Tatimet apel bizneseve: Raportoni xhirot ditore online. Penaliteti 10000-50000 lekë

Shqipëria

Tatimet apel bizneseve: Raportoni xhirot ditore online. Penaliteti 10000-50000 lekë

Nga: Gj.K Më: 10 shtator 2015 Në ora: 18:51

Tatimet i ka drejtuar një thirrje bizneseve që të raportojnë online në fund të cdo dite xhiron e tyre ditore.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka bërë thirrje biznesve të bëjnë raportimin brenda 24 orëve, në të kundërt do të gjobiten, por edhe do të ndiqen penalisht për evazion fiskal.

Tatimet kërkojnë nga biznesi që në përfundim të orarit të punës, pasi të kënë mbyllur shitjet ditore, duhet ti raportojnë ato on-line në serverin e DPT-së. Raportimi nuk duhet të kalojë orarin më të fundit të pranueshëm, ora 24.00, pas të cilit fillon një datë e re.

Administrata Tatimore ju bën thirrje edhe tatimpaguesve, të cilët prej kohësh nuk kanë bërë transmetimet ditore që të fillojnë t'i realizojnë ato. Ky është një detyrim ligjor, i cili në rast moszbatimi ju penalizon me gjoba nga 10 000 – 50 000 lekë. Administrata Tatimore po monitoron prej kohësh këtë detyrim të tatimpaguesve.

Për të gjithë shkelësit që nuk e zbatojnë detyrimin e mësipërm, Administrata Tatimore do t'i kalojë për veprime të mëtejshme strukturave të saj të Hetimit Tatimor dhe atyre të Krimit Ekonomik dhe Financiar në Policinë e Shtetit për veprën penale të fshehjes të të ardhurave dhe evazionit fiskal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat