Bashkia Tiranës vendos sinjalistikë dhe vija të bardha në çdo rrugë shkolle

Shqipëria

Bashkia Tiranës vendos sinjalistikë dhe vija të bardha në çdo rrugë shkolle

Më: 12 shtator 2015 Në ora: 13:32

Ditën e sotme, Bashkia e Tiranës ka nisur vendosjen e sinjalistikës rrugore në çdo shkollë, për ndalimin e automjeteve që transportojnë nxënësit, si dhe vendosjen e vizave të bardhave.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali, ishte sot e pranishme në shkollën “Vasil Shanto”. Nga aty, ajo njoftoi se në bazë të urdhrave të nxjerrë një ditë më parë nga kryebashkiaku Veliaj, janë marrë masat e para për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Ditën e hënë fillon viti i ri shkollor dhe Bashkia e Tiranës është e angazhuar për të siguruar ambientet ku lëvizin nxënësit e shkollave. Pranë shkollës ‘Vasil Shanto’ kemi vendosur tabelën për ndalimin e automjeteve që transportojnë nxënësit dhe njëkohësisht vijëzimin e rrugës së bardhë. Këto dy masa do të merren për të gjitha shkollat e Tiranës”, njoftoi Paskali.

Ndërsa ditën e djeshme, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka firmosur dy urdhra që do të sjellë kufizimin e lëvizjes së furgonëve të transportit të mallrav,e për të lehtësuar trafikun ditor dhe njëkohësisht do të merren masa për rritjen e sigurisë së transportit të fëmijëve në shkolla.

“Për ne siguria e fëmijëve është shumë e rëndësishme, por njëkohësisht edhe mosvonesa e tyre në orët e mësimit është po aq e rëndësishme”, theksoi Brunilda Paskali.

Ajo ka shtuar se, paralelisht me masat për sigurinë e fëmijëve në shkolla ka nisur aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje përreth ambienteve të shkolla.

“Bashkia e Tiranës, ndërkohë do të vazhdojë aksionin për lirimin e hapësirave rreth ambienteve shkollore. Ashtu siç kemi filluar në njësinë 5 do të vazhdojmë të marrim masa për të gjithë lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të padrejtë rreth ambienteve shkollore”, nënvizoi Paskali.

Ndërsa paraditen e sotme, Inspektorati Urbanistik Vendor i Bashkisë së Tiranës ka ndërhyrë në shkollën “Sabaudin Gabrani”, ku ka prishur ndërtimet pa leje rreth godinës. Të gjitha ambientet e liruara do të rehabilitohen dhe do të kthehen në funksion të shkollave dhe për rritjen e sigurisë së nxënësve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat