Shqipëri-Serbi me 2300 policë, hiqen edhe valët e celularëve

Shqipëria

Shqipëri-Serbi me 2300 policë, hiqen edhe valët e celularëve

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 08:00

Përgatitjet për ndeshjen Shqipëri- Serbi, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian të Futbollit, Francë 2016, pritet të shoqërohen me masa të forta sigurie. Me mijëra tifozë vendas nga Kosova, diaspora të do jenë në mbështetje të ekipit tonë kombëtar ditën e sotme, çka ka bërë që Policia e Shtetit të kalojë në gatishmëri totale.

Për herë të para ndodh që një ndeshje futbolli të ketë një mobilizim kaq të madhe të efektivëve të policisë ku, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, do të jenë rreth 2300 policë, duke e vlerësuar maksimalisht sigurinë e ekipit serb para, gjatë dhe pas ndeshjes. Këto masa kaq ekstreme me bllokime rrugësh kryesore dhe dytësore, por edhe tunele nuk janë marrë as me ardhjen e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç në fund të majit në Tiranë, kur për sigurinë e tij u angazhuan 1500 trupa policore.

Altin Qato për sigurinë

Zv. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Altin Qato, është personi që do të mbajë përgjegjësi direkte nëse do të ketë trazira para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit Shqipëri-Serbi. Ai kërkon mirëkuptimin e të gjithë sportdashësve, ndërsa nga ana tjetër, thekson se të gjithë duhet të tregohemi të vëmendshëm që të mos lejomë të ndodhin incidente, duke dëmtuar ekipin tonë kombëtar, por edhe duke prishur imazhin e Shqipërisë në botë. “E gjithë policia është vënë në gatishmëri totale nga dita e djeshme. Për herë të parë ndodh që policia të angazhohet maksimalisht për mbarëvajtjen e një ndeshjeje futbolli. Primare për ne si polici, por edhe si vend pritës është që të mos ketë asnjë incident që të cenojë sigurinë e ekipit serb dhe për këtë gjë kemi hartuar një plan masash, në dukje drastike, por në të vërtetë është thjesht për shmangur çdo të papritur që dëmton jo vetëm ekipin tonë kombëtar, por na dëmton edhe nga ana e imazhit.

Gjatë udhëtimit të ekipit serb nga Tiranë në drejtim të Elbasanit, autobusi dhe stafi i tyre do të monitorohet nga ajri me një helikopter të Forcave të Armatosura tip “Cougar”, i cili ka një rreze fushëpamje deri në 5 kilometra. Po kështu, do të bllokohen valët e kompanive celularëve rreth 30 minuta përpara dhe gjatë momentit që do të bëhet lëvizja e ekipit serb në drejtim të stadiumit “Elbasan Arena”. Duhet të kemi mirëkuptimin edhe të qytetarëve tonë, sepse bëhet fjalë për çështje të sigurisë kombëtare. Në këtë kuadër, kemi kërkuar edhe ndihmën Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) për të monitoruar grupimet e ndryshme të tifozërisë nga Kosova dhe Diaspora me qëllim parandalimin në kohë të çdo incidenti antisportiv që cenon sigurinë e ekipit serb” theksoi Qato.

SHISH dhe Antiterrori në ruajtjen e sigurisë

Sipas Ministrisë së Brendshme, dita e sotme është vendimtare për të gjithë, ndërsa policia ka përgjegjësinë jo vetëm për mbarëvajtjen e sigurisë së një ndeshjeje futbolli, por Shqipëria si vend pritës ka edhe përgjegjësinë për sigurinë e ekipit mik nga Serbia. Në këtë kuadër, rreth 50 agjentë të SHISH-it do të jenë brenda ambienteve të stadiumit “Elbasan Arena” dhe kjo gjë bëhet për të parandaluar në kohë incidentet të mundshme që mund të lindin nga tifozeritë, kryesisht nga Kosova dhe Diaspora. Duke parë rëndësinë e ndeshjes së futbollit ku ekipi ynë kombëtar do të përballet me atë serb, kjo ndeshje është kthyer në çështje kombëtare dhe në këtë mënyrë do të japin kontributin e tyre edhe Shërbimi Inteligjent (SHISH), duke monitoruar nga afër këto grupe tifozësh, të cilët janë një rrezik potencial për të krijuar trazira brenda shkallëve të stadiumit. Nga ana tjetër, agjentët nuk do të jenë të dallueshëm për pjesën tjetër të tifozëve, duke veshur me fanellat dhe ngjyrat e ekipit tonë kombëtar. Një ndër pikat më thelbësore që Policia e Shtetit ka ndërmarrë për sot është aktivizimi i agjentëve të Antiterrorit, ku specifikë e punës së tyre është parandalimi në kohë të çdo veprimi terrorist që mund të kryhet, para, gjatë dhe pas ndeshjes me Serbinë.

Tahiri: Kujdes nga “huliganët”

Rreth 2300 forca policie, kryesisht në Tiranë dhe Elbasan do jenë të angazhuara për të garantuar rendin dhe sigurinë në kuadër të ndeshjes Shqipëri- Serbi. Kështu deklaroi dje Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili theksoi se kjo është një sprovë e rëndësishme, jo vetëm për kombëtaren tonë, por për çdo qytetar, sado, pak apo shumë, të interesuar për futbollin dhe jo vetëm. Policia Kufitare, tha ai, ka marrë masa në çdo pikë kufitare për monitorimin e kalimit e të gjithë shtetasve, veçanërisht të atyre që kanë për qëllim udhëtimi ndjekjen e ndeshjes.

Sipas ministrit Tahiri, në qoftë se në fushë do të luajnë 11 lojtarët e kombëtares sonë dhe 11-ja e skuadrës mike, jashtë fushës së blertë kemi të gjithë një rol e detyrë për të luajtur: çdo qytetar, i ndërgjegjshëm për rëndësinë dhe detyrën që kemi për të dhënë një shembull qytetarie. “Agjentë civilë do të jenë në të gjitha ambientet ku do të ketë grupime njerëzish dhe tifozësh, në akset rrugore, por edhe brenda stadiumit. E gjithë struktura e FNSH-së, RENEA- s dhe Njësia Antiterror është angazhuar në gatishmëri të plotë, për të parandaluar çdo kërcënim të prishjes së rendit dhe qetësisë publike”, u shpreh ministri Tahiri.

Video “paniku”, ndalohet 16-vjeçari nga Vlora

Dje është ndaluar nga policia e Vlorës një 16-vjeçar, pas shpërndarjes në rrjetin e tij social Facebook një video ku mbante në dorë një armë zjarri duke qëlluar në ajër me mbishkrimin “Ja si do e presim Serbinë në Vlorë”. Pas hetimeve të kryera nga uniformat blu është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e 16-vjeçarit B.A., banues në lagjen Osman Haxhiu, Vlorë.

Pas arrestimit policia ka ushtruar një kontroll në banesën e minorenit, ku kanë gjetur dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një "armë-lodër" e ngjashme me një "armë-zjarri" të vërtetë, konkretisht, pistoletë ngjyrë e zezë, me mbishkrimin "Ekol-Aras-Magnum", një krehër me një fishek, me kapsollë të paplasur, ku në pjesën e majës ka një material plastik ngjyrë jeshile të ngjashme me ato të fishekëve zhurmues. Pas shoqërimit, në ambientet e policisë sipas deklaratës së tij, i riu ka shpjeguar se video është realizuar para 20 ditëshnë vendin e quajtur "Sheshi i Kateqit", me qëllimin e vetëm për ta postuar në profilin e Facebook-ut të tij.

Çfarë duhet të shmangni gjatë ditës së sotme në Elbasan

Të evitoni qarkullimin me automjet në bulevardin Aqif Pasha nga ora 08.00 e mëngjesit

Të evitoni qarkullimin me automjet në bulevardin Qemal Stafa nga ora 08.00 e mëngjesit

Të evitoni qarkullimin me automjet në aksin nga konservimi tek kryqëzimi i “Hajrullenjve”

Të evitoni parkimin e automjeteve përgjatë dy bulevardeve dhe përreth stadiumit Elbasan Arena

Të evitoni parkimin e automjeteve në sheshet kryesore

Të respektoni rregullat e qarkullimit rrugor

Për pjesëmarrësit në ndeshje

Të evitoni ndjekjen e takimit nga ballkonet e pallateve dhe shtëpive përreth

Të drejtoheni për në stadium nga ora 16.30 deri në 20.15

Të evitoni mbajtjen me vete të fishekzjarreve

Të evitoni mbajtjen me vete të monedhave metalike

Të evitoni mbajtjen me vete të çakmakëve

Të evitoni mbajtjen me vete të byzylykëve apo varësve prej hekuri

Të evitoni mbajtjen me vete të rripave me tokëza metalike

Të evitoni mbajtjen me vete të çadrave kundër shiut (e diskutueshme)

Të evitoni mbajtjen e celularëve (e diskutueshme)

Të evitoni gjithçka tjetër metalike

Të evitoni bidonët e ujit (pa tapë e diskutueshme)

Të evitoni mbajtjen e simboleve raciste

Të evitoni parullat me karakter racist, nacionalist apo me domethënie fyese e poshtëruese

Të evitoni thirrjet, sharjet apo fyerjet raciste

Të respektoni himnet kombëtare

Të respektoni kontrollet dhe udhëzimet e policisë (ndryshe përfundoni në rajon)

Të mbani me vete detyrimisht kartën e identiteti dhe biletën e ndeshjes

Të mos shkaktoni prishje të rendit dhe qetësisë publike në qytet.

Të mos shtyni në radhë gjatë futjes në stadium

Të lejueshme

Të mbani dhe demonstroni simbolet kombëtare (flamuj, qeleshe, xhamadanë, shqiponja dykrenore)

Të këndoni himnin kombëtar

Të mbështesni pa kufij dhe me kulturë ekipin kombëtar

Të duartrokisni

Të brohorisni sa të keni fuqi kur kombëtarja të shënojë gol

Rekomandime

Të vizitoni qendrën historike të Elbasanit

Të ndiqni koncertin në qendër të qytetit

Të pini birrë dhe verë në sasi të limituar

Të provoni qofte, bugaçe Elbasani

Të provoni tavën e kosit

Të provoni gatime karakteristike

Të provoni (po gjetët) ballokume

Të blini flamuj dhe simbole kombëtare

Ismail Morina kapet me armë serbe në brez

Vetëm një ditë para ndeshjes së shumëpritur Shqipëri-Serbi, efektivët e komisariatit të policisë nr.1, vunë në pranga gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, Ismail Morinën, autorin e dronit në Beograd, i njohur ndryshe si “Ballisti”. Burime zyrtare të policisë së kryeqytetit bënë të ditur se bashkë me 32-vjeçarin janë arrestuar edhe 3 persona të tjerë: shtetasit Erion Bahushi, 22 vjeç; Denis Balla, 21 vjeç dhe Marin Rexha, 20 vjeç, të cilët ndodhen në ambientet e Policisë së Tiranës. Të katër këta persona janë ndaluar dhe kontrolluar nga shërbimet e policisë në rrugën “Petro Nini Luarasi”, Tiranë dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj Ismail Morinës është gjetur e fshehur në trup (xhep) një armë zjarri e tipit pistoletë “Zastava” me gjashtë fishekë.

Morina ishte duke drejtuar mjetin tip “Land Rover” dhe gjendej në shoqërinë e tre personave të tjerë, të arrestuar për veprën “moskallëzim krimi”. Ndërkohë, gjatë kontrollit të mjetit në pjesët e brendshme të tij është gjetur edhe një armë tjetër pistolete tip “TT”, si dhe 30 fishekë për këtë pistoletë. Gjithashtu në mjet është gjendur dhe një gëzhojë pistolete. Policia bën të ditur se në automjetin e Morinës janë gjetur edhe 36 bileta për ndeshjen Shqipëri-Serbi dhe disa broshura pro Kombëtares Shqiptare. Fillimisht policia hodhi dyshime që biletat e gjetura në automjet për ndeshjen e së enjtes në “Elbasan Arena”, ishin të falsifikuara, por pas verifikimit ka rezultuar se këto bileta ishin të rregullta.

Dëshmia e “Ballistit”

Pas arrestimit në rrugën “Petro Nini Luarasi”, Morina është shoqëruar në ambientet e komisariatit numër 1, ku edhe është marrë në pyetje paraprakisht. Gjatë marrjes në pyetje në komisariat, 32-vjeçari Ismail Morina ka deklaruar se armën e mbante për vetëmbrojtje pasi i rrezikohej jeta. “E mbaj këtë pistoletë që pas ndeshjes në Beograd për vetëmbrojtje. Nuk kam asnjë qëllim tjetër”, mësohet të ketë thënë Morina. Sipas bluve, automjeti “Range Rover”, ku u gjetën dhe sekuestruan biletat, arma “TT” dhe fishekët, e që drejtohej nga Morina, ishte në pronësi të vëllait të tij.

Hetimet

Pas verifikimeve të Sektorit kundër Krimit Ekonomik, biletat e gjetura në automjetin që drejtohej nga “Ballisti”, rezultojnë të sakta dhe të plota. Sipas burimeve në policinë e kryeqytetit, Morina dhe personat e tjerë të arrestuar dhe të paarrestuar, dyshohet se do të krijonin trazira në ndeshjen që do të zhvillohet sot. Po ashtu, makina drejtuar nga Ismail Moribna u ndalua nga efektivët e komisariatit numër 1, pasi kishte informacion paraprak se Ismail Morina udhëtonte i armatosur. Nisur nga ky informacion, policia ka marrë masat dhe ka ndaluar automjetin “Range Rover”, ku pas kontrollit janë gjetur edhe armët. Arrestimi i Morinës erdhi një ditë para përballjes së madhe mes Shqipërisë dhe Serbisë. Por pas këtij arrestimi, pjesëmarrja e Morinës në stadium duket plotësisht e pamundur, ndërsa ky i fundit ka kërkuar që në qelinë e tij të pajiset me një televizor për të ndjekur ndeshjen e ekipit kombëtar.

Ambasada Amerikane, këshilla për shtetasit e saj

Ambasada e SHBA-së në Tiranë informoi dje qytetarët amerikanë që të tregohen vigjilentë ditën sotme, kur do të zhvillohet ndeshja Shqipëri- Serbi. “Autoritetet shqiptare presin turma të mëdha në ndeshje dhe në zonat publike kudo në Shqipëri, duke përfshirë sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Do të ketë mbyllje të kufizuara të akseve rrugore në qendër të Tiranës dhe trafiku do të jetë i rënduar në autostradën midis Tiranës dhe Elbasanit. Edhe pse autoritetet shqiptare do të marrin masa parandaluese për të siguruar rendin publik, u kujtojmë qytetarëve amerikanë se ngjarje publike mund të bëhen ndonjëherë të çrregullta. Nëse ju vendosni për të marrë pjesë në ndeshje ose në një shesh publik, ju duhet të jeni të vetëdijshëm për vendbanimin tuaj, të mbani një nivel të lartë të vigjilencës, dhe të keni një plan për mënyrën se si të largoheni nga zona shpejt, por në mënyrë të rregullt, nëse do të lindë nevoja”, thuhet në mesazhin drejtuar shtetasve amerikanë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat