Rama: Goditja me vezë, një kakarisje normale për një vend të lirë

Shqipëria

Rama: Goditja me vezë, një kakarisje normale për një vend të lirë

Më: 6 nëntor 2015 Në ora: 08:23

Kryeministri Rama u duk i pashqetësuar nga sulmi me vezë i studentëve pak ditë më parë, duke e cilësuar kakarisje normale.

I ftuar në “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, Rama hodhi poshtë akuzat për afera ndaj ministrave të tij dhe premtoi se nëse do të ketë akuza të verifikueshme, do të jetë ai vetë që do t’i dërgojë në Prokurori.

Incidenti i pak ditëve më parë me studentët që ju gjuajtën me vezë tregoi se qeverisja ka kosto?

Kjo nuk hyn te kostot. Besoj që është një kakarisje normale për një vend të lirë dhe nuk ka asnjë problem. Sigurisht që nëse do të më duhet të bëj një interpretim, do bëj interpretimin që deri dje, për shkak të një kufizimi të madh dhe të një lirie te njerëzit, as e imagjinonte njeri që mund të bënte një akt të tillë; sot mund ta bëjë. Është një hap i madh përpara, besoj.

Nuk ishte një hata për një vezë në shpinën e një funksionari publik, por është ushtruar dhunë ndaj studentëve.
S’është e vërtetë.

Studentët janë tërhequr zvarrë dhe u është folur në mënyrë qesharake se kanë goditur me vezë liderin e madh të Ballkanit…

Së pari, dëgjova gënjeshtra që jam dëshmitar vetë. Aty askush nuk m’u afrua siç u pretendua që të flisnin me mua. Nga deklarata pashë që sipas tyre, në polici nuk u ushtrua dhunë, por u ushtrua jashtë. Nuk ndodh asgjëkundi që njerëzit e sigurisë të mos bëjnë detyrën, sepse më pas mund të dalë që gjuajtën me vezë, por mund të dalë dhe ndonjë gjë tjetër. Prandaj është bërë një verifikim normal dhe rezistenca dhe për më tepër pastaj historia që ishin studentë, unë kam dëgjuar aty fjalët më vulgare. Edhe në video njerëzit dëgjuan fjalë vulgare. Nuk e imagjinoj dot që të konsiderohen studentë të denjë ata që përdorin fjalët më vulgare ndaj kujtdo qoftë. Por ama dhunë nuk ka pasur. Kjo ngjarje tregon se sot shoqëria ndihet më e lirë krahasuar me çfarë ka qenë më parë dhe prandaj duket sikur është një ngjarje kaq e madhe që zë edicione lajmesh. Në fakt është, ashtu siç thoni ju, një kakarisje për mua meqë janë vezë, banale, për dikë është një gjest simpatik, por nuk ka problem.

Zoti Rama, kur u kërkoni njerëzve sakrifica, si mund të blini “Jaguarë” të rinj?

Ky është një spekulim skandaloz. Fjala “Jaguar” mund të impresionojë si fjalë në vetvete, por ne kemi bërë as më shumë, as më pak, atë që qeveritë e vendeve të tjera e kanë bërë prej kohësh; qeveria nuk blen makina, nuk duhet të blejë makina, nuk duhet të mirëmbajë makina, duhet ta marrë këtë shërbim me qira. Kështu ne kursejmë gjysmë milioni euro, të tjerat pastaj janë llafe.

Presidenti i Republikës tha një javë më parë se nuk do të pranojë makinat që do të japë qeveria për Presidencën sepse do të kenë kosto të lartë mirëmbajtjeje. Edhe ambasadori Lu tha mos i bëni paratë rrush dhe kumbulla.
Rrush dhe kumbulla ambasadori Lu nuk e di. Kjo është krejtësisht e pavërtetë. Në këtë llogari, i bie që një makinë kushtoka për çdo vit 50 mln dhe nëse ne kemi, le të themi 20 makina, i bie që në do të harxhokemi çdo vit 1 miliard. Ndërkohë që ne sot për mirëmbajtje harxhojmë një shifër rreth 600 mijë euro. Ndërsa me skemën e re, shifra vjen duke u ulur dhe në katër vjet kursejmë gjysmë milioni euro. Pra kjo është një e pavërtetë e plotë. Kjo është gënjeshtër. Ky është një shërbim, nuk ka lidhje fare dhe nuk është qeveria që i jep makinat. Ka një drejtori që e bën këtë shërbim dhe sot ky shërbim është kontraktuar te privati. Privati bën të gjitha shpenzimet për t’ia vënë në shërbim makinat qeverisë.

Zoti Rama jeni akuzuar se po i jepni tenderët dhe koncesionet biznesmenëve që kanë qenë afër jush kur ishit kryetar bashkie. Po ju përmendin Carapulin dhe Papulin…

Nëse biznesmenët janë miqtë e mi, nuk janë miq të mi për t’u penalizuar nëse janë të zotë të bëjnë një punë që e kanë bërë përpara se unë të bëhesha Kryeministër. Nëse njerëz të familjes sime do të shpikeshin dhe do të ktheheshin në biznesmenë të suksesshëm me paratë e shtetit, atëherë ju këtu dhe të gjithë do të kishit të drejtë të më vinit kryq mua. Por njerëz që mund të jenë të njohurit dhe miqtë e mi që janë bërë sipërmarrës të suksesshëm që nga koha kur unë akoma nuk merresha me politikë dhe që fitojnë dhe investojnë, ku e shihni ju problemin këtu?!

Keni lejuar disa biznesmenë që hidhen sa me një qeveri me tjetrën, kjo është pjesa më e keqe e biznesit dhe ata janë pranë Kryeministrit.

Nëse një pronar mediash ka përfituar nga unë, siç ka përfituar në të shkuarën, atëherë unë jam dorëheqjen. Në lidhje me “Laguna Blu”. Nga pikëpamja e ligjshmërisë, aty nuk ka asnjë centim të shkeljes së ligji. Pastaj, në një ndërtim me plan të miratuar, me tokë private dhe me të gjitha dokumentet në rregull, pavarësisht se mund të themi çfarë të duam se si është privatizuar dhe si është bërë plani, të gjitha këto janë bërë nga institucionet e shtetit dhe sot ne jemi shteti. Nuk kam dhënë leje, kjo është e vërteta.

Kam lexuar një akuzë në media ndaj ministrit Beqaj, por dhe ministrat e tjerë që kanë akuza; ose duhet të shkojnë në gjyq ndaj akuzave, ose të shkojë gazetari në gjyq për shpifje. S’mund të rrinë në këmbë këto akuza.
Nuk do të çojmë mediat në gjyq. Ministrat e qeverisë që unë drejtoj kanë një mesazh shumë të qartë: Nuk ka parti apo qeveri që i mban ata nëse përfshihen në një skandal. Për të gjitha akuzat që bëhen për ministrat, ne kemi një strukturë në Kryeministri që bën verifikimet nga a-ja te zh-ja. Nëse do të ndodhë një skandal i vërtetë i verifikuar, jam unë që jo vetëm do ta heq ministrin, por do ta çoj në Prokurori. Ilir Beqaj ka goditur rrjete dhe lobe të fuqishme që kanë disponuar mbi paratë publike për vite të tëra, ka prishur interesa të fuqishme financiare. Ashtu sikundër Saimir Tahiri që është ministri më i akuzuar, është ministri që ka prekur më shumë interesa dhe ka prekur shumë njerëz në kallo. Por unë besoj se çdo akuzues, përpara se të pretendojë që Kryeministri të marrë masë, duhet të provojë me fakte dhe jo me fjalë.

Zoti Basha ju ka akuzuar se keni kopjuar premtimet e tij për taksat.

E para nuk kopjohen ngelësat, ky është ngelës. Një njeri që nuk ka gjë në dorë, por dhe kur i ka pasur në dorë, ka bërë vetëm dëm aty ku ka vënë dorë, është sot njeriu që pretendon të japë një alternativë. Ne jemi shumë të vetëdijshëm për disa ndryshime në sistemin e taksimit. E kemi biseduar dhe me FMN-në dhe kemi vendosur që të gjithë ata që janë të vetëpunësuar përmes zanatit, pra nuk kanë një kompani apo sipërmarrje me njerëz të tjerë, berberë, elektricistë, rrobaqepës, nuk do paguajnë më asnjë taksë. Do të kenë detyrimin vetëm të regjistrohen dhe të paguajnë sigurimin shoqëror. E kam pasur shqetësim tregun e lagjes, atyre nuk mund t’u kërkohet as kasë fiskale dhe as të paguajnë taksa dhe historira. Do të kenë vetëm një certifikatë, do të regjistrohen për sigurimet shoqërore. Edhe ambulantët do të regjistrohen, por nuk do të paguajnë asnjë taksë.

Opozita ju ka akuzuar se ekonomia po shkon në greminë?

Nuk është e vërtetë. Raporti i Bankës Botërore thotë se ekonomia shqiptare vazhdoi të rritet e mbështetur kryesisht nga investimet private dhe eksportet neto. Investimet private dhe rritja e investimeve të huaja direkte do të vazhdojnë të jenë faktorët kyç në rritjen ekonomike. Treguesit e tregut të punës; punësimi u rrit me 10. 6 përqind, papunësia shënoi rënie. Për të ardhurat; ndonëse nuk u realizua plani i të ardhurave, ne në vitin e shkuar kemi grumbulluar nga të ardhurat një shifër të barabartë me 5 vitet më të mira të qeverisë së PD, dhe ato u rritën me 4.4 përqind në krahasim me një vit më parë. Ndërsa ritmi i rritjes në Shqipëri është ndër më të lartët në rajon dhe papunësia është më e ulta në rajon. Sot të mos harrojmë që reformat e Shrederit ishin baza mbi të cilën ekonomia gjermane dhe Gjermania lulëzoi me Merkelin. Reformat duan kohën e tyre.

U hap si barsaletë se do të tatohen edhe pulat…

Ne duam të formalizojmë ekonominë në fshat, por nuk do të vendosim asnjë lloj takse dhe nuk do të kërkojmë asgjë të kësaj natyre mbi fermerët, ndërsa grumbulluesit kanë sistem tjetër. Por u kemi kërkuar që të kenë NIPT, që të jenë të regjistruar dhe të regjistrohen për të marrë dhe projekte dhe programe nga BE-ja.

Në këto dy vjet qeverisje, cili ka qenë një gabim i qeverisë?

Kam bërë një gabim që aksionin e energjisë kam hezituar ta filloj më herët, por nuk është gabim i vogël. Vlerësimi i bërë ka qenë për të qenë të kujdesshëm dhe nuk ishte i duhuri, sepse do të kishim fituar shumë.

Po tjetër gabim?

Një tjetër gabim ka qenë edhe dhënia e legalizimeve gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve vendore. Kjo është thënë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat