Tahiri takon Kryeprokurorin: Heto akuzat ndaj meje

Shqipëria

Tahiri takon Kryeprokurorin: Heto akuzat ndaj meje

Nga: Gjergj Koja Më: 7 shtator 2015 Në ora: 17:45

(E plotësuar)Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla të kryejë çdo hetim të nevojshëm, nisur nga akuzat e hedhura në adresë të tij. Ministri iu drejtua zyrës së Prokurorit të Përgjitshëm rreth orës 17:00.
“Besoj e keni ndjekur të gjithë tollovinë politike të ditëve të fundit me akuza dhe shpifje pa fund.
Kryeministri, qeveria, mazhoranca është votuar nga qytetarët për të punuar në interesin më të lartë të qytetarëve dhe të vendit. E në këtë kuadër unë nuk kam asnjë sekondë kohë për të humbur në llumin e shpifjeve që është mësuar politika e vjetër të përdorë, sa herë i duhet që të dalë përtej modelit që duhet. Modeli i ligjshmërisë që duhet të instalojmë në vend dhe për të cilin po përpiqemi”, tha Tahiri pas takimit me Kryeprokurorin.

Pyetje: Z.Tahiri, jeni një ndër të akuzuarit, a do të ishte më e udhës që duke dhënë një dorëheqje të mundshme t’i hapnit rrugë hetimit në këtë formë dhe të mos paragjykoheshit më pas lidhur me konkluzionin?
Ministri Tahiri:
Saliu ka kërkuar dorëheqjen time, dorëheqjen e Kryeministrit dhe dorëheqjen e qeverisë që pa marrë detyrën ne. Kështu që nuk e kam standard të punës sime, madje kur më shan Saliu ndihem më mirë, sepse do të thotë që po bëj gjënë e duhur.

Pyetje: Zagani ka thënë që ju jeni i përfshirë në trafikun e drogës …?
Ministri Tahiri:
Do të hetojë Prokuroria.

Tahiri takon Llallën, koka e kujt “pritet” pas Prengës e Ndokës?

Mësohet se ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të takohet rreth orës 17.00 të ditës së sotme me kryeprokurorin Adriatik Llalla në mjediset e Prokurorisë së Përgjithshme.

Ky takim vjen pas arrestimit të deputetit socialist Armando Prenga për plagosje me dashje dhe armëmbajtje pa leje, si dhe pas dorëheqjes nga mandati të deputetit tjetër socialist Arben Ndoka, që të dy emra të përfolur nga opozita dhe disa media si me precedentë penalë.

Dy ditë më parë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Donalde Lu u takua me Tahirin, Ramën dhe Bashën.

Efektet e tërmetit të atij takimi u ndjenë menjëherë në ditët në vijim.

Tani mbërrin edhe ky takim Tahiri-Llalla.

Koka e kujt do të “pritet” kësaj here?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat