KE: Qeveria të tërheqë rikthimin e dënimit për shpifjen

Shqipëria

KE: Qeveria të tërheqë rikthimin e dënimit për shpifjen

Më: 13 nëntor 2015 Në ora: 17:02

Komisioni Evropian i ka drejtuar një apel qeverisë shqiptare që të tërheqë draftin e shpifjes që e kthen atë në një vepër penale.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç, u shpreh se zyrtarët e lartë duhet të jenë të hapur ndaj monitorimit publik dhe kritikave të gjera të qytetarëve të thjeshtë, gjë që është vendosur qartë nga jurisprudenca e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut.

Duke kërkuar tërheqjen e këtyre amendamenteve, Koçijançiç shtoi se dispozitat që lidhen me liritë themelore duhet të kalojnë për konsultim publik para miratimit.

“Ne i kemi parë me shqetësim propozimet për ndryshime në Kodin Penal që synojnë rikthimin e dënimit të shpifjes si vepër penale në rastet e shpifjes për zyrtarë të lartë dhe zyrtarëve të zgjedhur. Në këndvështrimin tonë, përfaqësuesit e lartë duhet të jenë të hapur ndaj monitorimit publik dhe kritikave të gjera të qytetarëve të thjeshtë. Kjo është vendosur qartë nga Jurisprudenca e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut të Strasburgut. Në këtë kontekst, ne mirëpresim tërheqjen e këtyre amendamenteve. Gjithashtu mund të shtoj se dispozitat që lidhen me liritë themelore duhet të kalojnë së pari përmes një konsultimi të gjerë publik përpara se ato të miratohen”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat