Dorëheqja e Nacos dhe impulset e reja në qeverisje

Shqipëria

Dorëheqja e Nacos dhe impulset e reja në qeverisje

Nga: Gjergj Koja Më: 9 nëntor 2015 Në ora: 17:19

Dorëheqja e Nasip Nacos nga posti i ministrit të Drejtësisë vjen në një kohë kur LSI dukej se kishte hequr dorë publikisht nga impulset e reja në qeverisjen e vendit. Për disa javë me rradhë, Kryetari i LSI-së, njëherëz edhe Kryetar i Kuvendit, kërkoi ndryshimin e kabinetit qeveritar, përmes një kërkese për impulse të reja, por Kryeministri Rama i ka kaluar në heshtje kërkesat e partnerit kryesor të tij në qeverisjen e vendit. Në takimin e fundit mes dy drejtuesve të koalicionit qeveritar, Kryeministrit Rama dhe Kryeparlamentarit Meta, ku gjithashtu ishin të pranishëm edhe disa ministra dhe drejtuesit e Grupeve Parlamentare të dy partive, PS dhe LSI, palët unifikuan qëndrimet në lidhje me politikat ekonomike, ku u konkludua për mosrritjen e taksave.

Pas takimit me Ramën, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta zhvilloi një takim kokë më kokë me Kryetarin e PDIU-së Shpëtim Idrizi, ndërsa ky i fundit deklaroi se ishte diskutuar mbi procesin e dekriminalizimit, duke shtuar se ky proces duhej të ecte paralelisht me atë të dekomunistizimit. Pra në takimin e fundit, dukej se të paktën publikisht, politikanët e koalicionit të drejtuar nga PS, shmangën komentet mbi impulset e reja në qeverisjen e vendit. Kjo krijoi përshtypjen që mes PS dhe LSI ishte gjetur dakordësia për mosndryshimin e Qeverisë. Por dukej se LSI nuk ishte tërhequr nga kërkesa për impulse të reja në qeverisjen e vendit, ndërsa dy nga emrat e përfolur se mund të linin postet qeveritare ishin Nasip Naco dhe Edmond Haxhinasto, i pari ministër i Drejtësisë dhe tjetri ministër i Transporteve. Të dy ministrat, përfaqësues të LSI-së në kabinetin qeveritar, u lakuan si emrat e parë që do të tërhiqte Ilir Meta në kuadrin e ndryshimeve qeveritare.

Më afër largimit nga Qeveria ishte Nasip Naco, i cili ka mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë në Qeverisjen “Berisha” pas largimit të Dritan Priftit nga kjo detyrë. Zyrtarisht ende nuk ka një njoftim mbi shkaqet që cuan Nacon në dorëheqje, ndërsa është pohuar se arsyeja themelore kishte të bënte me mënjanimin e tij dhe Ministrisë që drejtonte nga reforma në drejtësi, e cilësuar si një nga reformat më të mëdha të 25 viteve të fundit.

Por burime nga mazhoranca bëjnë të ditur se prej disa javësh ministri i dorëhequr i Drejtësisë nuk kishte më mbështetjen e LSI-së, sidomos pas debateve mbi publikimin e asaj që u konsiderua si skandali i Qeverisë me CEZ, bazuar në zgjidhjen me mirëkuptim të marrëveshjes mes dy palëve, duke mos shkuar në arbitrazh. Opozita menjëherë akuzoi Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, më pas hodhi akuzat në drejtim të Kryeministrit Edi Rama, dhe prej disa javësh nuk artikulon më cështjen, ndërsa debate parlamentar mbi hetimin ndërkombëtar të cështjes CEZ do të mbahet në Kuvend më 19 Nëntor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat