Akuzat e ish-vartësve, Tahiri takon ambasadorët e BE-së

Shqipëria

Akuzat e ish-vartësve, Tahiri takon ambasadorët e BE-së

Më: 9 shtator 2015 Në ora: 14:08

Akuzat e ish-vartësve të tij në rrethe për implikim në trafiqe droge dhe ato të përsëritura në Kuvend nga opozita, duket se kanë qenë shkaku i një takimi të paparashikuar të Ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, sot me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian të akredituar në Shqipëri.

Takimi që ka zgjatur rreth 1 orë e 30 minuta, u mbajt në selinë e Bashkimit Europian në Tiranë.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, pas takimit, ministri Tahiri tha se, u fol për prioritetet e ministrisë së Brendshme.

“Patëm mundësi të bisedonim me Ambasadorët e BE-së për një sërë çështjesh që i përkasin prioriteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, kundër trafikut, kundër kultivimit të trafikimit të lëndëve narkotike dhe prioriteteve në tërësi të Ministrisë, në kuadër të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe luftës kundër parasë kriminale”,- deklaroi Tahiri, pa dhënë detaje të tjera.

Ky takim i ministrit Tahiri bëhet pak ditë pas dëshmisë së një ish-shefi policie të shkarkuar dhe të akuzuar për shpërdoprim detyre. Dritan Zagani akuzon familjarë të ministrit Tahiri se luajnë trafiqet e drogës në qytetin e Vlorës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat