jetë ky motiv që të çoheni dhe të shpifni këtu”, u shpreh Tahiri. Në fjalën e tij, ministri i Brendshëm tha se është vendosur një standard të ri në raport me luftën kundër drogës.

“Ju me makinat e shtetit ujisnit parcelat, ne luftojmë trafikun e lëndëve narkotike dhe vëmë përpara drejtësisë edhe punonjës të policisë që janë përfshirë. Nuk do konsumoj një sekondë të vetme për të bërë detyrën për të luftuar krimin dhëmbë për dhëmbë dhe në qoftë se ndonjëri prej jush i del përpara policisë do mbajë përgjegjësi ligjore, sepse ne kemi treguar që bëjmë detyrën pavarësish kush i del përpara policisë, deputetë, ish-ministër, ish-kryeministër, deputet aktual dhe kushdo tjetër”, theksoi Tahiri.

Por ish-ministri i Brendshëm në kohën e Qeverisë Berisha, deputeti demokrat Flamur Noka tha se gjitha përgjegjësitë bien mbi ministrin e Brendshem dhe Kryeministrin. “ Avioni i kapur dje në Itali konfirmon se të gjitha lidhjet që e kanë përcjellë atë shkojnë tek ky, avioni i kushurinjve shkon tek ky, avioni i Riformatos, të gjithë dalin njerëz të lidhur me të. Si mund të mbillet Shqipëria hashash pa mburojë politike. Ishim në pushtet, pse nuk u mboll Shqipëria hashash, pse nuk kishte asnjë të dhënë për trafik heroine dhe kokakinë. Është raporti i DASH, nuk e themi vetëm ne.

Këto i diskutoni dhe ju nëpër kafe dhe këtu doni ta mbroni. Nuk mund të mbrohet”, tha Noka. Ai iu referua edhe akuzave të bëra nga ish-oficeri i antidrogës së Fierit për lidhjet e Tahirit me narko-trafikun.

“Ai oficeri, Zagani, që ky u mundua ta nxjerrë edhe armik edhe kriminel, ai ka qenë një oficer në punë të tij. Ka pasur një bashkëpunim me Guardia de Financën, pse? Sepse besueshmëria e atij dhe çdo oficeri të ndershëm te kupola e policisë dhe tek ky është zero. A e dini ju se sot nuk ka bashkëpunëtorë të policisë, sepse nuk ka besim sepse ky është i lidhur me krimin, ky bën trafikun e të gjithë llojeve të drogave, të gjitha kalojnë nga duart e tij. A ishte skafi dhe makina e tij që u bënë publike. Ju kam thënë mos e bëni Ministër se ka qenë hajdut kasetofonash, përdorues hashashi dhe është i skeduar në policinë e shtetit, i kapur peng nga krimi dhe ju e bëtë. Ja ku jemi sot.

Shqipëtarët kanë vetëm një fat sot, se qeveria e Sali Berishës liberalizoi vizat dhe mund të ikin jashtë në rrugë ligjore, sepse në të kundërt sot ky do të ishte kapoja i trafikut në det. Largojeni sa nuk është vonë, sepse ky sëbashku me shokët e tij do ju marrë përpara dhe do të përfundoni në pus”, tha Noka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat