Canon: Nuk do të doja të përfaqësohesha nga një gangster

Shqipëria

Canon: Nuk do të doja të përfaqësohesha nga një gangster

Më: 15 shtator 2015 Në ora: 09:42

Nga Durrësi, ku mori pjesë në ceremoninë e hapjes së kursit të anglishtes në Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare, ambasadori britanik në vendin tonë, Nicholas Canon përcolli një mesazh të qartë për politikën shqiptare lidhur me procesin e dekriminalizimit të saj dhe institucioneve shtetërore.

Megjithëse nuk ka pranuar të flasë hapur dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, ambasadori ka lënë të kuptohet qartë se është pro dekriminalizimit të politikës.

Kështu, ai ka deklaruar se personalisht nuk do dëshironte të përfaqësohej nga një gangster dhe kjo është mënyra si duhet ta shikojë këtë çështje çdo shqiptar me të drejtë vote.

“Unë nuk do të doja të përfaqësohesha nga një gangster, dhe njerëzit këtu duhet ta mendojnë në këtë mënyrë e të vendosin atë që duan. Unë nuk kam të drejtë vote, ju keni, ndaj duhet ta mendoni si do veproni”, – deklaroi ai.

Në këtë kuadër, ambasadori britanik kërkon që drafti për dekriminalizimin të mos jetë vetëm pjesë e debateve të politikës, por të shtrihet edhe më tej.

Canon sugjeroi që çështja e dekriminalizimit të diskutohet me shoqërinë civile dhe qytetarët.

“Mendoj se ky është një vendim mes shqiptarëve dhe Parlamentit shqiptar, por ka një çështje thelbësore, që publiku ka të drejtë të përfaqësohet nga niveli më i lartë. Kush dëshiron të përfaqësohet nga njerëz që kanë pasur probleme me trafikun e qenieve njerëzore apo trafikun e drogës, është një problem që duhet zgjidhur, çështja është si duhet vepruar? Është për t’u debatuar midis politikanëve, por edhe publikut, si mendon publiku, më pas vendoset mes palëve si duhet vepruar”, sugjeron ambasadori britanik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat