Dekriminalizimi/Spahiu thirrje Ambasadorëve: Mbështesni zgjedhjet e parakohshme, izoloni politikanët e korruptuar

Shqipëria

Dekriminalizimi/Spahiu thirrje Ambasadorëve: Mbështesni zgjedhjet e parakohshme, izoloni politikanët e korruptuar

Më: 19 shtator 2015 Në ora: 10:28

Aleanca KuqeZi shpalli sot në aktivin e Tiranës strategjinë për dekriminalizimin e politikës shqiptare. Kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu adresoi kritika të ashpra ndaj Qeverisë Rama, por gjithashtu, ai kritikoj ashpër qëndrimin e ambasadorëve dhe trupit diplomatik në Tiranë.

"Thirrjet për dekriminalizim janë të mirëpritura nga ambasadorët e SHBA dhe BE, por ne diplomatikisht i ftojmë ata që të kuptojnë se thirrjet e ambasadorve dy vjet pas zjedhjeve parlamentare janë shumë të vonuara, pasi ata kishin mundësi dhe informacion për t’i adresuar para 23 qershorit të vitit 2013. Të nderuar ambasador, ju gabuat kur vutë re si shqetësim patriotizmin dhe jo banditizmin politik i cili po merrte peng shtetin shqiptarë. Patriotizmi nuk ishte dhe as është rrezik, por mafia dhe organizatat kriminale që sot kanë mbërthyer me korrupsion politik Tiranën, Shkupin, Prishtinën, Podgoricën, Ankaranë, Sarajevën dhe gjithë Ballkanin, çka dhe përbëjnë kërcënim për rajonin.

Sulltanët e politikës shqiptare dhe ballkanike janë pasuruar dhe krimi, trafiku, korrupsioni po largojnë popujt duke thyer barrierat kufitare dhe muret shengen”, tha Spahiu. Në vijim ai i ka drejtuar një pyetje Ambasadorëve të akredituar në Tiranë, nëse ata mendojnë se dekriminalizimin, sot po e kërkojnë tek ata që e kriminalizuan politikën dhe institucionet e këtij vendi.

“Ju reformën në drejtësi po ia besoni atyre që duhen arrestuar dhe prangosur për krime dhe korrupsion. Drejtësinë nuk mund ta themelojë krimi dhe ju vazhdoni të gaboni në mbështetjet dhe krahun që merrni. Shumë nga ju para dhe pas zgjedhjeve keni drekuar, vizituar, pozuar apo mbështetur shumë hapur disa nga këta politikanë që sot i deklaroni si të inkriminuar. Mbështetni zgjedhjet e parakohshme dhe ndryshimin e sistemit politik si mundësi e vetme për themele të reja ku mund të krijohet një elitë e re politike duke shkatërruar gërmadhën e vjetër ku pastrohen paratë e pista të shumë grupeve kriminale. Braktisni ata që janë mosmirënjohës ndaj mbështetjes amerikane dhe standardeve europiane se një gjeneratë e re po lind në politikën shqiptare. Refuzojuni vizat dhe izoloni qeveritarët e korruptuar dhe jo shqiptarët e varfëruar. Hapini dyert qytetarëve dhe mbylljani qeveritarëve",- theksoi në fjalën e tij, drejtuar ambasadorve Kreu i Aleancës KuqeZi; Kreshnik Spahiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat